Një Kuti Fotografish
Sindi Hegi, Alberta, Kanada
Disa vjet më parë, im shoq dhe unë, po linim një ngarkesë mbeturinash në vendin e zbrazjes së mbeturinave të qytetit kur vura re një nga zonjat që punonin atje duke marrë një kuti për ta futur në furrën e djegies. Papritur, kutia u ça dhe ranë disa fotografi.
Teksa po e shihja, pata një shtysë të fortë që të shkoja e ta merrja atë kuti fotografish. Dola jashtë makinës për të ndihmuar në mbledhjen e fotografive. Edhe zonja, edhe unë, ndiem se fotografitë ishin hedhur gabimisht dhe e binda të më linte t’i merrja fotografitë që të përpiqesha të gjeja dikë që do të kishte qejf t’i kishte.
Duke shqyrtuar qindra fotografitë në kuti, gjeta një zarf që i adresohej dikujt në Uorburg të Albertës në Kanada. Gjatë viteve të ardhshme, i shkrova disa letra njerëzve me të njëjtin mbiemër, por nuk mora kurrë një përgjigje.
Pasi familja ime mori qasje në internet, zbulova se kishte një shoqëri historike në Uorburg. Pyeta nëse ndokush që punonte atje, i njihte emrat që kisha gjetur prapa fotografive.
Një muaj më vonë, ne morëm një telefonatë nga një burrë që ishte kontaktuar nga shoqëria historike. Ai tha se motra e tij jetonte pranë nesh dhe pyeti nëse ajo mund t’i shihte fotografitë. Sigurisht që thamë po.
Të nesërmen, Flojd dhe Beth Houthorn, të dy shenjtorë të ditëve të mëvonshme, erdhën të shihnin fotografitë. Kur e hapa kutinë, vëllai Houthorn tha: “Mirë, ja ku është”, duke treguar me gisht fotografinë e sipërme. Qe një fotografi e gjyshit të motrës Houthorn.
Teksa shikonin fotografi pas fotografie, vëllai dhe motra Houthorn na tregonin histori rreth njerëzve në çdo fotografi. Houthornët dyshonin nëse kishin lidhje familjare me personin që i kishte hedhur fotografitë dhe nuk kishin asnjë ide se përse fotografitë kishin përfunduar në vendin e zbrazjes së mbeturinave.
Ndjeva fuqishëm se Ati Qiellor më ndihmoi t’ia ktheja fotografitë familjes Houthorn. Dëshmoj se puna për historinë familjare është një nga punët më të rëndësishme për t’u bërë. Nëse jemi të gatshëm ta bëjmë punën, Zoti do të na ndihmojë ta bëjmë.