Si Mund të Jem një Misionare e Suksesshme?
Autorja jeton në Mein, SHBA.
Pavarësisht sa fort punonim unë dhe shoqja ime e misionit, të gjithë po e refuzonin mesazhin tonë. Çfarë mund të bënim për t’u bërë misionare të suksesshme?
Kisha qenë në mision për më pak se një vit kur qëllova në një periudhë veçanërisht të vështirë. Ne qemë pikërisht në mes të një stine të zymtë, gri – sapo po dilnim nga një dimër i ftohtë dhe po hynim në pranverë. Dhe pavarësisht sa fort punonim unë dhe shoqja ime e misionit, të gjithë ata me të cilët flisnim, e refuzonin prerazi mesazhin tonë. Kur u takuam me misionarët e tjerë, mësuam se puna e tyre po përparonte. Nuk mund të mendoja ndonjë arsye përse ishim kaq të pasuksesshme. Kisha qenë në terrenin e misionit mjaftueshëm për ta folur gjuhën mirë, shoqja ime dhe unë ishim mikesha të mira, kishim krijuar mirëbesim tek anëtarët dhe përpiqeshim të ndiqnim Shpirtin dhe t’u bindeshim rregullave të misionit me përpikëri.
Por pavarësisht asaj që bënim, ne e hasnim refuzimin në çdo cep. Pas javësh e javësh kështu, e lashë qëndrimin tim të pakënaqur të më mposhtte. Gjatë një sesioni planifikimi më në fund thirra: “Çfarë kuptimi ka? Askush nuk do të na dëgjojë gjithsesi.” Shoqja ime, duke pasur një këndvështrim më të mirë se unë, më tha thjesht: “Ne vendosim synime për të treguar besimin tonë. Ne i ndjekim më tej synimet që të numërojmë bekimet tona.”
Teksa meditoja për mendjemprehtësinë e saj, e kuptova se kisha përdorur njësinë e gabuar matëse për të gjykuar suksesin tim si misionare. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar përmban një listë sjelljesh të misionarëve të suksesshëm1, dhe e kuptova se të gjitha ato sjellje janë nën kontrollin e misionarit. Nuk mund ta kontrolloja faktin nëse njerëzit në misionin tim do ta pranonin ose jo mesazhin e ungjillit, por mund të kontrolloja llojin e misionares që zgjodha të bëhesha. Shoqja ime më tregoi se besimi më i madh te Jezu Krishti dhe mirënjohja për bekimet e Tij do të më lejonin t’i dalloja mënyrat në të cilat isha tashmë një misionare e suksesshme.
Besimi i Nxjerr në Dritë Mrekullitë
Ishte përulëse të kuptoja se më mungonte besimi. Kërkova zona ku mund ta forcoja besimin tim dhe zbulova se kur gjërat nuk kishin shkuar sipas planit, e kisha lënë veten të shkurajohesha. Predikoni Ungjillin Tim thotë: “Dekurajimi do të dobësojë besimin tuaj. Në qoftë se i humbisni shpresat, efektiviteti i punës suaj do të zvogëlohet, dëshira juaj do të dobësohet dhe do të keni vështirësi më të mëdha për të ndjekur Shpirtin.”2 E kuptova se kisha lejuar që pengesat tona ta dobësonin besimin tim.
Nisa duke u lutur për një ndryshim të zemrës dhe për më shumë besim. U mbështeta edhe te premtimi i dhënë te Mormoni 9:21: “Kush beson në Krisht pa dyshuar asgjë, çdo gjë që i kërkon Atit në emrin e Krishtit do t’i jepet atij; dhe ky premtim është për të gjithë, madje deri në skajet e tokës”. Ky premtim më bëri të lutesha më me zjarr për bekimet dhe mrekullitë për të cilat shoqja ime dhe unë kishim nevojë, duke shtuar gjithnjë: “U bëftë vullneti Yt”. Këto lutje më ndihmuan t’i pranoja planet e ndryshuara dhe pengesat me besim më të madh, duke e ditur se Ati Qiellor u përgjigjet përherë lutjeve të besimit – edhe kur përgjigjet mund të vijnë në mënyra që nuk i presim. U bëra më e aftë për t’i njohur mënyrat me të cilat Zoti po na udhërrëfente gjatë gjithë ditës sonë.
Teksa punoja me forcimin e besimit tim, zbulova se forma pozitive e shprehjes nga Predikoni Ungjillin Tim ishte e vërtetë: “Në qoftë se nuk i humbisni shpresat, efektiviteti i punës suaj do të rritet, dëshira juaj do të shtohet dhe ju do të jeni në gjendje ta ndiqni më mirë Shpirtin”. Përveç kësaj, isha më optimiste rreth punës misionare dhe shërbimit tim misionar kur munda t’i dalloja dhe t’i vlerësoja mrekullitë që ndodhnin përditë.
Mirënjohja Kundërvepron ndaj Xhelozisë
Zoti filloi të më tregonte se Ai bënte mrekulli për ne çdo ditë – por unë nuk kisha qenë në gjendje t’i dalloja ato derisa bëra një përpjekje të ndërgjegjshme për të qenë sinqerisht mirënjohëse. Shprehja e mirënjohjes është më tepër se thjesht një zakon i mirë apo sjellje e hijshme. Kur u shpreha mirënjohje Zotit dhe të tjerëve, u fuqizova. E gjeta veten të entuziazmuar për misionarët e tjerë kur ata kishin sukses në vend që të isha xheloze (shih Alma 29:14, 16). Isha më në gjendje të përqendrohesha tek ato që kisha dhe ato që shkonin mirë në vend që të përqendrohesha tek ato që më mungonin dhe ato që shkonin keq.
Mësova se mirënjohja është kundërhelmi i krahasimit të vetes me të tjerët. Ato herë kur nuk ndihesha si një misionare e suksesshme zakonisht vinin sepse i thoja vetes: “Nuk po ia dal aq mirë sa ata”, ose “Ata janë më të zotë te kjo se unë”. Mësova gjithashtu se ndërkohë që modeli i Zotit është të na japë shembuj të drejtë me të cilët të matemi e t’i ndjekim, kundërveprimi i Satanit është të na tundojë ta krahasojmë veten me ata në mënyrë që të përcaktojmë vlerën apo suksesin tonë. Por Predikoni Ungjillin Tim është i qartë për këtë: “Mos e krahasoni veten me misionarët e tjerë dhe mos i matni rezultatet e jashtme të përpjekjeve tuaja me rezultatet e tyre”3. Si përfundim, mirënjohja më ndihmoi ta shmang krenarinë dhe më kujtoi se Zoti është në krye të punës së Tij. Nuk kisha nevojë të isha xheloze për shkak se shokët e mi misionarë dukej se kishin më shumë sukses.4
Masa e Vërtetë e Suksesit
Përpara se të kisha këtë ndryshim në këndvështrim, isha përqendruar aq shumë në një lloj të caktuar bekimi saqë kisha harruar t’i lija sytë hapur për mënyrat e tjera në të cilat Zoti po u përgjigjej lutjeve tona dhe po e bekonte punën tonë misionare. Përfundimisht, Zoti filloi ta bekonte punën misionare në zonën tonë në mënyra të bukura e të papritura. Ne gjetëm njerëz që ishin të gatshëm ta pranonin mesazhin tonë, por unë kisha mësuar deri në atë kohë që të mos e matja suksesin tim nga zgjedhjet e të tjerëve.
Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tregoi këshillën e një presidenti misioni për punën misionare: “Bëni më të mirën tuaj, më të mirën e të mirës suaj. Bëni lutje dhe punoni fort dhe lërjani të korrat Zotit.”5 Predikoni Ungjillin Tim jep mësim diçka të ngjashme rreth misionarëve të suksesshëm: “[Jepni] maksimumin tuaj për të sjellë shpirtra te Krishti dhe kërkoni me zell të mësoni dhe të përmirësoheni”6.
Për sa kohë që isha e gatshme të pendohesha, për sa kohë që mund t’i jepja llogari Zotit me ndershmëri se po bëja më të mirën time, mund të ndieja sigurinë se isha një misionare e suksesshme – pavarësisht nëse njerëzit e pranonin mesazhin tonë ose jo. Në shumë mënyra, masa e suksesit tim si misionare mund të gjykohej nga gatishmëria ime për t’u penduar dhe vendosmëria ime për të vazhduar punën.
Kam shumë mrekulli të shënuara në ditar nga kjo periudhë e misionit tim. Teksa përpiqesha të isha më besnike dhe mirënjohëse, pata një këndvështrim më të mirë, shmanga shkurajimin dhe e ndjeva Shpirtin më me bollëk në punën misionare. Zbulova se ajo që jep mësim Predikoni Ungjillin Tim është e vërtetë: “Edhe pasi të keni dhënë maksimumin tuaj, mund të përjetoni përsëri zhgënjime, por thellë brenda vetes nuk do të ndiheni të zhgënjyer. Ju mund të ndiheni të sigurt se Zoti është i kënaqur kur ju e ndieni Shpirtin të punojë përmes jush.”7 Dhe kur ndjeva se Zoti ishte i kënaqur me mua, mund të duroja çdo sprovë.