Si ta Studiojmë Librin e Mormonit
Njëzet e pesë vite më parë, Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha “tri arsye madhore pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet ta bëjnë studimin e Librit të Mormonit një angazhim për gjithë jetën”1. Arsyet ishin këto:
-
Së pari, Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë – gurthemeli i dëshmisë sonë për Jezu Krishtin, i doktrinës sonë dhe i dëshmisë sonë.
-
Së dyti, Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë.
-
Së treti, Libri i Mormonit na ndihmon të afrohemi më pranë Perëndisë.
Këto arsye për studimin e Librit të Mormonit sugjerojnë gjithashtu disa mënyra që mund të përdorim, për ta studiuar këtë shkrim të pashoq.
Gurthemeli i Besimit Tonë
Duke qënë se Libri i Mormonit është gurthemeli i dëshmisë sonë për Jezu Krishtin dhe plotësinë e ungjillit të Tij, është e rëndësishme që gjatë studimit tonë t’u kushtojmë vëmendje të veçantë mësimeve dhe dëshmive të shumta që përmban rreth Shpëtimtarit. Disa e kanë bërë këtë duke marrë një kopje të re, jo të kushtueshme të Librit të Mormonit dhe duke shënuar të gjitha vargjet që i adresohen ose na mësojnë rreth Shpëtimtarit, shërbesës së Tij dhe misionit të Tij. Kjo sjell edhe një dëshmi më të thellë për Jezu Krishtin, si Biri i Perëndisë edhe një mirënjohje të freskët për atë çka Ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë për ne.
Shkruar për Kohën Tonë
Autorët e Librit të Mormonit shkruan me brezat e ardhshëm në mendje, veçanërisht ditët e mëvonshme. Në përmbledhjen e analeve nefite, Mormoni tha se nuk mund të përfshinte “as një të qindtën pjesë” (shih 3 Nefi 5:8; shih edhe Fjalët e Mormonit 1:5). Moroni komentoi: “Unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:35). Këta dy autorë dhe të tjerë, duke vepruar nën frymëzim, shkruan se çfarë do të ishte me dobi më të madhe për ne në këto ditë të mëvonshme.
Prandaj, ne duhet të studiojmë me këto pyetje në mendje: “Përse u përfshi kjo? Si lidhet kjo me kohën dhe me mua?” Presidenti Benson vëzhgoi, për shembull, se në Librin e Mormonit ne gjejmë një model për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ne mësojmë se si jetojnë dishepujt e Krishtit në kohë lufte, si përballen me përndjekjen dhe braktisjen, si bëjnë punë misionare dhe si përgjigjen ndaj rreziqeve të materializmit.2 Njësoj siç bëri Nefi, kur ne studiojmë, ne duhet t’i “përshtasim” shkrimet për veten tonë – që do të thotë, të përpiqemi për të zbuluar se si t’i zbatojmë ato që gjejmë në Librin e Mormonit (shih 1 Nefi 19:23).
Afrimi më Pranë Perëndisë
Citim i Presidentit Benson përsëri: “Nuk është vetëm se Libri i Mormonit na mëson të vërtetën, megjithëse vërtet e bën këtë. Nuk është vetëm se Libri i Mormonit jep dëshmi për Krishtin, megjithëse vërtet e bën këtë, gjithashtu. Por ka diçka më tepër. Ekziston një fuqi brenda librit që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit.”3
Me të vërtetë, studimi i Librit të Mormonit fton Shpirtin dhe Shpirti është ndërmjetësi i zbulesës. Kjo sugjeron që ne duhet të studiojmë në një mënyrë plot mendim, medituese – duke menduar thellë, duke u lutur dhe ndoshta duke bërë shënime ndërsa lexojmë. Kjo na vendos ne në një gjendje për të marrë dritë dhe kuptueshmëri të mëtejshme, të dyja për atë që po studiojmë dhe për çështje të tjera. Ndonjëherë të vjen në ndihmë nëse e lexon të gjithë Librin e Mormonit në një periudhë relativisht të shkurtër kohe, për të kuptuar thelbin e historisë dhe mesazhit të tij. Por, përgjithësisht është më mirë që të përqendrohemi duke i kushtuar studimit të librit çdo ditë kohën e përshtatshme dhe jo leximit të një numri të caktuar vargjesh apo faqesh në ditë.
Ndihma për Studimin
Ne jemi me fat që kemi sot një numër mjetesh që mund të na ndihmojnë të studiojmë Librin e Mormonit. Disa janë të lidhura me shkrimet tona të shenjta – Udhëzuesin Tematik, Fjalorin e Biblës dhe indeksin te shkrimet në anglisht, si dhe Udhëzuesin e Shkrimeve të Shenjta në gjuhët e tjera. Dhe ne kemi në botimet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të shkrimeve të shenjta shënime të shumta në fund të faqes dhe referenca kryq në çdo faqe.
Ndihma të tjera studimi në formë të shtypur përfshijnë Udhëzuesin për Anëtarin e Klasës të Shkollës të së Dielës, Udhëzuesin e Studimit për Studentin e Seminarit dhe Manualin e Studentit të Institutit. E re për kohën dhe moshën tonë është volumi në rritje i mjeteve elektronike, të përshkruara në shiritin anësor në faqen 31.
Mjet Kthimi në Besim
Libri i Mormonit është një thesar i pakrahasueshëm dhe mjet kthimi në besim, që Zoti e ka projektuar dhe siguruar për periudhën tonë ungjillore. Unë e pranoj atë si themelin e dëshmisë sime për Jezu Krishtin, të thirrjes profetike të Jozef Smithit dhe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si “mbretëria e Zotit e themeluar edhe një herë në tokë”4. Unë jam i lumtur ta bashkoj dëshminë time me të Krishtit se “ashtu si Zoti juaj dhe Perëndia juaj jeton, kjo është e vërtetë” (DeB 17:6). E thelloftë studimi juaj i përhershëm i Librit të Mormonit kthimin tuaj në besim dhe ju drejtoftë në kursin e drejtpërdrejtë të jetës së përjetshme.