2011
Profeti Jozef Smith: Përkthyesi i Librit të Mormonit
Tetor 2011


Profeti Jozef Smith

Përkthyesi i Librit të Mormonit

Libri i Mormonit është një libër unik i shkrimit të shenjtë. Edhe pse atë e shkruan profetë të lashtë, ai nuk erdhi tek ne ashtu si Bibla. Bibla u shënua kryesisht në rrotulla në Botën e Vjetër, si libra të veçantë dhe u kopjua nga shkruesit për shekuj. Vetëm në shekullin e katërt pas Jezu Krishtit, këta libra të veçantë u bashkuan dhe na u bënë të disponueshëm në një vëllim të cilit i referohemi si Bibla e Shenjtë.

Libri i Mormonit, përkundrazi, u shënua nga profetë të lashtë në Botën e Re mbi fletë metalike, që u përmblodhën kryesisht nga një profet – Mormoni (prej nga vjen titulli) – në shekullin e pestë pas Krishtit në një anal mbi fletë të arta. Biri i tij, Moroni, më vonë i groposi fletët, ku ato mbetën deri në vitin 1827, kur Moroni, si një qenie e ringjallur, ia dorëzoi ato një të riu të quajtur Jozef Smith.

Ajo çka vijon, është historia se si Jozefi e mori, e përktheu dhe e botoi analin që titullohet tani Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Vetë Shpëtimtari dëshmoi se libri është i vërtetë (shih DeB 17:6).

  1. Në vitin 1820 një djalosh 14-vjeçar i quajtur Jozef Smith jetonte pranë Palmirës në Nju-Jork. Edhe pse i ri, ai ishte i shqetësuar për pozicionin e tij para Perëndisë dhe i hutuar nga pretendimet e sekteve të ndryshme të krishtera, që kërkonin të kthyer në besim duke hedhur poshtë pretendimet e të tjerëve. I shtyrë nga studimi i tij i Biblës, Jozefi vendosi të kërkonte urtësi duke pyetur Perëndinë, që “u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar” (Jakobit [Bibël] 1:5). Ai shkoi në pyjet pranë shtëpisë së tij që të lutej.

  2. Kur Jozefi u gjunjëzua dhe u lut, një shtyllë e shkëlqyeshme drite ra mbi të. Në të ai pa dy Personazhe. Ati Qiellor foli dhe tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”(Joseph Smith – Historia 1:17). Zoti i tha Jozefit të mos bashkohej me asnjë prej kishave, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte e vërtetë, por ai premtoi “se plotësia e Ungjillit në një kohë të ardhme do t’i bëhej e njohur [atij]”1.

  3. Kaluan tre vite, gjatë të cilëve Jozef Smithi ua tregoi përvojën e tij të tjerëve – dhe e përndoqën për këtë. Ai tregoi: “Edhe pse urrehesha dhe përndiqesha, sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë; dhe … u nxita të them në zemrën time: Përse më përndiqni ngaqë them të vërtetën? Unë me të vërtetë e kam parë një vegim; dhe kush jam unë që mund t’i bëj ballë Perëndisë, ose përse bota mendon të më bëjë ta mohoj atë që kam parë me të vërtetë? Sepse unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” (Joseph Smith – Historia 1:25).

  4. Më 21 shtator 1823, Jozefi po lutej kur një dritë mbushi dhomën e tij të gjumit në papafingo dhe u shfaq një engjëll i quajtur Moroni. Moroni i tregoi Jozefit për shkrimet nga disa profetë të lashtë. Anali, i gdhendur mbi fletë të arta, u gropos në një kodër aty pranë. Jozefi u njoftua se ai duhej ta përkthente analin.

  5. Së fundi, më 22 shtator 1827, Jozefit iu besuan fletët, që i mori nga një kuti e gurtë e groposur nën një gur të madh në një kodër pranë Palmirës në Nju-Jork.

  6. Siç qe e zakonshme në zonat rurale në ato kohë, Jozef Smithi qe praktikisht i paarsimuar. Për ta ndihmuar atë për përkthimin, Perëndia i siguroi atij një mjet të lashtë përkthimi të quajtur Urim dhe Thumim. Ai gjithashtu u bekua me ndihmën e shkruesve që shkruan ato që ai u diktonte ndërsa përkthente. Mes këtyre shkruesve qenë bashkëshortja e tij, Ema; Martin Herrisi, një fermer i begatë; dhe Oliver Kaudri, një mësues shkolle. Pjesa kryesore e punës së përkthimit u përfundua në më pak se tre muaj pasi Oliveri filloi të shërbejë si shkrues.

    Ema e përshkroi se si ishte të shërbeje si shkruesja e Jozefit: “Asnjë njeri nuk do të mund të kishte diktuar shkrimin e dorëshkrimeve nëse nuk do të ishte i frymëzuar; sepse, kur [unë] po veproja si shkruesja e tij, [Jozefi] do të më diktonte mua për orë me radhë; dhe kur ktheheshim pas vakteve të ushqimit, ose pas ndërprerjeve, ai menjëherë do të fillonte atje ku e kishte lënë, madje pa e parë fare dorëshkrimin ose pa ia lexuar asnjë pjesë të tij”2.

    Jozefi shpjegoi domethënien e daljes në dritë të Librit të Mormonit: “Me anë të fuqisë së Perëndisë unë përktheva Librin e Mormonit nga hieroglife, njohja e të cilave kishte humbur në botë dhe në këtë ngjarje të mrekullueshme unë veprova i vetëm, një i ri i pamësuar, që të luftoja urtësinë e botës dhe paditurinë e grumbulluar prej tetëmbëdhjetë shekujsh, me një zbulesë të re”3.

  7. Gjatë 18 muajve që kishte fletët, Jozefi nuk qe i vetmi që i pa apo i mbajti në duar ato. Tre burra – Oliver Kaudri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Herrisi – dëshmuan zyrtarisht se engjëlli Moroni u tregoi atyre fletët e arta dhe se ata e dinin se fletët “u përkthyen nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, pasi zëri i tij na e deklaroi këtë”. Tetë burra të tjerë gjithashtu dëshmuan se ata i kishin parë dhe mbajtur në duar fletët e arta.4

  8. Nga gushti 1829, Jozefi kishte lidhur kontratë me botuesin Egbert B. Grandin nga Palmira e Nju-Jorkut për të shtypur vëllimin. Martin Herrisi la peng fermën e tij për të paguar për shtypjen e librit dhe më 26 mars 1830, Libri i Mormonit qe i disponueshëm për blerje.

  9. Më 6 prill 1830, rreth 60 vetë u mblodhën në një shtëpi prej trarësh druri në Fajetë të Nju-Jorkut. Atje, siç u drejtua nga Zoti Jezu Krisht, Jozef Smithi organizoi zyrtarisht Kishën e Shpëtimtarit, të rivendosur siç qe organizuar fillimisht dhe të udhëhequr nga apostuj e profetë, të autorizuar për të folur për Perëndinë. Zbulesa e mëvonshme drejtuar Jozef Smithit i dha Kishës emrin e saj: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shih DeB 115:4).

Shënime

  1. Joseph Smith, në History of the Church, 4:536.

  2. Intervistë me Emma Smith-in nga Joseph Smith III, shkurt 1879, në Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 63.

  4. Shih “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” dhe “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, në hyrje të Librit të Mormonit.

Nga e majta: Vëllai Jozef, nga David Lindsley © 1998; Jozef Smithi Kërkon Urtësi nga Bibla, nga Dale Kilbourn © 1975 IRI; Vegimi i Parë i Jozef Smithit, nga Greg Olsen, nuk lejohet kopjimi; fotografi e një skene nga Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes, nga Matthew Reier © IRI

Nga e majta: Engjëlli Moroni i Shfaqet Jozef Smithit, nga Tom Lovell © 2003 IRI; fotografi e një skene nga Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes, nga Matthew Reier © IRI; fotografi e një skene nga Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes, nga John Luke © IRI; Me Anë të Dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë, nga Simon Dewey; detaj pikture nga William Maughan © 1998; fotografi nga Craig Dimond © IRI; fotografi e një skene nga Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes, nga Matthew Reier © IRI