2011
Libri i Mormonit: Një Dëshmitar me Biblën
Tetor 2011


Libri i Mormonit

Një Dëshmitar me Biblën

Në përputhje me ligjin biblik që “çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1), edhe Libri i Mormonit edhe Bibla dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe na mësojnë parimet e ungjillit të Tij. Plaku Rasëll M. Nelson i Kuorumit Të Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi se “dëshmitarët shkrimorë vërtetojnë njëri-tjetrin. Ky koncept u shpjegua kohë më parë kur një profet shkroi se Libri i Mormonit qe ‘shkruar me qëllim që ju të mund të besoni [Biblën]; dhe në qoftë se besoni [Biblën] ju do të besoni [Librin e Mormonit] gjithashtu’ [Mormoni 7:9]. Çdo libër bën fjalë për tjetrin. Çdo libër qëndron si fakt që Perëndia jeton dhe që u flet fëmijëve të Tij nëpërmjet zbulesës ndaj profetëve të Tij.”1

Më poshtë gjendet një listë e doktrinave themelore që mësohen në Bibël, për të cilat Libri i Mormonit shton një dëshmi tjetër.

Misioni i Jezu Krishtit

Bibla dhe Libri i Mormonit dëshmojnë për Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, dhe Shlyerjen e Tij. Ato na mësojnë se Shpëtimtari mori mbi vete mëkatet tona dhe e mposhti vdekjen.

Biri i Vetëmlindur i Perëndisë

Bibla: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16); shih edhe Mateu 16:16; Gjoni 6:69).

Libri i Mormonit: “E di që Jezu Krishti do të vijë, po, Biri, i Vetëmlinduri i Atit, plot hir dhe mëshirë dhe vërtetësi” (Alma 5:48; shih edhe 1 Nefi 11:16–21; Mosia 3:5–8).

Shleu për Mëkatet Tona

Bibla: “Sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve” (Mateu 26:28; shih edhe Hebrenjve 9:28; 1 Pjetrit 3:18).

Libri i Mormonit: “Vër re, ai ofron veten si sakrificë për mëkatin, për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit, për të gjithë ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (2 Nefi 2:7; shih edhe 1 Nefi 11:33; Alma 34:8–10; 3 Nefi 11:14).

Mori Përsipër Dhembjet Tona

Bibla: “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona” (Isaia 53:4; shih edhe Hebrenjve 2:18).

Libri i Mormonit: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” (Alma 7:11–12; shih edhe Mosia 14:3–5).

Mposhti Vdekjen

Bibla: “Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20; shih edheGjoni 14:19; Veprat e Apostujve 26:23).

Libri i Mormonit: “Besoni në Jezu Krishtin, se ai është Biri i Perëndisë dhe se ai u vra nga Judenjtë; dhe se nga fuqia e Atit ai u ngrit përsëri me anë të së cilës ai mori fitoren mbi varrin” (Mormoni 7:5; shih edhe Mosia 16:7–8; Helamani 14:17).

Plani i Perëndisë për Ne

Bibla dhe Libri i Mormonit na mësojnë se Perëndia është Ati ynë Qiellor. Si i tillë, Ai ka përgatitur një “plan shpëtimi” (Alma 24:14) me anë të të cilit ne mund të shpëtohemi përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Atë i Dashur në Qiell

Bibla: “Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij’” (Veprat e Apostujve 17:28; shih edhe Psalmet 82:6; Hebrenjve 12:9).

Libri i Mormonit: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij” (1 Nefi 11:17; shih edhe 1 Nefi 17:36).

Vdekja dhe Bota e Shpirtrave

Bibla: “Dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë: dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë” ( Predikuesit 12:7; shih edhe 1 Pjetrit 3:19–20; 4:6).

Libri i Mormonit: “Shpirtrat e të gjithë njerëzve, qofshin ata të mirë ose të ligj, çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë” (Alma 40:11; shih edhe vargjet 12–14).

Ringjallja

Bibla: “Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë” (Jobi 19:26; shih edhe Ezekieli 37:12; 1 Korintasve 6:14; 15:54).

Libri i Mormonit: “Unë e di se ju e dini që mishi ynë duhet të vjetërohet dhe të vdesë; megjithatë, në trupat tanë ne do të shohim Perëndinë” (2 Nefi 9:4; shih edhe 2 Nefi 9:12; Alma 11:43–45; 40:23).

Urdhërimet Sigurojnë një Udhërrëfyes

Bibla na mëson se Perëndia ka dhënë urdhërime dhe do të na bekojë kur ne bindemi. Profetët e Librit të Mormonit gjithashtu i shënuan dhe i zbatuan urdhërimet.

Bekimet nga Bindja

Bibla: “Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë. … Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet” (Ligji i Përtërirë 6:24–25; shih edhe Fjalët e Urta 4:4; Gjoni 14:21).

Libri i Mormonit: “Dhe ai ju ka premtuar juve se, nëse ju do të zbatoni urdhërimet e tij, ju do të përparoni në tokë; dhe ai kurrë nuk ndryshon nga ajo që ka thënë; prandaj, në qoftë se ju zbatoni urdhërimet e tij, ai ju bekon dhe ju begaton” (Mosia 2:22; shih edhe 2 Nefi 1:20).

Dhjetë Urdhërimet

Bibla: Zoti ia zbuloi Dhjetë Urdhërimet Moisiut (shih Eksodi 20:1–17).

Libri i Mormonit: Abinadi ua mësoi Dhjetë Urdhërimet priftërinjve të Mbretit Noe (shih Mosia 12:33–36; 13:12–24).

E Dhjeta

Bibla: Ai tha: “Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time” (Malakia 3:10; shih edhe Levitiku 27:30).

Libri i Mormonit: “Dhe qe po ky Melkizedek të cilit Abrahami i pagoi të dhjetat, po, madje edhe ati ynë Abrahami pagoi të dhjetat e një të dhjetës së çdo gjëje që zotëronte” (Alma 13:15; shih edhe 3 Nefi 24:8–10).

Pagëzimi dhe Fryma e Shenjtë

Bibla: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5; shih edhe Marku 16:16; Veprat e Apostujve 2:36–38).

Libri i Mormonit: “Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20; shih edhe 2 Nefi 9:23; 31:5–9).

Kisha e Jezu Krishtit në Kohët e Lashta

Zoti krijoi Kishën e Tij në Jeruzalem dhe në kontinentin amerikan. Bibla dhe Libri i Mormonit janë dëshmitarë se Ai e organizon dhe e udhëheq popullin e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve.

Profetët

Bibla: “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7); shih edhe Jeremia 1:7; 7:25).

Libri i Mormonit: “Pasi nëpërmjet Shpirtit u bëhen të ditura profetëve të gjitha gjërat” (1 Nefi 22:2; shih edhe Jakobi 4:4–6).

Të Dymbëdhjetët

Bibla: “Ai thirri pranë vetes dishepujt e vet: dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj” (Lluka 6:13; shih edhe Efesianëve 2:19–20; 4:11–14).

Libri i Mormonit: “Të bekuar jeni ju, në qoftë se u vini veshin fjalëve të këtyre dymbëdhjetëve që unë kam zgjedhur mes jush t’ju shërbejnë” (3 Nefi 12:1; shih edhe 1 Nefi 11:29).

Autoriteti i Priftërisë

Bibla: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm” (Gjoni 15:16; shih edhe Mateu 16:19; Lluka 9:1–2; Hebrenjve 5:4).

Libri i Mormonit: “[Alma] shuguroi priftërinj dhe pleq, nëpërmjet vënies së duarve të tij, sipas urdhërit të Perëndisë, që të drejtonte dhe të ruante kishën” (Alma 6:1; shih edhe 2 Nefi 6:2; Moroni 3).

Studimi Shtesë:

Kjo tabelë nuk është një listë që i përmban të gjitha. Si pjesë e studimit tuaj vetjak ose studimit familjar të shkrimeve të shenjta, ju mund t’i shtoni referenca kësaj tabele dhe të kërkoni më shumë parime që na mësohen edhe në Librin e Mormonit edhe në Bibël duke përdorur Udhëzuesin Tematik ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe mjetet e studimit në internet tek adresa scriptures.lds.org.

Shënim

  1. Russell M. Nelson, “Scriptural Witnesses”, Liahona, nëntor 2007, f. 43.

Portreti i Harold B. Li-së nga Doyle Shaw, mirësi e Muzeut Historik të Kishës.