2011
Libri i Mormonit: Duke na Forcuar Besimin në Kohën Tonë
Tetor 2011


Libri i Mormonit

Forcimi i Besimit tonë tek Jezu Krishti

Libri i Mormonit na fton ne dhe familjet tona të përqafojmë besimin në Zotin Jezu Krisht dhe ndan parimet që do t’i ndihmojnë familjet tona t’ia dalin mbanë.

Elder Neil L. Andersen

Përpiluar nga mësimet e profetëve nëpër shumë shekuj, Libri i Mormonit u shkrua për një kohë të ardhshme kur rivendosja e çelësave të priftërisë, së bashku me mbledhjen e madhe të shtëpisë së Izraelit, do ta përgatitnin botën për kthimin e Shpëtimtarit në tokë (shih 2 Nefi 25; 27; 3 Nefi 21). Nefi e përshkroi tekstin e shenjtë si “zëri i dikujt që thërret nga pluhuri” (2 Nefi 33:13). Moroni shpalli: “Vini re, unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:35).

Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë dhe për kohët pasuese. Përafërsisht një milion kopje të Librit të Mormonit u shtypën gjatë 100 viteve të para pas Rivendosjes. Kjo përfshiu 15 gjuhë, një sipërmarrje mahnitëse. Në 50 vitet pasuese (1930–1980), më shumë se 25 milionë kopje u shtypën në 41 gjuhë. Që prej asaj kohe, 30 vite më parë, 125 milionë kopje shtesë të Librit të Mormonit janë shtypur në 107 gjuhë, duke përfshirë edhe Përzgjedhje nga Libri i Mormonit. Ndikimi dhe efekti i Librit të Mormonit do të vazhdojë të rritet, ndërsa mbretëria e Perëndisë i çohet çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.

Faqja e titullit, e shkruar nga Mormoni, nxjerr në pah qëllimet kryesore të librit. Qëllimi i parë i drejtohet veçanërisht pasardhësve të fëmijëve të Lehit. Qëllimi përfundimtar është “bindja e të [gjithë njerëzve] se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar” (faqja e titullit e Librit të Mormonit).

I Rëndësishëm për Kohën Tonë

Pse do të ishte kaq e rëndësishme për kohën tonë një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit? Pse do të sillte Zoti një dëshmitar tjetër për të forcuar shpalljet e fuqishme të Biblës?

Ne jetojmë në një kohë të pangjashme me asnjë tjetër. Arritjet shkencore lejojnë kujdes mjekësor, transportim, rehati dhe lehtësira të papërfytyruara nga brezat që na paraprinë. Toka është pëmbytur me informacion dhe teknologji, duke shtuar punën e historisë familjare dhe shpërndarjen e ungjillit, por edhe përhapjen në masë të pornografisë, videolojërave të dhunshme dhe “djallëzive dhe planeve të tjera që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues” (DeB 89:4). Në pjesën më të madhe të botës, ne jetojmë në një kohë të lidhjes së fortë ndaj zotërimeve materiale.

Këto kushte munden, nëse nuk jemi të kujdesshëm, të na hutojnë ose të na ndjellin të largohemi nga parimet që janë të përjetshme dhe të vërteta për çdo brez.

Kur isha misionar i ri në Europë në fillimet e viteve 1970, ne e fillonim pjesën më të madhe të mësimeve tona me një shpjegim për Braktisjen, sepse natyra hyjnore e Jezu Krishtit ishte gjerësisht e pranuar. Kur u riktheva si president misioni 20 vite më vonë, ne i fillonim bisedat tona ndryshe, pasi besimi në Jezu Krisht si Bir i Perëndisë, që dha jetën e Tij për mëkatet tona dhe u ngrit ditën e tretë, ishte zhdukur dukshëm.

Në botën e sotme, argumentet arrogante të Korihorit, antikrishtit, gjejnë veshë që dëgjojnë:

“Përse prisni për një Krisht? Pasi asnjë njeri nuk mund të dijë ndonjë gjë që do të vijë.

Vini re, këto gjëra që ju i quani profeci … janë tradita të marra të etërve tuaj.

… Ju nuk mund të dini për gjërat që nuk i shihni. …

… Çdo njeri përparon[te] sipas gjenisë së tij dhe … çdo njeri fiton[te] sipas fuqisë së tij” (Alma 30:13–15, 17).

Ne kemi nevojë për besimin tonë vetjak të sigurt e të vendosur në Zotin Jezu Krisht dhe na duhet të ndihmojnë në forcimin e familjeve tona që ky besim të rrjedhë në zemrat e fëmijëve dhe nipërve tanë. Besimi në Jezu Krisht, kur ka ankoruar në mënyrë të sigurt në shpirtrat tanë, sjell kthim të vërtetë në besim dhe me zgjimin e tij vjen pendim, të qenit dishepull i sinqertë, mrekulli, dhurata shpirtërore dhe drejtësi që zgjat. Kjo është një pjesë e rëndësishme e misionit hyjnor të Librit të Mormonit.

Kur isha misionar i ri, unë pata një diskutim shumë interesant me një klerik. Ai na tha se ai nuk mund ta pranonte Librin e Mormonit pasi ai fliste haptazi për Jezu Krishtin, duke përdorur emrin dhe ngjarje të jetës së Tij qindra vite përpara se Ai të lindte. Atij iu duk kjo tejdukshmëri jo karakteristike sipas modelit të Dhiatës së Vjetër që i adresohej Shpëtimtarit në mënyrë më të përmbajtur.

Për mua deklarimi i hapur për Jezu Krishtin është pikërisht fuqia e Librit të Mormonit. Sigurisht, ne duhet të marrim një dëshmi shpirtërore që libri është nga Perëndia. Por pasi e marrim atë, qëllimet e Krishtit, realiteti i jetës dhe Ringjalljes së Tij dhe qartësia e asaj që është e nevojshme për ta ndjekur atë dhe për të marrë jetën e përjetshme me Të, janë të prekshme në një mënyrë të habitshme për ne.

Dëshmia për Jezu Krishtin

Të shoqëruar me fuqinë e Frymës së Shenjtë, leximi dhe meditimi mbi predikimet e mëdha të Jezu Krishtit në Librin e Mormonit sjellin një dëshmi të sigurt rreth vërtetësisë së tyre. Unë dëshiroj të kaloj nëpër Librin e Mormonit duke u ushqyer me bollëk me doktrinat e fuqishme të Krishtit: Vegimin e Nefit për pemën e jetës, me engjëllin që pyet: “A e di ti denjimin e Perëndisë?” (1 Nefi 11:16); dëshminë e Lehit që “shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi” (2 Nefi 2:6); shtesës prej Jakobit që Ai është “ruajtësi i portës… dhe ai nuk punëson shërbëtorë aty” (2 Nefi 9:41).

Pastaj vijojmë me Mbretin Beniamin, që na mëson cilësitë e të qenit dishepull me shpalljen e tij të patundur se “nuk do të ketë asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit” (Mosia 3:17).

Jemi së shpejti me Abinadin, gati për të dhënë jetën e tij për atë që beson:

“Por, ka një ringjallje prandaj varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin.

Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:8–9).

Alma sjell doktrinat e mrekullueshme të Shlyerjes, drejtësisë dhe mëshirës në jetë: “Plani i mëshirës nuk mund të realizohej, nëse nuk bëhej një shlyerje; prandaj Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm” (Alma 42:15).

Pastaj vijmë te vizita e mrekullueshme e Shpëtimtarit te fëmijët e Lehit. Ne gjithashtu, e ndiejmë dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, mësimet e Tij, vetë dëshminë e Tij:

“Ky është ungjilli që ju kam dhënë—se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim. …

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq… që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ashtu si unë u ngrita nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga(3 Nefi 27:13–14).

Së fundi, thirrjet mbyllëse të Mormonit dhe Moronit: “Dijeni se ju duhet … të pendoheni për të gjitha mëkatet dhe paudhësitë tuaja dhe të besoni në Jezu Krishtin, se ai është Biri i Perëndisë” (Mormoni 7:5). “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht” (Moroni 10:32).

Mesazhi i Librit të Mormonit Vjen Brenda Tregimeve të Familjeve

Kjo dëshmi e fuqishme dhe bindëse shpirtërore se Jezu Krishtit është vërtetë Mesia i premtuar – Biri i vajosur i Perëndisë, i dërguar në tokë për të bërë të ndodhë ringjallja e të gjithë njerëzve dhe pastrimi shpirtëror i atyre që do të pendohen dhe do ta ndjekin Atë – shprehet brenda tregimeve të familjeve.

Libri i Mormonit fillon me një familje, një atë dhe nënë, bij dhe bija që ua vënë veshin babait-profet për t’i lënë të mirat e tyre të botës dhe për të ndjekur këshillën e Zotit. Rrëfimet e librit janë të tejmbushura me prindër që përpiqen të rrënjosin në fëmijët e vet premtimin dhe shpresën e Jezu Krishtit. Në një rast unë mora nga faqet e tij një këshillë të caktuar nga etërit te bijtë – gjithsej ishte 52 faqe të shtypura. Në Librin e Mormonit ne shohim se si prindërit u mësuan besim në Krisht dhe bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë edhe fëmijëve që ishin të bindur që nga fëmijëria e tyre edhe fëmijëve të cilëve u duhej ta gjenin rrugën e tyre – ndonjëherë brenda së njëjtës familje. Ky është një mësim për kohën tonë, për fëmijët tanë, për familjet tona.

Rolet e veçanta të grave dhe bijave janë të papërmendura deri në një farë mase, siç është zakon në të shkruarin e lashtë. Por duke parë përtej të dukshmes, ne shohim ndikimin e tyre të përjetshëm e të qëndrueshëm. Ne i ruajmë si thesar kafshatat e çmuara që thonë gratë dhe nënat aq “të buta dhe të dëlira dhe të brishta para Perëndisë” (Jakobi 2:7) ose kur Helamani përshkruan mirësinë e ushtrisë së tij me të rinj aq të ndikuar nga nënat e tyre të drejta:

“Ata u bindën dhe u përpoqën të zbatonin çdo fjalë të urdhërit me përpikmëri; po, dhe madje u bë çdo gjë sipas besimit të tyre; dhe unë kujtova fjalët që ata më kishin thënë se nënat e tyre ua kishin mësuar. …

Tani, ky ishte besimi i këtyre, për të cilët ju fola; ata janë të rinj dhe mendjet e tyre janë të vendosura dhe ata e vendosin përherë besimin e tyre në Perëndi. …

… Nënat u kishin mësuar se, në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte.

Dhe më përsëritën fjalët e nënave të tyre, duke thënë: Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë” (Alma 57:21, 27; 56:47–48).

Unë ju ftoj t’i mendoni thellë këto pyetje që t’ju ndihmojnë t’i përqasni mësimet e Librit të Mormonit në familjen tuaj.

  • Cilat pjesë në Librin e Mormonit na mësojnë se fëmijët kanë nevojë të shohin ndershmëri dhe drejtësi në besimin e prindërve të tyre?

  • Çfarë këshillash u kanë dhënë fëmijëve të tyre, etërit në Librin e Mormonit që ne mund të dëshirojmë t’i ndajmë me fëmijët tanë?

  • Çfarë mësojmë ne rreth përpjekjeve me fëmijët që nuk po tregohen të bindur?

  • Si ua tregojnë prindërit në Librin e Mormonit fëmijëve të tyre besimin e tyre të thellë?

  • Çfarë mësojmë ne rreth besimit ndërsa ai përçohet nga një brez tek tjetri?

Nuk ka asgjë më të rëndësishme për të ndarë me dikë tjetër sesa besimi në Zotin Jezu Krisht. Ai sjell kuptueshmërinë e sfidave të kësaj jete, e lumturisë në mes të vështirësisë dhe jetës së përjetshme në botën që do të vijë.

Ka shumë ndikime të botës që na tërheqin ne dhe familjet tona nga ky besim jetësor. Libri i Mormonit na fton ne dhe familjet tona të përqafojmë besimin në Zotin Jezu Krisht dhe ndan parimet që do t’i ndihmojnë familjet tona t’ia dalin mbanë.

Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se me të vërtetë iu dorëzua Profetit Jozef Smith nga engjëlli Moroni, nën drejtimin e Zotit Jezu Krisht. Ai është për kohën tonë, për fëmijët dhe nipërit tanë. Ndërsa e hapim atë çdo ditë me besim, unë premtoj se Shpirti i Zotit do të jetë mbi ju dhe familjet tona do të jenë të bekuara përgjithmonë.

Vegimi i Nefit

Dëshmia e Lehit

Fjalimi i Mbretit Beniamin

Dëshmia e Abinadit

Shfaqja e Jezu Krishtit

Thirrjet mbyllëse të Mormonit dhe Moronit

Figura e Krishtit, nga Heinrich Hofmann, me mirësinë e C. Harrison Conroy Co.

Korihori i Kundërvihet Almës, naga Robert T. Barrett

Vegimi i Nefit, nga Clark Kelley Price; detaj nga Liahona, nga Arnold Friberg © 1951 IRI; Fjalimi i Mbretit Beniamin, nga Jeremy Winborg, nuk lejohet kopjimi; detaj nga Abinadi duke u Shfaqur Para Mbretit Noe, nga Arnold Friberg © 1951; Që Gjithmonë të më Kujtoni, nga Gary Kapp © 1998, nuk lejohet kopjimi; Mormoni i Shpreh Lamtumirën një Kombi Dikur të Shkëlqyer, nga Arnold Friberg © 1951 IRI

Lehi dhe Njerëzit e Tij Arrijnë në Tokën e Premtuar, nga Arnold Friberg