2013
Isha në Shtëpi
Tetor 2013


Isha në Shtëpi

Stiven Seinsbëri, Kaliforni, SHBA

Si pjesë e një projekti shërbimi, udhëtova për në Ruandë së bashku me disa mjekë të tjerë për të ndihmuar me nevojat mjekësore. Pas dy javësh, pranë fundit të udhëtimit tim, ia behu malli për shtëpinë. Më mungonte familja ime, shtrati im i rehatshëm dhe shtëpia ime.

Të dielën time të fundit në Afrikë, munda ta bashkërendoja programin e ditës që të mund të shkoja në kishë. Edhe pse Kisha nuk ishte e njohur zyrtarisht në Ruandë, pata mundësi të gjeja orarin dhe udhëzimet për mbledhjen në faqen e Kishës.

Dhe çfarë udhëzimesh që qenë: “Ec teposhtë rrugës së shtruar me kalldrëm matanë ndërtesës së ministrisë. Kërko një derë të hapur. Pastaj zbrit shkallët.”

Teksa i ndiqja këto udhëzime, fillova të dëgjoja refrenin e qartë të një himni të njohur. I zbrita shkallët dhe veshët më kapën fjalët e himnit “Sa i Fortë një Themel” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 6). Shkallët mbaronin në një ndërtesë të vogël, ku duzina njerëzish të buzëqeshur po qëndronin rrotull hyrjes. Pavarësisht faktit se isha një i panjohur në bashkësi, ndjeva përkatësi të menjëhershme. Duzina vëllezërish e motrash nga Ruanda erdhën për të më shtrënguar dorën dhe teksa e bënin, një barrë shtypëse vetmie m’u hoq nga shpina – isha në shtëpi!

Kur hyra në ndërtesë, mora pjesë në bllokun e zakonshëm treorësh të mbledhjes që nuk ishte ndryshe nga ai në lagjen e shtëpisë sime në Kaliforni. Mbajtësit e Priftërisë Aarone shpërndanë sakramentin, bisedat u përqendruan te Shpëtimtari dhe madje mësimi i Shkollës të së Dielës qe njësoj me atë që jepej mësim në lagjen e shtëpisë sime atë javë.

Më e rëndësishmja, Shpirti i Zotit i depërtoi shërbesat. Qartazi, Zoti ishte i kënaqur me këta njerëz të mirë që bënin më të mirën e tyre për t’i shërbyer Atij. Mësova se gjatë vitit të kaluar, vetëm një grusht vendasish i ndiqnin shërbesat këtu. Megjithatë unë numërova më shumë se 100 pjesëmarrës, gjysma e tyre fëmijë të buzëqeshur.

Tani që Ruanda është hapur për punën misionare, mendoj se misionarët do të gjejnë sukses të madh teksa Shpirti u dëshmon numrit gjithnjë e në rritje të kërkuesve nga Ruanda se Kisha e rivendosur është mbretëria e Perëndisë për të gjithë tokën – për çdo kontinent, për çdo popull dhe për çdo fëmijë të Perëndisë. Sa mirënjohës jam për Kishën, qoftë nëse është e themeluar në bregun qendror të Kalifornisë ose teposhtë një shtegu me kalldrëm në Afrikën qendrore.