2013
Dhjak Fringo i Ri
Tetor 2013


Dhjak Fringo i Ri

“Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti” (DeB 84:35).

Shpërndarja e sakramentit është një përgjegjësi e madhe. Po sikur të bënte rrëmujë?

Benxhi qëndroi para pasqyrës, duke rregulluar kravatën. Këmisha e tij e bardhë dhe pantallonat blu e errët përshtateshin përsosmërisht. Flokët ishin të krehura. Sigurisht që dukej gati të shugurohej dhjak. Atëherë, përse ndihej kaq i shqetësuar?

Benxhi rrëmbeu shkrimet e tij të shenjta dhe u largua nga dhoma. U përpoq të mos mendonte se sa të ndryshme do të ishin gjërat në kishë sot. Dhe pastaj ishte detyra e re e priftërisë që e shqetësonte kurdoherë që mendonte për të: shpërndarja e sakramentit. Po sikur të bënte një gabim herën e tij të parë në javën e ardhshme? Ai u përpoq ta harronte edhe atë ndërsa po dilte nga shtëpia.

Mbledhja e sakramentit shkoi njëlloj si gjithmonë. Por më pas, Benxhi shkoi bashkë me familjen e tij te zyra e peshkop Salazarit. Kjo padyshim që ishte ndryshe. Zakonisht ai do të ishte te veprimtaritë e hapjes të orës mësimore të Fillores pikërisht tani.

Benxhi u ul ndërsa Babi, peshkopi, presidenti i Të Rinjve dhe këshilltarët e peshkopatës i vendosën duart mbi kokë. Babi i dha atij Priftërinë Aarone. Gjatë bekimit, shtrëngimet në stomakun e Benxhit u zhdukën. Ai u ndje i qetë e i lumtur.

Benxhi u ul dhe shtrëngoi duart me të gjithë. Pastaj përqafoi Mamin, vëllanë e tij, Xhein, dhe motrën e vogël, Mirasolin.

Më pas, ai shkoi te Shkolla e së Dielës. Edhe pse orët e reja mësimore nuk ishin njësoj si në Fillore, përsëri dukeshin të njohura. Mësimi i kushtohej lutjes. Ai kishte bërë plot mësime mbi lutjen më parë te Fillorja. Benxhi nxori një psherëtimë lehtësimi. Ndoshta të qenit dhjak nuk do të ishte aq e vështirë.

“Do të jetë shkëlqyeshëm”, i tha Xhei Benxhit pas kishës. “Unë do ta bekoj sakramentin dhe ti mund ta shpërndash.”

Gjithë shtrëngimet në stomak u kthyen sërish. “Po, shkëlqyeshëm”, tha ai qetësisht. Shpërndarja e sakramentit ishte gjëja për të cilën shqetësohej më shumë Benxhi.

Më vonë atë mbrëmje, Benxhi e gjeti Babin duke lexuar në divan. “Po sikur ta kapërcej ndonjërin dhe ai të mos e marrë sakramentin?” pyeti ai. “Po sikur të pengohem?” Ai mund ta shihte fare qartë në mendje tabakanë duke rënë zhurmshëm mbi dysheme dhe gotëzat e ujit duke fluturuar ngado.

Babi i shtrëngoi supin Benxhit. “Më kujtohet hera e parë kur shpërndava sakramentin. Ndoshta isha më i shqetësuar nga sa je ti pikërisht tani.”

Benxhi kapsalliti sytë i habitur. “Ti? Ti nuk ke frikë nga asgjë!”

Babi qeshi. “Jam tmerruar plot herë. A e di se çfarë më ndihmoi ta kapërceja shqetësimin?”

Benxhi mendoi për një çast. “Lutja?”

Babi buzëqeshi. “E saktë. Lutja. Dhe babai im më dha një bekim. A do të doje që të të jepja një bekim?”

Benxhi pohoi shpejt me kokë. “Po. Do të doja shumë.”

Familja u mblodh në dhomën e ndenjjes. Babi i vuri duart mbi kokën e Benxhit. Ndërsa Babi fliste, Benxhi ndjeu t’i mblidheshin lotë. “Kujto”, tha Babi në bekim, “ti e ke marrë priftërinë përmes një ordinance të shenjtë. Ati Qiellor na e dha priftërinë që ne të mund t’u shërbejmë të tjerëve. Nëse mund ta bësh këtë me qëllim të plotë të zemrës, ti do të bekohesh në këtë dhe në të gjitha gjërat.”

Gjithë javën Benxhi u lut për ndihmë. Të dielën pasuese, ai u bashkua me dhjakët në fillim të sallës kishtare. Ai dëgjoi nga afër kur Xhei tha bekimin për bukën.

Befas ai u ndje tërësisht i shqetësuar sërish. A mund ta bënte vërtet këtë? Ishte kaq e rëndësishme! Pastaj ai kujtoi premtimet nga bekimi i Babit. Ndjenjat e tij të shqetësimit u larguan ndërsa Shpirti qëndroi mbi të.

Ai mori tabakanë dhe lëvizi me besim në vetvete te rreshtat që i kishin caktuar. Me kujdes, ai i dha tabakanë një gruaje në rreshtin e parë.

Ajo i buzëqeshi atij. Benxhi i buzëqeshi, duke e ditur se po i shërbente Zotit.

Ilustrim nga Adam Koford