Gati për Ditën e Betejës
Qofshim ne, duke e vendosur mirëbesimin te Shpëtimtari, Zoti i Ushtrive, të përgatitur dhe të mos pengohemi në fushëbetejë.
Në vitin 1485, Rikardi III qe në krye të fronit anglez. Ishte kohë paqëndrueshmërie dhe Rikardit iu desh ta mbronte kurorën më shumë se një herë. Por ai ishte një veteran ushtarak i rrahur, një luftëtar sypatrembur e mendjehollë që kishte një ushtri prej 8.000 deri në 10.000 burrash.
Po atë vit, një pretendues për fronin anglez, Henri Tudor, Konti i Riçmondit, e sfidoi dhe u ndesh me Rikardin në një vend që i dha betejës emrin e vet: Fusha Bosuorth. Henri, ndryshe nga Rikardi, kishte përvojë të pakët luftimi dhe forcat e tij numëronin vetëm 5.000 veta. Por ai kishte në anën e vet këshillues të mirë – fisnikë që kishin marrë pjesë në beteja të ngjashme, përshirë disa kundër Rikardit. Mëngjesi i betejës mbërriti dhe çdo gjë linte të kuptohej që Rikardi do të dilte fitimtar.
Një legjendë e famshme dramatike përmbledh ngjarjet e 22 gushtit 1485. Atë mëngjes mbreti Rikard dhe burrat e tij u përgatitën për t’u përballur me ushtrinë e Henrit. Fituesi i betejës do të ishte sundimtari i Anglisë. Pak para betejës, Rikardi dërgoi një kujdestar kuajsh për të parë nëse kali i tij i parapëlqyer ishte gati.
“Vendosja shpejt patkonjtë”, e urdhëroi kujdestari i kuajve farkëtarin. “Mbreti dëshiron ta ngasë në krye të forcave të tij.”
Farkëtari u përgjigj se atij do t’i duhej të priste. “I kam vënë patkonj të gjithë ushtrisë së mbretit ditët e fundit”, tha ai “dhe tani duhet të shkoj të marr më tepër hekur.”
Kujdestari i paduruar tha se nuk mund të priste. “Armiqtë e mbretit po përparojnë pikërisht tani dhe duhet të takohemi me ta në betejë”, tha ai. “Bëj si të bësh me ato që ke.”
Siç e urdhëruan, farkëtari bëri më të mirën që mundi, duke bërë katër patkonj nga një shufër hekuri. Pasi i sheshoi patkonjtë, i gozhdoi tre prej tyre në këmbët e kalit. Megjithatë, kur u përpoq t’i ngulte patkoin e katërt, ai e kuptoi se nuk i dilnin gozhdët.
“Më duhen një ose dy gozhdë të tjera dhe do të duhet pak kohë sa t’i përgatis”, i tha ai kujdestarit të kuajve.
Por, kujdestari nuk mund të priste më gjatë. “Po dëgjoj boritë tani”, shpalli ai. “Nuk mund të përdorësh thjesht ato që ke?”
Farkëtari u përgjigj se do të bënte më të mirën, por që nuk mund të garantonte se patkoi i katërt do të mbante.
“Thjesht ngule me gozhdë”, e urdhëroi kujdestari i kuajve. “Dhe ngutu, ose mbreti Rikard do të zemërohet me të dy ne.”
Beteja filloi shpejt. Për t’i grumbulluar burrat e tij, Rikardi ngiste kalin lart e poshtë nëpër fushë, duke luftuar e duke i nxitur ata me thirrjen: “Çani përpara! Çani përpara!”
Sidoqoftë, kur Rikardi vështroi përqark fushës, ai pa disa nga burrat e tij duke u tërhequr. Duke pasur frikë se edhe ushtarët e tij të tjerë mund të fillonin të tërhiqeshin, ai eci me galop drejt rreshtit të prishur për t’i nxitur të luftonin. Por përpara se Rikardi të mund t’i arrinte, kali i tij u pengua dhe ra, duke e hedhur mbretin në tokë. Një nga patkonjtë e kalit, pikërisht ashtu siç ishte druajtur farkëtari, ishte shkëputur gjatë ecjes së dëshpëruar të mbretit me galop.
Rikardi kërceu nga toka teksa kali i tij u ngrit dhe vrapoi tutje. Teksa ushtria e Henrit përparonte, Rikardi valëviste shpatën e tij lart në ajër, duke thirrur: “Një kalë! Një kalë! Gjithë mbretërinë time për një kalë!”
Por ishte tepër vonë. Në atë kohë, burrat e Rikardit po arratiseshin nga frika e ushtrisë së Henrit që po përparonte dhe beteja u humb. Që nga ajo kohë, njerëzit kanë nxjerrë fjalën e urtë:
Prej mungesës së një gozhde, një patkua u humb,
Prej mungesës së një patkoi, një kalë u humb,
Prej mungesës së një kali, një betejë u humb,
Prej mungesës së një beteje, një mbretëri u humb.
Dhe e gjitha kjo prej mungesës së një gozhde për patkoin e kalit.1
Kapja pas Parimeve Tona
Kur mendoj për këtë histori, reflektoj për mënyrën se si një gozhdë sa e thjeshtë edhe e dobët e një patkoi kali, çoi në një kthesë të tillë të ngjarjeve. Ne mund ta krahasojmë gozhdën që mungonte, me parimet e ungjillit. Mungesa e parimeve të ungjillit dhe e vlerave e praktikave që i shoqërojnë ato, mund t’i lerë njerëzit të pambrojtur në fushëbetejë kundër tundimit dhe të keqes.
Çfarë praktikash na mungojnë në jetën dhe familjet tona? A po e shpërfillim lutjen vetjake apo familjare? Studimin e zellshëm të shkrimeve të shenjta? Mbrëmjen e rregullt familjare? Pagimin e plotë të së dhjetës? Shërbimin ndaj vëllezërve dhe motrave tona? Respektimin e ditës së Shabatit? Adhurimin në tempull? Dashurinë për të afërmit tanë?
Secili prej nesh mund të hedhë një vështrim brenda dhe të zbulojë se çfarë mund t’i mungojë – te cili parim apo praktikë kemi nevojë të kapemi më vendosmërisht në jetën dhe në familjet tona. Pastaj, pasi ta kemi përcaktuar atë parim apo praktikë, mund të veprojmë me zell dhe vendosmëri që ta ngulim gozhdën – për ta jetuar atë parim më plotësisht dhe për ta përgatitur më mirë veten dhe familjet tona që të ngrihemi për atë që është e drejtë.
Te Doktrina e Besëlidhje, Zoti këshillon: “Merrni përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Shpirtit tim, të cilin do ta derdh mbi ju, dhe fjalën time, të cilën unë jua zbuloj, … e jini besnikë, derisa unë të vij” (27:18).
Shërbëtorëve të Tij besnikë, Shpëtimtari u ka premtuar: “Dhe krahu i tyre do të jetë krahu im, dhe unë do të jem mburoja dhe shqyta e tyre; e do t’i ngjesh ijët e tyre dhe ata do të luftojnë burrërisht për mua; … dhe nëpërmjet zjarrit të zemëratës sime do t’i ruaj ata” (DeB 35:14).
U kujtofshim që edhe nëse “kali është gati për ditën e betejës”, siç thonë Fjalët e Urta, “fitorja i përket Zotit” (21:31). E ndjekshim ftesën e Moronit për të “[ardhur] te Krishti dhe [për t’u] përsosu[r] në të” (Moroni 10:32). Dhe qofshim ne, duke e vendosur mirëbesimin te Shpëtimtari, Zoti i Ushtrive, të përgatitur dhe të mos pengohemi në fushëbetejën kundër së ligës.