2011
Çdo Gjuhe dhe Populli
Tetor 2011


Çdo Gjuhe dhe Populli

Kur profeti Alma i Librit të Mormonit ia besoi analet e popullit të tij birit të tij, Helamanit, ai e udhëzoi birin e tij të kujtonte se Zoti pati “një qëllim të urtë” për t’i ruajtur shkrimet e shenjta (Alma 37:12). Ai tha për analet: “Ato duhet të mbahen dhe të kalojnë nga një brez në tjetrin, të mbahen dhe të ruhen nga dora e Zotit, derisa ato të shkojnë në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull” (Alma 37:4).

Në 1827-ën Jozef Smithi i siguroi ato anale dhe në 1829-ën i pati përfunduar së përkthyeri në anglisht me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Libri, i botuar në 1830-ën, qe një mjet i fuqishëm misionar për të bindur lexuesit për vërtetësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Me një botim fillestar prej 5.000 kopjesh, gjithsesi, dërgimi i Librit të Mormonit te “çdo komb, fis, gjuhë dhe popull” mund të jetë dukur shumë larg.

Përsëri, Zoti e ripohoi këtë profeci te Jozef Smithi në 1833-shin, duke parathënë një ditë kur “çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij” (DeB 90:11). Libri i Mormonit, që “përmban … plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit” (DeB 20:9), po luan një rol kyç në përmbushjen e kësaj profecie.

Në mesin e viteve 1800, misionarët e çuan ungjillin në Europë. Libri i Mormonit u botua në danisht në 1851-shin, pasuar nga botimet në frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe uellsisht në 1852-shin. Sot Libri i Mormonit i plotë është i disponueshëm në 82 gjuhë, me kapituj të zgjedhur në 25 gjuhë të tjera. Profecia se të gjithë popujt do të dëgjojnë ungjillin në vetë gjuhën e tyre po shpaloset vit pas viti ndërsa puna përkthyese dhe misionare përparojnë.

Puna e Përkthimit

Procesi i përkthimit të Librit të Mormonit nga anglishtja në një gjuhë të re ndonjëherë kërkon vite që të plotësohet. Procesi fillon vetëm pasi Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë miratuar projektin dhe ka mjaft anëtarë që janë folës vendas të gjuhës për të shërbyer si përkthyes. Përkthyesve dhe redaktorëve u jepen udhëzime të kujdesshme dhe porositen të qëndrojnë pranë Shpirtit gjatë përkthimit. Pasi përkthimi përfundon, teksti shkon nëpër një proces të veçantë rishikimi kishtar.

Pas botimit, anëtarët mund të porosisin botimin e ri nëpërmjet Shërbimeve të Shpërndarjes. Shumë nga këta anëtarë më parë kanë pasur vetëm kapituj të zgjedhur të Librit të Mormonit në gjuhën e tyre, ose në disa raste, vetëm dëshminë e misionarëve.

Libri i Mormonit dhe Puna Misionare

Kur një zonë gjeografike hapet për herë të parë ndaj punës misionare, pengesat gjuhësore mund të paraqesin një sfidë të rëndësishme. Pa materiale të shtypura të Kishës në gjuhën e asaj zone, misionarët duhet ta mësojnë gjuhën dhe të sjellin dëshmi me Shpirtin. Në disa pjesë të botës, shumë njerëz flasin një gjuhë të dytë dhe misionarët janë në gjendje t’u japin atyre një Libër të Mormonit në atë gjuhë. Përpara se Libri i Mormonit të qe përkthyer në mongolisht, për shembull, shumë anëtarë në Mongoli studiuan botimin rusisht.

Por ungjilli kuptohet më mirë në shpengimin dhe qartësinë e gjuhës së nënës. Erik Xhemel, që shërbeu në Misionin e Ljubljanës në Slloveni nga 2001-shi deri në 2003-shin, pa drejtpërdrejt çfarë ndryshimi përbën për anëtarët dhe kërkuesit që ta kenë Librin e Mormonit në gjuhën e tyre të parë. Ai shërbeu 18 muaj të misionit të tij përpara se Libri i Mormonit të qe i disponueshëm në sllovenisht.

Puna qe e vështirë. Dega e parë e Kishës qe krijuar vetëm një dekadë më parë. Sllovenia kishte fituar së fundi pavarësinë dhe qe në procesin e shfuqizimit me faza të ish gjuhës zyrtare serbo-kroate. Misionarët mbanin kopje të Librit të Mormonit në serbo-kroatisht dhe në anglisht, që shumë të rinj i patën studiuar në shkollë. Por më shpesh, njerëzit nuk e pranonin librin pasi nuk mund të kuptonin asnjërën nga gjuhët. Eriku kujton sa boshe dukej t’u jepje dëshmi njerëzve për madhështinë dhe rëndësinë e Librit të Mormonit – dhe pastaj t’i duhej t’u thoshte atyre se nuk kishte një kopje në gjuhën e tyre.

Gjashtë muaj përpara se Eriku të shkonte në shtëpi, arriti dërgesa e parë e kopjeve të Librit të Mormonit në sllovenisht. Dega bëri një mbledhje ku çdo anëtar dhe misionar mori një kopje. “Pati një shpirt të veçantë në mjedis”, kujton Eriku. Ai shënoi në ditarin e tij se çfarë ndjesie kishe të mbaje një libër të tillë të çmuar, të shumëpritur. “Ishte si të mbaje vetë pllakat e arta”, shkroi ai. Pas mbledhjes, misionarët morën librat që mbetën për t’i përdorur për punë misionare. Eriku dhe shoku i tij qenë aq të emocionuar saqë kur shkuan në apartamentin e tyre, ata hapën pakot, i nxorën librat dhe bënë fotografi për ta kujtuar ngjarjen. Ata mezi prisnin që t’ua ndanin librat njerëzve. Me Librin e Mormonit sllovenisht në dorë, jo vetëm që misionarët patën më shumë sukses duke iu afruar njerëzve, por ata patën gjithashtu një mënyrë për t’i rifrymëzuar dëshmitë e anëtarëve më pak aktivë që nuk patën ardhur në kishë për vite.

Në gjashtë muajt e fundit të misionit të tij, Eriku vërejti dëshmitë e anëtarëve sllovenë të bëheshin më të forta. “Sapo morën Librin e Mormonit në gjuhën e tyre”, thotë ai, “ata vërtet e kuptuan atë. Ai u fut thellë në zemrën e tyre.” Më përpara, folësve dhe mësuesve në mbledhje të Kishës u duhej të lexonin shkrime të shenjta në serbo-kroatisht dhe të vinin dikë që të përkthente dhe shpjegonte disa nga fjalët. “Dukej sikur ne po ecnim ngadalë nëpër fjalë të huajtura nga një gjuhë tjetër”, kujton Eriku. Kur anëtarët filluan të lexonin Librin e Mormonit në gjuhën e tyre, “kuptimi i tyre për ungjillin u rrit menjëherë”, thotë Eriku.

Në Vetë Gjuhën e Tyre

Mojca Zheleznikar është një nga ato anëtare që u bashkua me Kishën në Slloveni përpara se Libri i Mormonit në sllovenisht të qe i disponueshëm. Dëshmia e saj e ungjillit erdhi duke dëgjuar misionarët dhe duke studiuar Librin e Mormonit në kroatisht dhe anglisht. Pasi u përfundua përkthimi në sllovenisht, Mojca lexoi tekstin e përkthyer dhe ndjeu fuqinë e fjalëve në gjuhën e saj të nënës. “Unë ndjeva të vërtetën të shtrihej përpara meje në thjeshtësi të qartë dhe pastërti të thellë”, kujton ajo. “Ishte si zëri i Krijuesit tim duke më folur mua në vetë gjuhën time, gjuhën me të cilën nëna ime më fliste.”

Anëtarët nëpër botë përjetojnë ndjesi të ngjashme kur marrin Librin e Mormonit në gjuhën e tyre. Në 2003-shin, pasi Libri i Mormonit ishte përkthyer në kekçisht, një gjuhë që flitet nga populli maja i Guatemalës dhe i Belizes, përkthyesit e rishikuan përkthimin me grupe të anëtarëve vendas. Një përkthyes kujton: “Ne patëm grumbulluar një grup anëtarësh pionierë në kishën e Senahúsë për të bërë leximin dhe ndërsa përfundonim çdo pjesë, një qetësi nderuese vendosej në dhomë. Kuptimi ishte i plotë dhe Shpirti ishte fuqishëm i pranishëm. Ishte një përjetim i shenjtë.”

Një nga anëtarët në atë mbledhje, Elvira Tzi, është mirënjohëse për përkthimin në kekçisht të Librit të Mormonit për bekimet që do të sjellë te brezi që rritet. Ajo thotë se përkthimi do t’i lejojë anëtarët më të rinj që të “fitojnë një kuptim tërësor të fjalës së Zotit dhe të kenë respekt për atë që Zoti kërkon”.

Për anëtarët e Kishës, studimi i Librit të Mormonit në vetë gjuhën e tyre është një burim bekimesh të panumërta. Ndërsa anëtarët “mësojnë dhe japin mësim plot lutje nga shkrimet e shenjta”, ka thënë Presidenca e Parë, “dëshmitë e tyre do të rriten, njohja e tyre do të rritet, dashuria e familjes dhe e të tjerëve do të zgjerohet, aftësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve do të zmadhohet dhe ata do të marrin një forcë më të madhe për t’i rezistuar tundimit dhe për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë”1.

Bekime me Ndikim të Gjerë

Bekimet e bollshme që Libri i Mormonit sjell në jetën e atyre që e studiojnë atë, rezultojnë në një shtysë të fortë për ta ndarë librin te të tjerët, duke përmbushur më tej profecinë. Çdo vit, rreth një milion kopje të Librit të Mormonit shpërndahen në mbarë botën në më shumë se 100 gjuhë një nga një, anëtarë dhe misionarë ndajnë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin. “Qëllimi i urtë” për të cilin Alma foli në kohët e lashta është zbuluar tek arritja globale e Librit të Mormonit dhe te çdo jetë e ndryshuar.

Shënim

  1. Letër e Presidencës së Parë, 15 tetor 2008.

Botimi i parë i Librit të Mormonit pati një tirazh prej 5.000 kopjesh.

Ndërsa puna me përkthimin vazhdon, anëtarët nëpër botë, të tillë si Lea dhe Flora Lotriç në Slloveni, përjetojnë gëzimin e të paturit për herë të parë të një kopjeje të Librit të Mormonit në gjuhën e tyre.

Fotografi nga Eric Gemmell

Pasi një përkthim përfundon, anëtarëve të Kishës që flasin gjuhën, u kërkohet ta rishikojnë tekstin. Nga e Majta: Valter Barillas Soto, Majk Pek, Saleni Rabi Kukul Sierra, Xhon Bringharst dhe Xhozefina Kukul Tiul rishikojnë Librin e Mormonit në gjuhën kekçi në Koban të Guatemalës.

Majtas lart: Fotografi nga Busath Photography; poshtë: Fotografi nga Tod Harris