2011
Nëse Ju Vërtet Doni ta Dini, Ju Do ta Dini
Tetor 2011


Nëse Ju Vërtet Doni ta Dini, Ju Do ta Dini

Unë ndiej mirënjohje të përjetshme për Librin e Mormonit. Ai e ndryshoi jetën time përgjithmonë dhe unë e di se ai mund ta ndryshojë tuajën.

Elder Walter F. González

Unë isha 18-vjeç kur u bëra anëtar i Kishës. Libri i Mormonit luajti një rol kyç në kthimin tim. Në atë kohë, unë po kërkoja ide të reja që mund të shpjegonin botën përreth meje. Mbaj mend profesorët e mi të kolegjit që bënin qasje shumë materialiste në mësimdhënien e tyre. Unë fillova ta vras mendjen mbi ide agnostike rreth ekzistencës së Perëndisë.

Një ditë unë vura re një libër në ngjyrë të kaltër që një çift misionarësh e pati lënë në shtëpinë tonë rreth gjashtë vite përpara. Ai ishte Libri i Mormonit. Bashkë me librin ata patën lënë një libërth rreth Profetit Jozef Smith dhe gjithashtu disa udhëzime rreth mënyrës për t’iu lutur Perëndisë.

Unë fillova ta lexoj Librin e Mormonit. Unë pata lexuar vetëm pak vargje në libër, në 1 Nefi, kur ndjeva diçka ndryshe. Fillova të debatoj midis ndjesive të mia dhe intelektit tim. Kështu vendosa ta pyes Perëndinë në lutje.

Kjo ishte hera e parë në jetën time që qeshë lutur në gjunjë. Përvoja që pasoi, u bë një nga më të shenjtat e jetës sime. Një ndjesi e një lumturie të tillë të papërmbajtur më mbushi ngaqë e dija në zemrën time se Libri i Mormonit ishte më shumë se thjesht një libër. Ai qe një libër me prejardhje hyjnore. Ai duhej të qe fjala e Perëndisë. Më vonë unë arrita të kuptoj se ndjesia ishte Shpirti që dëshmonte për vërtetësinë e tij.

Ndërsa disa mund të kenë përvoja të ngjashme, ka mënyra të ndryshme që njeriu arrin të dijë se Libri i Mormonit është i vërtetë.

Si Do Ta Dini Ju?

1. Disa do ta dinë duke dëgjuar. Ju mund të jeni midis atyre që do ta dinë thjesht duke dëgjuar ato që libri jep mësim. Libri i Mormonit tregon për mijëra që dëgjonin bijtë e Mosias t’u jepte mësim ungjillin e Jezu Krishtit dhe “u kthyen në besim te Zoti” (shih Alma 23:5–6). Misionarë sot japin mësim po atë ungjill që gjendet në Librin e Mormonit. Disa do të dinë se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë thjesht duke dëgjuar të tjerët të ndajnë mësimet e tij.

2. Disa do ta dinë duke lexuar. Ju mund të jeni midis atyre që do ta dinë thjesht duke lexuar Librin e Mormonit me dëshirë të vërtetë për të ditur të vërtetën. I tillë qe rasti me bashkëshorten time. Ajo qe 12 vjeçe kur mori në zemër udhëzimin për ta lexuar librin nga fillimi në fund. Kur e bëri këtë, ajo e dinte se ai ishte i vërtetë. Ndjesia ishte aq e fortë saqë, ndërsa lexonte, ajo vendosi ta ndiqte Shpëtimtarin përgjithmonë. Ajo ka qëndruar e vërtetë ndaj asaj që ndjeu.

3. Disa do ta dinë duke vepruar. Ju mund të jeni midis atyre që do ta dinë thjesht duke bërë gjëra që libri i jep mësim. Disa njerëz i fitojnë dëshmitë e tyre duke vepruar (shih Gjoni 7:17). Nefi, një profet në Librin e Mormonit, e kuptonte mirë këtë parim. Ai shkroi se me qëllim që “t’i bind[te] më plotësisht ata të besonin në Zotin, Shëlbuesin e tyre … i përshtat[i] të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23; theksimi shtuar). Duke i përshtatur, apo zbatuar, mësimet e Librit të Mormonit në vetë jetën tuaj, ju mundeni gjithashtu, të bindeni për prejardhjen e tij hyjnore.

4. Disa do ta dinë duke pyetur Perëndinë. Ju mund të jeni midis atyre që do ta dinë duke lexuar nga Libri i Mormonit dhe pastaj duke pyetur Atin Qiellor në lutje nëse libri është i vërtetë. Kjo është ajo që unë përjetova. Ajo është premtimi sublim i dhënë nga një tjetër profet i Librit të Mormonit, Moroni, për të gjithë kërkuesit e sinqertë të së vërtetës: “Vini re, unë do t’ju këshilloj që kur t’i lexoni këto gjëra … që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:3–4). Unë sjell dëshmi se nëse ju e lexoni dhe luteni rreth Librit të Mormonit, duke ndjekur udhëzimet e Moronit, ju do ta dini se ai është i vërtetë.

Perëndia Ka Premtuar se Ju do ta Dini

Nëse ju vërtet doni ta dini, ju do të arrini ta dini se Libri i Mormonit është i vërtetë. Perëndia ka premtuar t’ua japë këtë dijeni kërkuesve të ndershëm të së vërtetës dhe Ai është “një Perëndi i së vërtetës dhe nuk mund të gënje[jë]” (Ethëri 3:12).

Një profet tjetër i Librit të Mormonit, Alma, i mësoi djalit të tij se Perëndia pati premtuar se Ai “do [ta] ruante [këtë libër] për një qëllim të urtë në të, që ai të mund t’u tregojë brezave të ardhshëm fuqinë e tij. Dhe tani vër re, një qëllim ai ka plotësuar, madje rikthimin e shumë mijëra … në njohurinë e së vërtetës; dhe ai tregoi fuqinë e tij në to dhe ai gjithashtu do të tregojë gjithnjë fuqinë e tij në to për brezat e ardhshëm; prandaj [ky libër] do të ruhe[t]” (Alma 37:18–19).

Po ajo forcë bindëse gjendet sot në këtë vëllim të pashoq shkrimi të shenjtë dhe Zoti do t’ia tregojë atë kujtdo që kërkon me sinqeritet ta dijë. Unë mund ta them këtë me siguri kur shoh prapa në ato ditë kur isha duke mësuar rreth Kishës. Sot, në saje të forcës bindëse të Librit të Mormonit, unë dëshmoj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se ai jep mësim se Jezusi është Krishti, Mesia i Shenjtë. Libri është një provë e prekshme se Rivendosja e ungjillit të Tij ka zenë vend dhe se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë.

Nëse ju jeni midis atyre që kërkojnë sinqerisht të vërtetën, Zoti ka premtuar se ju do ta dini. Ju mund të arrini ta dini duke dëgjuar mësimdhëniet e librit, duke lexuar librin, duke bërë atë që libri jep mësim, duke u lutur për të ditur për vërtetësinë e tij ose me një lidhje të këtyre elementëve. Por ju do ta dini.