2013
Ji i Fortë, Ji i Shëndetshëm, Ji i Zgjuar
Tetor 2013


Për Forcën e Rinisë

Ji i Fortë, Ji i Shëndetshëm, Ji i Zgjuar

Plaku Adrián Oçoa

Dëshironi të ndiheni më mirë dhe më të sigurt fizikisht dhe emocionalisht? Ushtrimet e vazhdueshme fizike do t’ju ndihmojnë.

Kohët e fundit lexova një koncept interesant për ushtrimet fizike. Lexova se, nëse ngriheni herët në mëngjes, vishni rrobat e ushtrimeve dhe mendoni: “Thjesht do vesh këtë, do dal jashtë për një shëtitje dhe, nëse ndihem mirë, do nis të vrapoj lehtë”, ju me shumë gjasa do të merrni një stërvitje të mirë përpara se madje ta kuptoni atë. Hartimi i një plani të thjeshtë si ky mund t’ju ndihmojë të zhvilloni zakone të mira për ushtrimet fizike dhe kujdes për trupin tuaj. Për shumë njerëz, fillimi dhe të qenit i qëndrueshëm janë pjesët më të vështira. Nëse kujtoni që ushtrimet fizike nuk bekojnë vetëm trupin tuaj por edhe mendjen dhe intelektin tuaj, kjo do t’ju ndihmojë të keni dëshirën për t’u bërë më të shëndetshëm fizikisht. Ndërsa bëni ushtrime, ju do të bëheni një person energjik i cili ndihet i fortë, me besim në vetvete, vigjilent dhe i sigurt.

A stick of wood balancing on a rock.  The stick has worms on one end and feathers on the other.

Mos u bëni si zogu dembel që shkëmbeu pendët e tij me krimba.

Illustrim nga Greg Newbold

Më kujtohet historia e një zogu që filloi t’i shkëmbente pendët e tij me krimba. Ishte e lehtë të siguroje ushqim në atë mënyrë dhe zogu mendoi se kishte mjaft pendë. Ndërsa vazhdoi t’i shkëmbente pendët e tij, zogu gëzohej që nuk i duhej më të ngrihej herët për të gjuajtur për krimba. Ai mund të ulej në folenë e tij gjithë ditën dhe asnjëherë të mos lëvizte ndonjë muskul. Megjithatë, përfundimisht zogu u mësua së tepërmi me këtë dhe e kuptoi se nuk mund të fluturonte më sepse i kishte humbur pendët e tij jetësore.

Kjo mund t’i ndodh çdokujt që bie në kurthin e zakoneve të këqija, rutinave dembelosëse ose përdorimit të substancave varësuese. Te broshura Për Forcën e Rinisë ne lexojmë se këto gjëra “dëmtojnë mirëqenien tuaj fizike, mendore, emocionale dhe shpirtërore. Ato dëmtojnë marrëdhëniet me familjen e miqtë dhe ju bëjnë të ndiheni keq për veten dhe vlerat tuaja. Ato kufizojnë aftësinë tuaj për të bërë zgjedhje për veten.”1 Të qenit aktiv dhe ngrënia siç duhet na ndihmojnë t’i shmangim këto zakone të këqija. Nëse zogu do të vazhdonte të fluturonte dhe të gjuante, ai nuk do t’i kishte humbur kurrë pendët e tij. Po ashtu, nëse “i përplasim krahët tona” dhe ushtrohemi vazhdimisht, ne zhvillojmë aftësinë për të shmangur prirjet që na dëmtojnë dhe na degradojnë.

Sikurse disa individë luftojnë me shëndetin fizik, të tjerë luftojnë me shëndetin emocional. Jeta mund të jetë e vështirë dhe ndonjëherë mund të kemi ndjenja ankthi, depresioni ose mungese vetëbesimi. Por mbani mend se si për shëndetin fizik edhe për atë emocional, ushtrimi dhe puna e zellshme ndihmojnë që të mbahet një këndvështrim pozitiv. Kujdesi për trupin tuaj gjithashtu e bekon mendjen tuaj dhe ju ndihmon të kujtoni se ju jeni një fëmijë i Perëndisë dhe mund të keni besim te vetja dhe të jeni i lumtur. Anët tona emocionale, fizike dhe shpirtërore të gjitha lidhen së bashku. Broshura Për Forcën e Rinisë jep mësim: “Shëndeti juaj emocional është gjithashtu i rëndësishëm dhe mund të ndikojë në mirëqenien tuaj shpirtërore e fizike. Zhgënjimi dhe trishtimi rastësor janë pjesë të kësaj jete të vdekshme. Megjithatë, nëse keni ndjenja si mërzia, mungesa e shpresës, ankthi ose depresioni, të cilat zgjasin për një kohë të gjatë, flisni me prindërit dhe peshkopin ose presidentin tuaj të degës dhe kërkoni ndihmë.”2

Përse gjejmë njerëz përreth nesh që duken të jenë më shumë energjikë dhe të lumtur? Një arsye kryesore janë zakonet. Nëse e shohim trupin tonë nga një këndvështrim shpirtëror dhe e kuptojmë se ai është “një tempull, një dhuratë nga Perëndia”, ne do ta duam atë dhe do ta mbajmë të shenjtë.3

Për mua, i shenjtë do të thotë i pastër, i ushqyer dhe i fortë. Një prej mënyrave se si Ati Qiellor na ndihmon t’i mbajmë trupat tanë të shenjtë është duke na dhënë Fjalën e Urtësisë. Broshura Për Forcën e Rinisë shpjegon: “Kur i bindeni [Ligjit të Urtësisë], ju mbeteni të lirë nga varësitë dëmtuese dhe keni kontroll mbi jetën tuaj. Ju fitoni bekimet e një trupi të shëndetshëm, një mendje të zhdërvjellët dhe drejtimin e Frymës së Shenjtë. Ju do të jeni të përgatitur t’i shërbeni Zotit. Kurrë mos e lejoni Satanin ose të tjerët t’ju bëjnë të mendoni se thyerja e Ligjit të Urtësisë do t’ju bëj më të lumtur, më të famshëm apo më tërheqës.”4 Ndërsa mbani Fjalën e Urtësisë, kujtoni se ju po kujdeseni si për trupin edhe për mendjen tuaj dhe se kjo ju lejon të “gje[ni] urtësi dhe thesare të mëdha diturie” (DeB 89:19).

Në vend që të jeni një zog që me përtaci shkëmben pendët, vishni atletet për ushtrime dhe jini aktivë. Ushtrohuni në mënyrë të vazhdueshme. Regjistrohuni në sportin tuaj të preferuar ose bëni miq me të cilët mund të vraponi ose të bëni veprimtari të tjera çlodhëse. Ndërsa bëni aktivitete fizike, ju stërvisni jo vetëm trupin tuaj por edhe mendjen tuaj. Ushtrimi forcon edhe shëndetin emocional. Mbani mend se gjëja më e rëndësishme nuk është se sa i shpejtë ose atletik jeni – më e rëndësishme është se sa i qëndrueshëm jeni. Ndërsa ushtroheni rregullisht, ju jo vetëm që do të jeni më të lumtur por do të bëheni edhe më të fortë, më të shëndetshëm dhe më të zgjuar. ◼

Shënime

  1. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 26-27.

  2. Për Forcën e Rinisë, f. 27.

  3. Për Forcën e Rinisë, f. 25.

  4. Për Forcën e Rinisë, f. 25.