2013
Përse dhe Çfarë Duhet t’i Rrëfej Peshkopit Tim?
Tetor 2013


Përse dhe Çfarë Duhet t’i Rrëfej Peshkopit Tim?

Plaku C. Skot Grou

Ndihma për ju që të pendoheni është një pjesë e veçantë e thirrjes së peshkopit. Ndërgjegjja juaj do t’ju tregojë se kur duhet të flisni me të.

Ju mund të pyesni veten përse ju jepet mësim t’i rrëfeheni peshkopit ose presidentit të degës suaj kur keni kryer mëkate serioze. Ju mund të thoni me vete: “A nuk është pendimi një gjë personale midis meje dhe Zotit? Nëse nuk sillem më keq dhe i jam rrëfyer Perëndisë, përse duhet të flas me peshkopin tim?”

A young woman seated across the desk from her bishop.

Ilustrime me foto nga Christina Smith

Përse të Flasim me Peshkopin dhe jo Dikë Tjetër?

Shumë të rinj ndihen më rehat kur ia rrëfejnë gabimet e tyre prindërve apo udhëheqësve të të rinjve. Ndonëse prindërit dhe udhëheqësit tuaj mund t’u ofrojnë mbështetje dhe këshillë të nevojshme, Zoti ka shpallur se peshkopi është një gjykatës i përbashkët në Izrael (shih DeB 107:72, 74). Ai ka përgjegjësinë për të vendosur për denjësinë e anëtarëve të lagjes së tij. Përmes shugurimit dhe të jetuarit të drejtë, peshkopi ka të drejtë për zbulesë nga Fryma e Shenjtë lidhur me anëtarët e lagjes së tij, duke ju përfshirë juve.

Peshkopi mund t’ju ndihmojë përmes procesit të pendimit në mënyra që prindërit ose udhëheqësit e tjerë nuk janë në gjendje t’i ofrojnë. Nëse mëkati është mjaft i rëndë, ai mund të përcaktojë që privilegjet tuaja në Kishë duhet të kufizohen. Për shembull, si pjesë e procesit tuaj të pendimit, ai mund t’ju kërkojë të mos e merrni sakramentin ose të mos e ushtroni priftërinë për një periudhë kohe. Ai do të punojë me ju dhe do të përcaktojë se kur do të jeni sërish të denjë për t’i rifilluar këto veprimtari të shenjta.

Peshkopi juaj do t’ju këshillojë mbi atë se çfarë të bëni për të forcuar aftësinë tuaj për t’i rezistuar tundimit. Ai mund t’ju nxisë të studioni një temë doktrinore, të tillë si pendimi, dhe më pas të ndani me të atë që mësuat. Ai mund t’ju kërkojë të takoheni me të çdo javë për t’i treguar se si po veproni për ta larguar veten nga situatat tunduese.

Kur Duhet të Flas me Të?

Ju mund të jeni duke menduar: “Kjo e gjitha tingëllon mirë, por si mund ta di nëse ajo që kam bërë është mjaft serioze saqë duhet të flas me peshkopin?” Përgjigjja e shkurtër: “Ndërgjegjja do t’jua thotë”. Kur të ndieni shpimin e ndërgjegjes, veproni menjëherë (shih Alma 34:31–34).

Lidhur me pendimin, mbreti Beniamin dha mësim: “Unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat; pasi ka mënyra dhe mjete të ndryshme, madje aq shumë sa unë nuk mund t’i numëroj ato” (Mosia 4:29). Kështu që, në vend që të jap një listë të hollësishme të gjërave që duhet t’i rrëfeni peshkopit tuaj, më lejoni të ndaj disa parime që do t’ju ndihmojnë ta merrni atë vendim.

Çfarë Duhet të Rrëfej?

E di se jeni përpjekur të jeni të bindur, por ndoshta keni bërë disa gabime – madje disa gabime të rënda. Shumë prej gabimeve që njerëzit bëjnë, mund të zgjidhen përmes lutjes personale dhe pendimit të sinqertë. Disa gabime, sidomos ato që lidhen me imoralitetin, kërkojnë rrëfim te peshkopi përpara se të mund të merrni faljen e Zotit.

Ndërsa mendoni për gabimet që keni bërë, ju mund të ndiheni fajtor, i pavendosur, i brengosur ose edhe i mjerë. Nëse po përjetoni ndonjërën prej këtyre ndjenjave, atëherë ju ndoshta duhet të flisni me peshkopin tuaj për ato gabime.

Mos u përpiqni të justifikoheni ose të arsyetoni për fajin tuaj. Ju mund të jeni duke menduar: “Do të ishte shumë sikletosëse t’i tregoja peshkopit mbi atë që kam bërë. Ai mendon se jam një person më i mirë sesa kaq. Ai do të tronditet nëse i tregoj se çfarë kam bërë. Ai nuk do të më pëlqejë më.”

Ju premtoj se ai nuk do t’ju dënojë. Si shërbëtor i Zotit, ai do të jetë i sjellshëm dhe i mirëkuptueshëm ndërsa ju dëgjon. Ai më pas do t’ju ndihmojë përmes procesit të pendimit. Ai është lajmëtari i mëshirës së Zotit që ju ndihmon të bëheni të pastër përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Zoti ka thënë: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.

Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij—vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato” (DeB 58:42–43).

Kur ju i rrëfeni dhe i braktisni mëkatet tuaja, Zoti do t’ju falë. Nuk do t’ju duhet t’i rrëfeheni Atij për ato mëkate kur të vijë koha që ju të gjykoheni.

Çfarë Ndodh nëse nuk Rrëfehem?

Ndonjëherë një person nuk do të veprojë më gabim por nuk do t’i rrëfehet kurrë, kur është e nevojshme, peshkopit të tij apo të saj. Si pasojë, personi vazhdon ta mbajë i vetëm barrën e mëkatit, në vend që ta lejojë Shpëtimtarin t’ia largojë atë.

Më lejoni t’ju jap një shembull. Një mbrëmje disa vite më parë, po intervistoja të rriturit për rinovimin e rekomandimeve të tyre të tempullit. Një mesogrua erdhi për intervistën e saj. Ajo ishte martuar në tempull dhe ishte aktive në Kishë gjithë jetën e saj.

Ndjeva një trishtim të thellë në shpirtin e saj. Ndërsa intervista vazhdoi, mora një mbresë shpirtërore. I thashë: “Motër, kam përshtypjen se ju keni kryer një gabim të rëndë kur ishit adoleshente që nuk ia keni rrëfyer një udhëheqësi të priftërisë. A do të jesh e gatshme të më tregosh për të?”

Ajo menjëherë filloi të qante. Ajo më tha se ishte e vërtetë, por ishte ndier gjithnjë tepër e sikletosur për t’ia rrëfyer atë një peshkopi. Ndërsa rrëfeu atë që kishte bërë, ajo tregoi hollësi të mjaftueshme për mua që të përcaktoja denjësinë e saj.

Rrëfimi i mëkatit të saj te një udhëheqës i priftërisë shënoi fundin e procesit të saj të pendimit në vend të fillimit. Ajo kishte mbajtur në mënyrë të panevojshme barrën dhe dhembjen e atij mëkati për më shumë se 30 vjet.

Për shkak se e përfundoi hapin e fundit të pendimit, faji i saj u fshi. Pas mbrëmjes së asaj interviste, do ta shihja atë herë pas here. Pamja e saj u bë e shndritshme dhe ajo ishte e lumtur.

Dua të dini se nuk e mbaj mend emrin e saj. Zoti mund t’i fshijë të tilla kujtime nga peshkopët. Ajo që vërtet mbaj mend është se, përmes rrëfimit tek udhëheqësi i saj i priftërisë, një mesogrua u lehtësua nga ndjenjat e fajit që i kishte mbajtur për tepër shumë vite.

Ju lutem mos e bëni atë gabim. Nëse keni ndjenja faji por nuk jeni të sigurt nëse duhet të rrëfeheni te peshkopi juaj, shkoni ta shihni atë. Lejojeni t’ju ndihmojë. Mos rrezikoni të mbani një barrë të panevojshme gjatë jetës suaj, që do t’ju lërë të ndiheni mjeranë. Përmes rrëfimit tuaj te peshkopi dhe pendimit tuaj, Zoti do ta heq atë barrë nga shpirti juaj (shih Isaia 1:18).

Përse Duhet të Pendohem?

A young woman seated across the desk from her bishop.

Jezu Krishti pagoi çmimin e mëkateve të të gjithë njerëzimit përmes sakrificës së Tij shlyese. Ai ju fton të pendoheni dhe të shmangni dhembjen dhe vuajtjen e tepërt. “Pendohu, përndryshe … vuajtjet e tua do të jenë të ashpra—sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë; …

Si rrjedhim, unë të urdhëroj përsëri të pendohesh … dhe që ti të rrëfesh mëkatet e tua, përndryshe do t’i vuash këto ndëshkime për të cilat unë kam folur” (DeB 19:15–17, 20).

Dëshmoj se, përmes vuajtjes së Tij, Jezu Krishti tashmë pagoi çmimin për mëkatet tuaja. Ju mund të faleni për aq sa pendoheni. Mos u përpiqni të paguani çmimin për mëkatet tuaja. Asnjë sasi e vetë vuajtjes suaj nuk do t’ju shëlbojë; është vetëm përmes Shlyerjes që ju merrni falje.

Ushtrofshi besim në Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij. Dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit se përmes pendimit, duke përfshirë rrëfimin te peshkopi juaj kur është e nevojshme, ju do të bëheni të pastër. Veç kësaj, përmes hirit të Shpëtimtarit – fuqisë së Tij ndihmuese – ju mund të forcoheni në aftësinë tuaj për t’i rezistuar tundimit në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ju do të keni paqe të mendjes dhe lumturi në këtë jetë dhe ju do të trashëgoni jetë të përjetshme në botën që vjen.