2013
Unë Betohem …
Tetor 2013


Kur Prapë të Takohemi

Unë Betohem …

Betimet po u ngjiteshin fjalëve të mia po aq shumë sa rrodhet u ngjiten qimeve të qenit.

Vështrimi në fytyrën e nënës time më këputi zemrën. Tronditje. Trazim. Zhgënjim. Të gjitha këto emocione i mbushën sytë asaj njëri pas tjetrit dhe pastaj u shkrinë në një emocion – tradhti.

Megjithë mësimet e saj gjatë gjithë 15 viteve të mi për të nderuar Atin Qiellor në fjalë e veprim, ja ku isha, fajtor se lejova një fjalë veçanërisht fyese të dilte nga buzët e mia.

Nuk kisha ndër mend të betohesha. Përpara atij viti, nuk kisha përdorur kurrë fjalor të pistë. Por atë verë kisha punuar për Departamentin e Peshkimit dhe Lojërave të Jutas dhe e kisha marrë atë zakon nga djelmosha të tjerë që punonin me mua.

Detyra jonë kryesore ishte të pastronim anët e rrugëve shtetërore nga bimët e rrodheve. Menjëherë e dalluam se Arctium minus është një barishte veçanërisht e keqe. Ajo rritet në sasi të madhe thjesht në çdo vend dhe mbyt shumë bimë të tjera. Rrodhet e saj i ngjiten çfarëdo gjëje që i vjen afër.

Me lopata në duar, ne e luftuam atë kundërshtar gjatë gjithë verës, deri në rraskapitje – dhe fjalor të pistë. Së pari, e vlerësova si fyes fjalorin e shokëve të mi të punës. Pastaj e lejova. Së fundi, e përvetësova. Deri nga fundi i verës, betimet po u ngjiteshin fjalëve të mia po aq shumë sa rrodhet u ngjiten qimeve të qenit.

Reagimi i nënës time ndaj shkarjes sime të gjuhës, megjithatë, më bindi se kisha nevojë të ndryshoja.

Nuk ishte e lehtë. Betimi nuk është thjesht një zgjedhje fjalësh. Ai është gjithashtu një model i të menduarit. Bisedat që lejojmë në jetën tonë, fjalët që lexojmë, dhe figurat që shohim, iu japin formë mendimeve tona. Shpejt mësova se më duhej të ndryshoja atë çfarë ftoja në mendjen time nëse dëshiroja të ndryshoja fjalët që përdorja.

Fatmirësisht, isha aktiv në pjesëmarrje në kishë dhe seminar. Betimi kishte përzënë mendime më lartësuese, por të qenit në një mjedis ku isha i ekspozuar ndaj atyre mendimeve më lartësuese i lejoi ato të zinin rrënjë sërish. U përqendrova në leximin e shkrimeve të shenjta çdo ditë dhe te lutja. Qëndrova larg prej filmave dhe programeve televizive që risillnin mendime të padrejta.

Ngadalë, pashë se fjalori im po përmirësohej. Nga fundi i vitit, isha çliruar nga zakoni im i të betuarit.

Që nga ajo përvojë, kam mësuar shumë mbi fuqinë e fjalëve. Fjalët mund të krijojnë ose të shkatërrojnë. Ato mund të lëndojnë ose të shërojnë. Ato mund t’i poshtërojnë njerëzit ose mund të mbjellin fara shprese dhe dashurie.

Më duket interesante se Vetë Shpëtimtarit, Krijuesit të qiellit dhe tokës, i referohen si Fjala (shih Gjoni 1:1–4; DeB 93:6–11).

Kam mësuar se betimi ka një kuptim pozitiv ashtu si dhe një negativ. Ne betohemi që të themi të vërtetën në një gjykatë. Ne premtojmë solemnisht, ose betohemi, të mbajmë urdhërimet e Perëndisë kur pagëzohemi. Ngjashëm, ne bëjmë premtime të shenjta që të mbajmë besëlidhjet tona të tempullit me qëllim që të marrim bekimet më të madhërishme të Atit Qiellor.

Përfundimi është ky: Ne bëhemi më shumë si Fjala kur fjalët tona e nderojnë Atë dhe pasqyrojnë lavdinë e Tij.

Fotografi nga Anna Laurent