Shkoni Pas Gjurmëve të Tij
Të bërit si Shpëtimtari është një proces gradual e për tërë jetën dhe ju mund të filloni duke ndërmarrë hapa të vegjël çdo ditë.
Shkrimet e shenjta na nxisin të bëhemi si Jezu Krishti dhe “të ec[im] edhe vetë sikurse ka ecur ai” (1 Gjoni 2:6). Por ndërmarrja e atij hapi të parë mund të jetë e vështirë – sidomos kur nuk dini se si t’ia filloni.
Ju do të gjeni ndihmë te manuali Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar. Ju mund të mendoni se është thjesht një manual për misionarët kohëplotë, por në fakt është një mjet i mrekullueshëm që mund t’ju ndihmojë të filloni punën për synimin tuaj për t’u bërë si Shpëtimtari. Kapitulli 6 është hartuar për t’ju ndihmuar juve të kuptoni dhe zbatoni nëntë cilësi të veçanta si të Krishtit.
Ja tek janë disa sugjerime për mënyrën se si ta përdorni manualin Predikoni Ungjillin Tim dhe shkrimet e shenjta ndërsa kërkoni të zhvilloni cilësi si të Krishtit:
Për të filluar shkoni tek Aktiviteti i Cilësive në fund të kapitullit 6 te Predikoni Ungjillin Tim (faqe 130). Ky aktivitet mund t’ju ndihmojë të përcaktoni se cilat cilësi janë aktualisht forcat tuaja shpirtërore dhe me cilat duhet të punoni.
Pas përfundimit të aktivitetit, zgjidhni me lutje një cilësi ku të përqendroheni. Merrni parasysh leximin e seksionit në kapitullin 6 rreth asaj cilësie.
Vendosni synime të veçanta e të matshme që do t’ju ndihmojnë ta zhvilloni këtë cilësi. Jepini vetes një afat kohor për të punuar për atë synim. Më pas, vlerësoni përparimin tuaj. Për shembull, nëse po përpiqeni të keni më shumë dashuri hyjnore, ju mund të vendosni një synim për të thënë gjëra pozitive rreth vëllait ose motrës suaj tri herë çdo ditë për një javë. Në fund të javës, ju do të vlerësoni se si ia dolët me synimin tuaj dhe do të bëni rregullime që do t’ju ndihmojnë të vazhdoni të përmirësoheni.
Predikoni Ungjillin Tim siguron shkrime të shenjta që t’i studioni me secilën cilësi. Ju mund t’i studioni me lutje shkrimet e shenjta të renditura dhe t’i shkruani përshtypjet që merrni teksa lexoni.
Kërkojini ndihmë Atit Qiellor që të zhvilloni një karakter si të Krishtit. Kërkoni ndihmë të veçantë si: “Të lutem më jep forcë për të mposhtur zemërimin tim kur motrat dhe vëllezërit më marrin gjërat e mia”. Sa më specifike të jenë lutjet tuaja, aq më e lehtë do të jetë për ju që të njihni përgjigjet e Zotit.
Të bërit si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është një proces gradual dhe një përpjekje e tërë jetës. Ndonjëherë mund të duket më e vështirë se fizika e përparuar. Por mos u dëshpëroni. Zoti na premton: “Ai [ose ajo] që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (DeB 50:24). Ndërsa marrim, studiojmë dhe zbatojmë dritë e të vërtetë dhe vazhdojmë të ndjekim Perëndinë çdo ditë, ne mund të sigurohemi se do të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.