2013
Luajeni Mirë Rolin Tuaj
Tetor 2013


Luajeni Mirë Rolin Tuaj

Nga një takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, i bërë tek Unverisiteti “Brigam Jang” në Ajdaho më 4 mars 2012. Për tekstin e plotë në anglisht, vizitoni lds.org/broadcasts/archive/ces-devotionals/2012/01?lang=eng.

Plaku Kuentin L. Kuk

Jini të drejtë. Krijoni një familje. Gjeni një mënyrë të përshtatshme për të siguruar të ardhura. Shërbeni sipas thirrjeve. Përgatituni që të takoni Perëndinë.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970) shpesh tregoi një ngjarje që ndodhi ndërsa ai ishte misionar duke shërbyer në Skoci. Atë po e merrte malli për shtëpinë pas një kohe shumë të shkurtër që kishte qenë në mision dhe kaloi disa orë duke shëtitur në afërsi të kështjellës Stirling. Kur ai dhe shoku i tij u kthyen nga vizita në kështjellë, ata kaluan pranë një ndërtese ku guri mbi derë kishte një mbishkrim të gdhendur të një citimi, zakonisht i njohur si i thënë prej Shekspirit, ku lexohej: “Pavarësisht se Kush Je, Luaje Mirë Rolin Tënd”.

Duke e kujtuar këtë përvojë, Presidenti Mek-Kei shpjegoi: “I thashë vetes, ose Shpirtit, brenda meje: ‘Ti je anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Më shumë se kaq, ti je këtu si përfaqësues i Zotit Jezu Krisht. Ti e pranove përgjegjësinë si një përfaqësues i Kishës.’ Pastaj mendova [rreth] asaj që ne kishim bërë atë paradite. Ne kishim qenë duke shëtitur; ne kishim marrë udhëzim dhe informacion historik, kjo është e vërtetë, dhe unë isha i ngazëllyer për këtë. … Megjithatë, kjo nuk ishte punë misionare. … E pranova mesazhin që m’u dha nga ai gur dhe që nga ai çast ne u përpoqëm të bënim pjesën tonë si misionarë në Skoci.”1

Ky mesazh ishte shumë i rëndësishëm dhe pati një ndikim të tillë mbi të sa Presidenti Mek-Kei e përdori atë si frymëzim gjatë gjithë jetës së tij. Ai vendosi se çfarëdolloj përgjegjësie të kishte, ai do të bënte më të mirën e tij.

Shmangni të Vepruarit Duke Dalë Jashtë Karakterit

Duke marrë parasysh potencialin e pamasë për të mirë që zotëroni ju të brezit më të ri të Kishës, cilat janë shqetësimet e mia për të ardhmen tuaj? Çfarë këshillash mund t’ju jap? Së pari, ju do të ndesheni me shtypje të madhe që të veproni duke dalë jashtë karakterit – madje që të vini një maskë – dhe të bëheni dikush që nuk e pasqyron me të vërtetë atë që jeni apo atë që dëshironi të bëheni.

Në historinë e hershme të Kishës, Profeti Jozef, Ema dhe binjakët e tyre 11-muajsh, Jozefi dhe Xhulia, ishin në Hajrëm të Ohajos, në shtëpinë e Xhon dhe Elis Xhonsonit. Të dy fëmijët po vuanin nga fruthi. Jozefi dhe biri i tij i vogël po flinin në një shtrat rezervë pranë derës kryesore.

Gjatë natës një grup burrash me fytyra të lyera me të zezë e shpërthyen derën dhe e tërhoqën zvarrë Profetin deri jashtë, ku e rrahën dhe u hodhën përsipër zift atij dhe Sidni Rigdonit.

Pjesa më tragjike e këtij sulmi nga turma ishte se Jozefi i vogël u gjend në ajrin e natës dhe mori një të ftohtë të rëndë, kur të atin e tij e tërhoqën zvarrë jashtë. Për pasojë, ai vdiq pak ditë më vonë.2

Ata që morën pjesë në Martirizimin e Profetit dhe të vëllait të tij, Hajrëmit, gjithashtu i lyen fytyrat e tyre për ta fshehur identitetin e tyre të vërtetë.3

Në kohën tonë, kur të jesh anonim është më e lehtë se kurrë, ka parime të rëndësishme që përfshihen në mosmbajtjen e një maske dhe në të qenit “të vërtetë ndaj besimit … për të cilin kanë vdekur martirët”4.

Një nga mbrojtjet tuaja më të mira kundër të bërit të zgjedhjeve të gabuara, është të mos vini asnjë maskë anonimiteti. Nëse ndonjëherë e gjeni veten duke dëshiruar të bëni kështu, lutem ta dini se është një shenjë serioze rreziku dhe një nga mjetet e kundërshtarit që t’ju shtyjë të bëni diçka që nuk duhet ta bëni.

Është e zakonshme sot që dikush ta fshehë identitetin kur shkruan shkrime plot urrejtje, sarkastike, fanatike në mënyrë anonime në internet. Disa e quajnë këtë zjarrvënie.

Apostulli Pal tha:

“Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.

Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni; sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë” (1 Korintasve 15:33–34).

Është e qartë se komunikimet e liga nuk janë thjesht çështje të sjelljeve të këqija. Nëse praktikohen nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme, mund të ndikojnë për keq ata që nuk kanë njohuri për Perëndinë apo një dëshmi për Shpëtimtarin.

Çdo përdorim i internetit për të përqeshur, për të shkatërruar emrin e mirë të dikujt apo për ta bërë dikë të duket keq, është i dënueshëm. Ajo që po shohim në shoqëri është se, kur njerëzit mbajnë maskën e anonimisë, ka më shumë mundësi që ata të përfshihen në këtë lloj sjelljeje, që është kaq shkatërruese ndaj diskutimit civil. Ajo gjithashtu shkel parimet bazë që na mësoi Shpëtimtari.

Shpëtimtari shpjegoi se Ai nuk kishte ardhur për ta dënuar botën, por për ta shpëtuar botën. Ai më pas përshkroi se çfarë domethënie ka gjykimi:

“Tani gjykimi është ky se drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij.

Por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni 3:19–21; shih edhe vargjet 17–18).

Të drejtët nuk kanë nevojë që të mbajnë maska për të fshehur identitetin e tyre.

Veproni në Përputhje me Bindjet Tuaja të Vërteta

Ju veproni në përputhje me bindjet tuaja të vërteta duke e kaluar kohën tuaj me ato gjëra që do ta ndërtojnë e zhvillojnë karakterin tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Krishti. Unë shpresoj që asnjëri prej jush të mos e shohë jetën kryesisht si zbavitje dhe lojëra, por në vend të kësaj, si një kohë “që të përgatiten[i] të takohen[i] me Perëndinë” (Alma 34:32).

Një shembull i mrekullueshëm i bërjes së pjesës suaj dhe përdorimit të kohës siç duhet, vjen nga jeta e Plakut L. Tom Peri, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kur, si pjesëtar i marinsve, ai ishte pjesë e trupave pushtuese të Shteteve të Bashkuara në Japoni në mbarimin e Luftës II Botërore. Plaku Peri e tregoi këtë ngjarje kur ai shënoi dëshminë e tij të veçantë për Shpëtimtarin.

“Unë isha mes grupit të parë të marinsave që zbarkuan në Japoni pas nënshkrimit të traktatit të paqes pas Luftës II Botërore. Kur hymë në qytetin e shkretuar të Nagasakit, pata një nga përvojat më të trishtuara të jetës sime. Një pjesë e madhe e qytetit ishte shkatërruar tërësisht. Disa nga të vdekurit nuk ishin varrosur ende. Si trupa pushtuese, ne ngritëm selitë tona dhe iu futëm punës.

Gjendja qe shumë e vrerët dhe disa prej nesh dëshironin të jepnin më shumë. Ne shkuam tek kapelani i divizionit tonë dhe kërkuam leje që të ndihmonim për të rindërtuar kishat e krishtera. Për shkak të kufizimeve qeveritare gjatë luftës, këto kisha thuajse kishin pushuar së funksionuari. Ndërtesat e tyre të pakta qenë dëmtuar keqas. Një grup prej nesh dolëm vullnetarë që t’i riparonim dhe suvatonim këto godina kishtare gjatë kohës sonë të lirë, kështu që ato të ishin të disponueshme për të kryer sërish shërbime të krishtera.

… Ne gjetëm shërbestarët që nuk kishin qenë në gjendje të shërbenin gjatë viteve të luftës, dhe i nxitëm ata që të ktheheshin tek foltoret e tyre. Ne patëm një përvojë të jashtëzakonshme me këta njerëz, ndërsa ata përjetuan sërish lirinë për t’i praktikuar besimet e tyre të krishtera.

Një ngjarje ndodhi kur po largoheshim nga Nagasaki për t’u kthyer në shtëpi, që unë vërtet do ta kujtoj gjithmonë. Ndërsa po hipnim në trenin që do të na çonte tek anijet për t’u kthyer në shtëpi, ne na tallën shumë prej marinsave të tjerë. Ata kishin të dashurat e tyre me vete dhe [po] u jepnin atyre lamtumirën. Ata u tallën me ne dhe na treguan se e kishim humbur zbavitjen e qëndrimit në Japoni. Ne thjesht e kishim çuar dëm kohën tonë duke punuar dhe duke suvatuar mure.

Pikërisht kur ata qenë në kulmin e talljeve të tyre, mbi një kodërz të vogël pranë stacionit të trenit erdhën rreth 200 prej këtyre japonezëve të shkëlqyer të krishterë nga kishat që ne kishim riparuar, duke kënduar ‘Përpara, Ushtarë të Krishterë’. Ata zbritën dhe na mbuluan me dhurata. Pastaj ata të gjithë u rreshtuan përgjatë shinave. Dhe ndërkohë që treni u nis nëpër shina, ne u zgjatëm dhe thjesht u prekëm gishtat ndërsa largoheshim. Nuk mund të flisnim; emocionet tona qenë tepër të fuqishme. Por ne ishim mirënjohës që mund të ndihmonim në ndonjë mënyrë të vogël për të rivendosur krishtërimin në një komb pas luftës.”5

Ju lutem të meditoni dhe të merrni vendime të ndërgjegjshme kur zgjidhni se si ta përdorni kohën tuaj. Siç mund ta shihni nga shembulli i Plakut Peri, unë nuk po flas për ta mbajtur fenë tuaj si flamur që ta shohin të tjerët apo të jeni besnikë në mënyrë sipërfaqësore. Ajo mund të jetë turpëruese për ju dhe për Kishën. Unë po flas që ju të bëheni njeriu që duhet të jeni.

Vendosni Synime të Përshtatshme

Këshilla ime e tretë lidhet me disa nga synimet që duhet të merrni parasysh. Pothuajse në të njëjtën kohë që Plaku Peri ishte në Japoni me marinsat, Presidenti Bojd K. Paker, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shërbeu në Japoni me forcat ajrore në mbarimin e Luftës II Botërore.

Në vitin 2004, unë shoqërova Presidentin Paker dhe të tjerët në Japoni. Ai pati një mundësi për të ripërshkuar disa nga hapat e tij dhe për të menduar rreth disa përvojave e vendimeve që mori në atë kohë. Me lejen e tij, unë po ju tregoj disa nga mendimet dhe ndjenjat e tij.

Presidenti Paker përshkroi përvoja që ndodhën në një ishull pranë bregut të Okinauas. Ai e konsideron këtë si malin e tij në vendin e shkretë. Përgatitja e tij vetjake dhe takimi me anëtarë të tjerë e kishte thelluar besimin e tij në mësimet e ungjillit. Ajo që ende i mungonte, ishte vërtetimi – dija e sigurt e asaj që ai kishte arritur tashmë të dinte se qe e vërtetë.

Shkruesi i biografisë së Presidentit Paker e përshkruan se ç’ndodhi: “Në kundërshtim me paqen e vërtetimit që ai kërkoi, ai u gjend ballë për ballë me ferrin e luftës kundrejt të pafajshmëve. Duke kërkuar vetmi dhe kohë për të menduar, një ditë, ai u ngjit te një kodër mbi oqean. Atje ai gjeti mbetjet e shkatërruara të një shtëpize fshati, fushën e braktisur me patate të ëmbla aty pranë. Dhe të shtrirë mes bimëve të thara, ai pa kufomat e një nëne të masakruar dhe të dy fëmijëve të saj. Pamja e mbushi me një trishtim të thellë, të përzier me ndjenjat e dashurisë për familjen e tij dhe për të gjitha familjet.6

Më pas ai u fut brenda një bunkeri të rastit ku mendoi, meditoi dhe u lut. Presidenti Paker, duke e kthyer mendjen te kjo ngjarje, përshkroi atë që unë do ta quaja një përvojë shpirtërore vërtetuese. Ai u ndje i frymëzuar në lidhje me atë që duhej të bënte me jetën e tij. Ai, sigurisht, nuk e kishte idenë se do të thirrej në thirrjen e lartë dhe të shenjtë që mban tani. Vegimi i tij ishte se ai dëshironte të bëhej mësues, për të theksuar mësimet e Shpëtimtarit. Ai mori vendim se do të jetonte një jetë të drejtë.

Ai e kuptoi në mënyrë mjaft të thellë se do t’i duhej të gjente një bashkëshorte të drejtë dhe se së bashku do të rrisnin një familje të madhe. Ky ushtar i ri e kuptoi se zgjedhja e tij për karrierë do t’i sillte përfitim të paktë dhe se shoqes së tij të ëmbël do t’i duhej të ndante të njëjtat përparësi dhe të ishte e gatshme të jetonte pa disa gjëra materiale. Motra Dona Paker ishte, dhe është, për Presidentin Paker, shoqja e përsosur. Ata nuk patën kurrë mjaft para të tepërta, por nuk u ndien të privuar në ndonjë mënyrë. Ata rritën 10 fëmijë dhe bënë sakrifica. Tani kanë 60 nipër e mbesa dhe më shumë se 80 stërnipër e stërmbesa.

Po jua tregoj këtë histori të vërtetë, sepse tepër shpesh synimet tona bazohen tek ajo që e vlerëson bota. Përbërësit thelbësorë janë mjaft të thjeshtë për anëtarët që i kanë marrë ordinancat shpëtuese. Jini të drejtë. Ngrini një familje. Gjeni një mënyrë të përshtatshme për të siguruar të ardhura. Shërbeni sipas thirrjeve. Përgatituni që të takoni Perëndinë.

Shpëtimtari na mësoi se “jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron” (Lluka 12:15).

Ndërtojeni Atdheun dhe Komunitetin Tuaj

Përveç cilësive, tipareve dhe vendimeve vetjake, nëse do të jeni brezi që keni nevojë të jeni, ju do të ndërtoni atdheun tuaj dhe komunitetin ku jetoni. Brezit tuaj do t’i duhet të mbrojë drejtësinë dhe lirinë fetare. Trashëgimia judeo-kristiane që ne kemi trashëguar, nuk është thjesht e çmuar, por edhe thelbësore për planin e Atit tonë në Qiell. Ne duhet ta ruajmë atë për brezat e ardhshëm. Ne duhet të bashkohemi me njerëz të mirë, përfshirë njerëzit e të gjitha besimeve – veçanërisht ata që ndihen përgjegjës përpara Perëndisë për sjelljen e tyre. Këta janë njerëz që do ta kuptonin këshillën se “pavarësisht se kush je, luaje mire rolin tënd”. Rritja e suksesshme e vlerave judeo-kristiane dhe e lirisë fetare do ta shenjojë brezin tuaj si brezin e madhërishëm që duhet të jetë.

Me sfidat që ekzistojnë në botë sot, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve merakosen veçanërisht që ju të merrni pjesë siç duhet në procesin politik në vendin ku jetoni. Kisha është neutrale në garat politike dhe nuk mbështet kandidatë ose parti. Sidoqoftë, ne vërtet presim që anëtarët tanë të angazhohen plotësisht në mbështetjen e kandidatëve dhe të partive sipas zgjedhjes së tyre, bazuar mbi parime që do të mbrojnë qeverisjen e mirë. Doktrina jonë është e qartë: ata që janë të mirë, “të ndershëm … dhe të urtë … duhet të kërkohen me zell” (DeB 98:10).

Ne kemi mirëbesim të madh te ju. Udhëheqja e Kishës beson sinqerisht se ju mund ta ndërtoni mbretërinë si asnjë brez i mëparshëm. Ju nuk keni vetëm dashurinë dhe mirëbesimin tonë, por edhe lutjet dhe bekimet tona. Ne e dimë se suksesi i brezit tuaj është thelbësor për themelimin në vazhdimësi të Kishës dhe në rritjen e mbretërisë. Ne lutemi që ju do ta luani mirë rolin tuaj, ndërsa e shmangni mbajtjen e një maske, veproni në përputhje me identitetin tuaj të vërtetë, vendosni synime të përshtatshme dhe ndërtoni atdheun dhe komunitetin tuaj.

Shënime

  1. David O. McKay, në Francis M. Gibbons, David O. McKay: Apostle to the World, Prophet of God (1986), f. 45.

  2. Shih Mark L. Staker, “Remembering Hiram, Ohio”, Ensign, tetor 2002, f. 32, 35.

  3. Shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 483.

  4. “True to the Faith”, Hymns, nr. 254.

  5. L. Tom Perry, në “Joy – for Us and Others – Comes by Following the Savior”, http://lds.org/prophets-and-apostles/what-are-prophets-testimonies?lang=eng.

  6. Lucile C. Tate, Boyd K. Packer: A Watchman on the Tower (1995), f. 58–59.

Fotografi e Plakut Quentin L. Cook nga Craig Dimond; ilustrim me foto nga Scott Davis

Plaku L. Tom Peri e luajti mirë rolin e tij ndërsa ndodhej në Japoni.

Fotografi e Plakut L. Tom Perry © IRI

Presidenti Bojd K. Paker është bekuar për vendosjen e synimeve të drejta.

Fotografi e Presidentit Boyd K. Packer, nuk lejohet kopjimi