Çfarë ju Solli në Reksburg?
Sandra Rash, Ajdaho, SHBA
Pas dhjetëvjeçarësh që jetuam atje ku anëtarët e Kishës janë një pakicë, im shoq dhe unë u shpërngulëm në një lagje në Reksburg të Ajdahos në SHBA, që përmbante vetëm dy familje joanëtare. Ishte fati ynë i mirë që të jetonim ngjitur me njërën prej tyre.
Babai po kosiste lëndinën e tij herën e parë që erdhëm me makinë në oborrin tonë. Im shoq dhe unë e kaluam lëndinën për t’u njohur. Teksa i zgjata dorën, e pyeta: “Pra, çfarë e solli familjen tuaj në Reksburg?”
Ai u përgjigj: “Puna ime – dhe ne kërkuam posaçërisht një qytezë që duhej të prezantohej me Krishtin”.
Ndjeva si të më kishin hedhur një kovë me ujë të ftohtë në fytyrë, por buzëqesha. Vendosa në atë çast se pavarësisht çfarë do të thoshte apo bënte fqinji ynë i ri, ne do të bëheshim fqinjët më të mirë që kishte pasur ajo familje. Ne do të përpiqeshim të përgjigjeshim në çdo ndërveprim me ta, në një mënyrë të sjellshme, të dashur e të arsyeshme, ashtu siç do të bënte Shpëtimtari.
Tetë vitet pasuese sollën shumë veprimtari të përbashkëta mes familjeve tona. Nëna u ftua dhe mori pjesë tek aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës. Ajo më ftoi mua dhe shumë fqinj shenjtorë të ditëve të mëvonshme në mbrëmjen e një gruaje të financuar nga kisha e saj. Im shoq dhe unë u ftuam në vallëzimin dhe recitalet në piano të fëmijëve të tyre. Familja e tyre u përfshi në gatimet në oborr dhe në festat e lagjes. Dhe ne morëm telefonata nga fëmijët e tyre më të mëdhenj kur ata kishin nevojë për t’u kthyer me makinë në shtëpi nga puna dhe nuk mund të flisnin me prindërit e tyre.
Prindërit shqetësoheshin se fëmijët e tyre mund të fillonin t’i pëlqenin së tepërmi shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ndaj nuk i lanë bijtë e tyre të bashkoheshin me programin e skautizmit të lagjes sonë. Por shtëpia jonë konsiderohej një vend i sigurt, ku ata i linin fëmijët e tyre të luanin kur kishim nipërit e mbesat tona për vizitë.
Sa herë që fqinjët tanë përpiqeshin të na ndihmonin të shihnim “gabimin e mënyrave tona”, ne i kujtonim ata që kishim respektin më të madh për bindjet e tyre dhe mënyrën se si jetonin dhe i edukonin fëmijët e tyre. Më pas shtonim se prisnim të njëjtin respekt për bindjet tona, të cilat gjithashtu përqendroheshin te mësimet e Shpëtimtarit.
Kur nëna përpiqej t’i bënte ndryshimet tona një hendek të thellë e të pakalueshëm duke pretenduar se shenjtorët e ditëve të mëvonshme besonin në një “Jezus tjetër”, i kujtoja asaj se të dyja ne besonim se Ai është hyjnor dhe Biri i dashur i Perëndisë. Përfundimisht, ajo dhe unë gëzuam një marrëdhënie të ngrohtë e miqësore.
Familja e tyre u shpërngul pa u bashkuar me Kishën. Por nëse ata mund të thonë: “Ne jetuam mes mormonëve; ata janë njerëz të mirë e respektues me zemra të sinqerta”, atëherë ndiej se ia kemi dalë mbanë me të qenit fqinj të mirë dhe me ndihmën ndaj tyre për t’u bërë më të hapur e më të drejtë në vlerësimin e tyre për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.