Libri i Mormonit më Foli Mua
Xhina Beird, Juta, SHBA
Kur fëmija ynë më e vogël, Amanda, ishte dy vjeçare, ajo u diagnostikua me leuçemi. Rasti i saj qe i vështirë dhe kanceri i saj nuk u zvogëlua pas kimioterapisë. Asaj iu desh pastaj të bënte një transplant të palcës kurrizore.
Ndërsa bashkëshorti im dhe dy djemtë qenë në shtëpi në Juta, unë qëndroja me Amandën në një shtet tjetër nga shtatori deri në gjysmën e parë të janarit. Ne nuk arritëm të festonim krishtlindjet së bashku, por me mbarimin e trajtimit, u kthyem në shtëpi.
Në vizitën tonë të parë në spital për një kontroll të përgjithshëm pas kthimit në shtëpi, mjekët përsëri gjetën leuçemi në qelizat e gjakut të Amandës. Transplanti pati dështuar. Duke dëgjuar këto, unë u ndjeva sikur po dërrmohesha. Familja jonë pati kaluar përmes shumë shqetësimesh, pune, ndarjeje dhe kohësh të vështira. Tani ne do ta humbisnim bijën tonë sidoqoftë.
Unë u ktheva në shtëpi atë pasdite te dy bijtë e mi. Ndërsa po prisnim për bashkëshortin tim të vinte në shtëpi nga puna, ne nxorëm kopjet tona të Librit të Mormonit dhe filluam të lexonim. Ne ishim te 2 Nefi 9. Ndërsa po lexonim, fjalët e mëposhtme më folën:
“Unë ju flas këto gjëra që ju të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë, për shkak të bekimeve që Zoti Perëndi do të vendosë mbi fëmijët tuaj.
Pasi unë e di që shumë prej jush kanë kërkuar shumë të dinë për gjërat që do të vijnë; prandaj, unë e di se ju e dini që mishi ynë duhet të vjetërohet dhe të vdesë; megjithatë, në trupat tanë ne do të shohim Perëndinë. …
Pasi, sikurse vdekja ka kaluar mbi të gjithë njerëzit, për të plotësuar planin e mëshirshëm të Krijuesit të madh, duhet patjetër të jetë një fuqi e ringjalljes. …
O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë, që përgatit një udhë për udhëdaljen tonë nga kapja e këtij përbindëshi të tmerrshëm; po, ai përbindësh, vdekja. …
Dhe ai vjen në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij; pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit.
Dhe ai e vuan këtë, që ringjallja të vijë mbi të gjithë njerëzit, që të gjithë të mund të qëndrojnë para tij, në ditën e madhe të gjykimit” (2 Nefi 9:3–4, 6, 10, 21–22).
Ndërsa lexoja këto vargje, Fryma e Shenjtë mbushi dhomën. Unë ndjeva se Ati im Qiellor e dinte lajmin që pata marrë atë ditë. Unë ndjeva se fjalët që profeti Jakob pati shkruar më shumë se 2.000 vite përpara, qenë shkruar për mua atë ditë dhe erdhën drejtpërdrejt nga Shpëtimtari. Ai e dinte dhimbjen dhe dëshpërimin që ndieja pasi dëgjova se bija jonë mund të vdiste. Dhe Ai qe atje për ta ngushëlluar familjen tonë me premtimin e Tij se Ai pati përgatitur një mënyrë që një ditë, nëpërmjet fuqisë së Ringjalljes, “në trupin tonë ne do të shohim Perëndinë”.
Amanda jetoi për gati një vit tjetër, por ne nuk e kemi harruar kurrë atë ditë kur fjalët e Librit të Mormonit më folën mua në atë nevojë dhe Zoti më dha shpresë, ngushëllim dhe kuptim për planin e Tij.