2013
Adoleshentët dhe Besëlidhjet e Tempullit
Tetor 2013


Adoleshentët dhe Besëlidhjet e Tempullit

Me uljen e kriterit të moshës për misionarët kohëplotë, dhjetëra mijëra më shumë adoleshentë po bëjnë tani besëlidhje të shenjta tempulli.

Si punonjës tempulli, ne kemi pasur bekimin e takimit me të rinj në moshë madhore që po vijnë në tempull për të marrë indaumentet e veta. Ne kemi mësuar se një seminar përgatitjeje për në tempull ishte i dobishëm për ta, por ndikimi i prindërve dhe udhëheqësve të drejtë luajti një rol më domethënës për t’i ndihmuar të përgatiteshin për të bërë besëlidhje tempulli. Si prindër dhe udhëheqës, ne kemi nevojë ta ndihmojmë rininë jo vetëm që të përgatitet për shërbim misionar kohëplotë, që zgjat veçse për pak muaj, por gjithashtu për të bërë dhe mbajtur besëlidhje tempulli, të cilat zgjasin për përjetësinë. Hapat e parë fillojnë në fëmijëri.

Përgatitja e Fëmijëve

Prindërit mund t’u tregojnë fëmijëve të tyre për rëndësinë e tempullit duke adhuruar në tempull dhe duke dhënë dëshmitë e tyre për punën në tempull. Edhe në zona ku pjesëmarrja e shpeshtë në tempull nuk është e mundur, prindërit mund të rrënjosin te fëmijët e tyre dëshirën për të shkuar në tempull.

Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) i mësoi prindërit: “Le të ndajmë me fëmijët tanë ndjenjat shpirtërore që kemi në tempull. Dhe le t’u mësojmë atyre më me zell dhe më me kënaqësi gjërat që mund të themi siç duhet mbi qëllimet e shtëpisë së Zotit.”1 Fëmijët tanë kanë nevojë të dinë se tempulli është një vend ku ne kemi marrë përgjigje për lutjet dhe ku ne e ndiejmë dashurinë e Perëndisë.

Prindërit gjithashtu mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre që të presin me padurim dhe të jetojnë të denjë për rekomandimin e tyre me përdorim të kufizuar, për të cilin kanë mundësinë për t’u kualifikuar kur mbushin 12 vjeç. Kur vjen koha që këta të rinj të shkojnë në tempull, ne shohim gëzimin dhe krenarinë me të cilat ata i paraqesin këto rekomandime në tempull.

Përgatitja e Rinisë

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përfshihen në kërkimin e historisë familjare, me qëllim që kur të mbushin 12 vjeç, të mund t’i çojnë emrat e familjes në tempull. Të rinjve që e bëjnë këtë, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u ka premtuar: “Dashuria dhe mirënjohja juaj për paraardhësit tuaj do të shtohet. Dëshmia juaj për Shpëtimtarin dhe kthimi në besim tek Ai, do të bëhen të thellë dhe të qëndrueshëm. Dhe unë ju premtoj se ju do të mbroheni ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit.”2

Ne kemi parë shumë shembuj të këtij premtimi duke u përmbushur. Kohët e fundit, një e re na tha se pasi kishte kërkuar emrin e gjyshes së saj, ajo kishte ardhur në tempull për të bërë punën për të. Ajo tha se kur ishte pagëzuar për të, kishte pasur mbresën e qartë se gjyshja e saj do ta mirëpriste atë në jetën e ardhshme. Përvoja si këto i forcojnë dëshmitë dhe e rrënjosin dëshirën për të marrë pjesë në ordinanca të mëtejshme të tempullit.

Shumë të rinj hasin tundime për t’u veshur në mënyrë të pahijshme. Kur prindërit dhe udhëheqësit veshin rroba të hijshme, të thjeshta, të rinjtë do ta kuptojnë se edhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë. Të rinjtë kanë nevojë të kuptojnë se mënyra se si vishen dhe se si i trajtojnë trupat e tyre mund të tregojë se janë dishepuj.

Prindërit mund t’i ndihmojnë të rinjtë të përgatiten për të hyrë në tempull duke i ndihmuar ata të kuptojnë besëlidhjet që do të bëjnë atje. Besëlidhjet e tempullit përfshijnë premtime për ta “vëzhguar ligjin e virtytit të përpiktë dhe të dëlirësisë, për të qenë bamirës, të dashur, tolerantë dhe të pastër; për t’i përkushtuar si talentet ashtu edhe mjetet materiale për shpërndarjen e së vërtetës dhe për lartësimin e [familjes njerëzore]; për të ruajtur përkushtim ndaj kauzës të së vërtetës; dhe për të kërkuar në çdo mënyrë që të kontribuojmë në përgatitjen e madhërishme që toka të mund të jetë gati për ta pranuar Mbretin e saj – Zotin Jezu Krisht”3. Prindërit mund të dëshmojnë se të rinjtë do të marrin bekime vetjake dhe të fuqishme gjatë gjithë jetës së tyre, kur ata i mbajnë këto besëlidhje dhe këto besëlidhje do të bëhen më domethënëse për të rinjtë, ndërkohë që prindërit i ndihmojnë ata të kuptojnë se si bekimet ashtu edhe besëlidhjet bëhen të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Ka shumë mënyra si mund t’i ndihmojmë të përgatiten fëmijët dhe të rinjtë tanë për t’i marrë bekimet e tempullit. Sa më të përgatitur të jenë, aq më shumë ka mundësi që ata të jenë në paqe e ta ndiejnë Shpirtin dhe kështu do të jenë në gjendje të kenë përvoja të mëdha shpirtërore kur marrin indaumentin. Një përvojë tempulli që lartëson shpirtërisht, do t’i bëjë ata dishepuj më të zotuar të Krishtit dhe misionarë më të mirë – të nxitur për t’i ndihmuar njerëzit të cilëve u japin mësim, që të përgatiten të marrin ordinancat e veta të shenjta të tempullit.

Shënime

  1. Howard W. Hunter, “Follow the Son of God”, Ensign, nëntor 1994, f. 88.

  2. David A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Liahona, nëntor 2011, f. 26–27.

  3. James E. Talmage, në Preparing to Enter the Holy Temple (2002), f. 34–35.

Ilustrim nga Steve Kropp