2013
Rreth Kishës
Tetor 2013


Rreth Kishës

Mongolia Feston 20-Vjetorin e Kishës

Të hënën, më 15 prill 2013, më shumë se 300 anëtarë të Kishës u mblodhën në Zaisan Hill në Ulan-Bator të Mongolisë, për të festuar përvjetorin e 20-të të Kishës në atë vend. Këndoi një kor i përbërë prej 50 anëtarësh dhe grupi dëgjoi një regjistrim të Plakut Nil A. Maksuell (1926–2004) ndërsa ai përkushtoi Mongolinë për predikimin e ungjillit në vitin 1993.

Plaku Tai Kuok Yuen, ish-anëtar i Presidencës së Zonës së Azisë, që shoqëroi Plakun Maksuell në Mongoli në vitin 1993, vërejti se si “duart e Zotit kanë lëvizur pa pushim në këtë pjesë të vreshtit të Tij”.

Një larmi aktivitetesh gjatë gjithë javës shënuan përvjetorin. Një mbledhje ritakimi e misionit mblodhi 200 misionarë të kthyer. Më shumë se 1.000 mongolë kanë shërbyer si misionarë kohëplotë – thuajse 1 në çdo 10 anëtarë në Mongoli. Shërbime pagëzimi u mbajtën në mbarë Mongolinë mbrëmjen e së premtes; 24 vetë u pagëzuan atë ditë. Meri N. Kuk, e liruar së fundi nga presidenca e përgjithshme e Të Rejave, foli në një takim shpirtëror të Të Rejave dhe një shtëpi e hapur për historinë familjare shfaqi një video me udhëzime për projektin e ri Family Tree [Trungu Familjar]. Një shfaqje kulturore fantastike paraqiti kulturën e pasur të Mongolisë dhe talentet e shumë anëtarëve të Kishës.

Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme në Haiti Festojnë Përvjetorin, Ndihmojnë të Mbillen Pemë

Më 1 maj 2013, anëtarë të Kishës në Haiti morën pjesë në një projekt të madh e mbarëkombëtar për mbjellje pemësh. Dhjetëra fidanë u mbollën në ditën e parë të projektit dhe shumë të tjerë do të vijojnë. Kur projekti të përfundojë, rreth 400.000 pemë të reja do të rriten në Haiti, përfshirë limona, portokalle, arra kokosi, papaja dhe lisa.

Kisha i bleu pemët si pjesë e mbështetjes së saj të vazhdueshme për rigjenerimin e Haitit pas tërmetit. Projekti gjithashtu u siguroi anëtarëve një projekt shërbimi për të festuar 30-vjetorin e Kishës në këtë komb ishullor. Tri dekada më parë, Presidenti Tomas S. Monson, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e vizitoi Haitin dhe përkushtoi tokën për predikimin e ungjillit të rivendosur.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ishte i pranishëm në Haiti në kohën e festimit të përvjetorit dhe kryesoi në zbulimin e një pllake përkujtuese që shënon fillimet e Kishës në Haiti.

Kisha i Dhuron më Shumë se Katërqind e Pesëdhjetë Ton Ushqime Organizatës “Feeding America”

Në maj 2013 Kisha, nëpërmjet organit të saj për ndihma humanitare Latter-day Saint Charities [Bamirësia e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], i dhuroi më shumë se katërqind e pesëdhjetë ton ushqime organizatës “Feeding America” [“Ushqim për Amerikën”], organizata më e madhe jofitimprurëse e ndihmës kundër urisë në Shtetet e Bashkuara. Dhurimi përfshinte artikuj të konservuar të tillë si fruta, perime dhe fasule, të cilat do t’u shpërndahen familjeve në nevojë nëpërmjet depove ushqimore dhe strehëve të ndryshme të komuniteteve nëpër Shtetet e Bashkuara.

Bob Aiken, president dhe drejtuesi më i lartë ekzekutiv i organizatës “Feeding America”, tha se dhurimi do të sigurojë rreth 625.000 vakte ushqimore.

Kërcimtarë dhe admirues formojnë numrin “20” gjatë një shfaqjeje të dhënë për të përkujtuar përvjetorin e 20-të të Kishës në Mongoli.

Fotografi me mirësinë e Misionit të Mongolisë, Ulan-Bator

Misionarë dhe anëtarë në Haiti mbjellin pemë në male lart pranë kryeqytetit Port-o-Prens, që mund të shihet në sfond.

Fotografi nga Jason Swensen