Ndihmë për Violetën
“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Marku 12:31).
Si mund të ishte e sjellshme Ema kur Violeta sillej kaq keq?
Ema e mbërtheu më fort çantën e shpinës ndërsa hyri në klasën e re. Ishte dita e parë e shkollës. Kishte veshur fustanin e saj të parapëlqyer dhe Mami i kishte paketuar një ushqim të veçantë me drekën – biskota me forma kafshësh.
“Sot do të shkojë shkëlqyeshëm”, mendoi Ema me vete. “Për aq kohë sa –”
Ema ndaloi dhe vështroi ngultas nëpër klasë. Ja ku ishte ajo. Violeta.
Vitin e kaluar, Violeta kishte luajtur vetëm te shkallët suedeze në çdo pushim. Ajo i kishte vënë nofka Emës. Ajo madje i kishte grabitur Emës shoqen më të mirë!
Violeta e pa Emën dhe i nxori gjuhën. Ema e pa me inat, duke e shtrënguar edhe më fort çantën e saj të shpinës. Violeta nuk ishte sjellë miqësisht gjatë të gjithë vitit të kaluar dhe dukej se ky vit nuk do të kishte ndonjë ndryshim.
“Mirë se erdhët në një vit të ri, nxënës!” tha zj. Kolduell që nga fillimi i klasës. “Le të caktojmë vendet.”
Tavolinat ishin rreshtuar dyshe nëpër klasë. Zj. Kolduell lëvizi gishtin nëpër listën e emrave; pastaj tregoi me gisht një çift tavolinash nga fundi. “Ema. Ti do të ulesh atje pas.”
Ema u ul në një nga tavolinat e pasme. Ajo shpresonte që Lizela të ulej pranë saj. Ose Xheimi. Ose –
“Violeta.”
Koka e Emës hovi përpjetë. A e kishte dëgjuar mirë?
Po. Zj. Kolduell ende po tregonte me gisht nga tavolina pranë të sajës. “Ti do të jesh fqinja e Emës, Violeta”, tha ajo.
Violeta eci zvargur drejt Emës me vetulla të rrudhura. Ema vuri kokën mbi tavolinë dhe ia nguli sytë murit. Do të ishte një vit i gjatë.
Në orën e matematikës, zj. Kolduell shkroi në tabelë disa problema që klasa t’i zgjidhte. “Mund të punoni vetëm ose me fqinjin tuaj”, tha ajo.
Ema me të shpejtë u kërrus mbi fletën e saj, duke bërë sikur ishte e zënë me punë. Problemat ishin mjaft të thjeshta. Ajo thjesht po përpiqej të shmangte Violetën. Ajo nuk i kishte hedhur asnjë vështrim gjithë mëngjesin.
Diçka e shpoi në sup. Dukej si një laps. Ema e shpërfilli.
Një shpim tjetër. Violeta po e shponte! Ema vazhdoi të punonte me kokëfortësi.
Shpimi i tretë i Violetës ishte aq i fortë sa t’i dhimbte. Ema mund ta ndiente veten duke vluar përbrenda. A do të ishte kështu i gjithë viti? Ajo mendoi të ngrinte dorën e t’ia tregonte zj. Kolduell. Ose ndoshta ajo thjesht do t’i hidhte Violetës një tjetër vështrim me inat.
Pastaj Ema dëgjoi një shfryrje hundësh. Mos po qante ndokush? Lapsi e shpoi sërish. Ajo ngriti sytë dhe pa Violetën që po e vështronte. Lapsin e kishte në dorë dhe kishte lotë në sy. Fleta e saj ishte mbuluar me njolla gome.
Violeta përdrodhi lapsin në duar. “A mund të më ndihmosh?” pyeti ajo qetë.
Ema e pa për një minutë, e tronditur. Violeta donte që ajo ta ndihmonte? Pasi ishte sjellë gjithmonë aq keq? Ema u kthye sërish te fleta e vet. Violeta mund të punonte vetëm. Ajo nuk e meritonte ndihmën e Emës, edhe nëse ajo ishte …
… fqinja e saj?
Ema heshturazi ishte kthyer përpara. Ajo mund ta dëgjonte Violetën që po qante dobët pranë saj. Shkrimet e shenjta gjithmonë thoshin ta doje të afërmin tënd – por Violeta ishte kaq e ndryshme! Ema thjesht po ulej pranë saj në klasë!
Ema iu kthye sërish punës së vet. Pastaj ndaloi. Ndoshta Violeta nuk ishte e ndryshme. Ndoshta kur shkrimet e shenjta thoshin ta doje të afërmin tënd, ato nënkuptonin gjithkënd. Madje dhe ato që silleshin keq. Edhe nëse ishte e vështirë.
Ema psherëtiu dhe ngadalë e uli poshtë lapsin e saj. Ajo u kthye nga Violeta dhe u përpoq sa mundi që të buzëqeshte. “A mund të të ndihmoj?” pyeti ajo.
Violeta pohoi me kokë, duke i fshirë lotët me dorë.
Ema u përkul mbi fletën e Violetës dhe filloi ta ndihmonte për problemin e parë. Tashmë ajo kishte një ndjenjë të ngrohtë përbrenda. Ajo po vriste mendjen nëse Violetës i pëlqenin biskotat me forma kafshësh.