Mesazhi i Vizitave Mësimore
Nëse Ne Nuk Dyshojmë
Studiojeni këtë material dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.
Në Librin e Mormonit ne lexojmë rreth të rinjve shembullorë që ishin jashtëzakonisht trima, guximtarë dhe të fortë. “Po, ata ishin njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij” (Alma 53:21). Këta të rinj nderonin nënat e tyre – shembujt dhe mësueset e tyre.
Nënat e luftëtarëve të Helamanit jetonin në kohëra jo pa ngjashmëri me tonën. Rrethanat ishin të vështira dhe të rrezikshme dhe të rinjtë qenë thirrur për të mbrojtur lirinë fizike dhe shpirtërore. Sot ne jetojmë në një botë ku “beteja … nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12).
Kohët sfiduese kërkojnë prindër dhe shembuj të fortë që japin mësim të vërtetën që luftëtarët e Helamanit e dinin: “Në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte” (Alma 56:47). Mësimdhënia e kësaj të vërtete dhe realizimi i saj sot kërkon vigjilencë. Gjithsesi, ne nuk ka nevojë të trembemi. Kur ne e dimë se cilët jemi dhe cili është Perëndia dhe ne kemi bërë besëlidhje me Të, ne – ashtu si këto nëna dhe luftëtarë do të kemi ndikim të madh për mirë.
Me shumë gjasa, secili nga 2.060 luftëtarët e Helamanit qe ndikuar nga një nënë. Por këto nëna nuk vepruan vetëm. Së bashku me burra dhe gra të tjera të drejta, këto nëna duhet të kenë bashkuar besimin dhe shembullin e tyre për të dhënë mësim fuqinë e besëlidhjeve. Të rinjtë e asaj kohe e kuptonin besëlidhjen që prindërit e tyre patën bërë për të mos u angazhuar në luftë. Dhe kur dukej e pamundur, një Atë Qiellor hapi rrugën që këta prindër të mbanin besëlidhjet e tyre – dhe të ruanin lirinë e tyre (shih Alma 56:5–9). Ne po ashtu, duhet të respektojmë besëlidhjet tona në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë – fëmijët tanë dhe ata në lagjet, degët, mëhallat dhe komunitetet tona – të kuptojnë dhe të mbështesin mbajtjen e besëlidhjes.
Kur ne nderojmë besëlidhjet tona, Ati Qiellor mund ta përgatisë rrugën për ne. Ne duhet t’i jetojmë besëlidhjet tona me përpikmëri. Ne mundemi, për shembull, të jemi të përpiktë në të luturit, në studimin e shkrimeve të shenjta, në mbajtjen e rekomandimit aktual të tempullit, në të veshurit thjesht, në respektimin e Shabatit. Kur veprojmë kështu, fëmijët tanë do të dinë dhe do të jenë në gjendje të thonë: “Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinë atë” (Alma 56:48).
Gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme që e dinë se forca e tyre vjen nga Shlyerja e Zotit, nuk dorëzohen në kohëra të vështira dhe shkurajuese. Si mbajtës të besëlidhjeve, ne shquhemi në mbështetjen, edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve në mënyrë që një ditë ne të mund të themi për këtë brez që rritet: “Nuk kam parë kurrë guxim kaq të madh, jo, jo në mes të të gjithë[ve]” (Alma 56:45).
Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.