Ati Qiellor Dëshiron të Kthehemi Sërish tek Ai
Ju ndoshta keni shkuar më larg nga sa e mendoni në shtegun për t’u kthyer sërish tek Ati juaj Qiellor.
Prindërit e mi, Aparesido dhe Mersedez Soares, gjithmonë ëndërronin të shërbenin në një mision. Ata dëshironin ta shpërblenin Zotin për bekimet e shumta që i kishin ardhur familjes së tyre që nga koha kur ishin bashkuar me Kishën. Atyre iu erdhi mundësia në vitin 1989 kur pranuan thirrjen për të shërbyer në Tempullin e San-Paolos në Brazil.
Megjithatë, vetëm pak muaj pasi kishin filluar misionin e tyre, babai im pësoi një infarkt në zemër dhe ndërroi jetë. Gjatë funeralit të tij, e përqafova mamanë ndërsa qëndronim përpara arkivolit të babait.
“Mami, çfarë do të bësh tani?”, e pyeta.
“Unë dhe babai yt e ëndërruam këtë mision”, u përgjigj ajo. “Jam duke shërbyer ndërkohë dhe do të vazhdoj të shërbej – për të dhe për vete.”
Një president i dashur tempulli caktoi një vejushë tjetër që të shërbente si shoqe misioni me mamanë time dhe mamaja ime e vazhdoi misionin e saj për më shumë se 20 muaj. Shërbimi i saj misionar e bekoi atë dhe besimi e shembulli i saj më bekuan mua dhe familjen time.
Gjatë misionit të saj, edhe dy nga vëllezërit e mi ndërruan jetë dhe unë dhe bashkëshortja ime humbëm dy fëmijë. I pari lindi para kohe dhe nuk mbijetoi dhe të dytin e humbëm për shkak të një ndërprerjeje shtatzënie. Gjatë asaj kohe sprovuese për familjen tonë, mamaja ime ishte në tempull çdo ditë duke ripohuar besimin e saj – dhe duke forcuar besimin tonë – në planin e shpëtimit.
Besimi i saj për një ribashkim të lavdishëm me babanë tim dhe premtimi për jetë të përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor e përkrahën atë për 29 vjetët si vejushë deri në fund të ditëve të saj, në moshën 94‑vjeçare.
Plani i Lumturisë
Sa të bekuar jemi ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga njohuria se ungjilli është rivendosur! Plani i shpëtimit është me të vërtetë “plani [i] madh [i] lumturisë” (Alma 42:8). Të vërtetëve dhe besnikëve, ai iu premton një shpërblim të përjetshëm në praninë e Perëndisë.
Siç zbulohet te Doktrina e Besëlidhje, thuajse të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të hyjnë në një mbretëri lavdie. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ata të cilët do të dalin “në ringjalljen e të drejtëve” (Doktrina e Besëlidhje 76:17) do të bëhen të përsosur dhe do të trashëgojnë lavdinë çelestiale.
Shumica e anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e pranojnë këtë doktrinë. Fatkeqësisht, disa mund të mos besojnë se ajo gjen zbatim për ata personalisht. Ata bëjnë gabime. Përparimi i tyre shpirtëror, ndonëse i qëndrueshëm, është i ngadaltë. Ata pyesin veten nëse do të jenë ndonjëherë mjaft të mirë për mbretërinë çelestiale.
Nëse e gjeni veten në atë grup, kujtoni fjalët e Zotit ndaj një grupi tjetër besimtarësh: “Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua” (Mosia 24:13).
Perëndia na do dhe dëshiron që të gjithë ne të kthehemi sërish në praninë e Tij. Ju ndoshta keni shkuar më larg nga sa e mendoni në shtegun për t’u kthyer sërish tek Ai.
“Të Drejtë dhe të Vërtetë”
Te Doktrina e Besëlidhje seksioni 76, Zoti zbulon se si fëmijët e Tij mund ta trashëgojnë mbretërinë çelestiale. Nëse jeni një anëtar/e i/e Kishës dhe keni një dëshmi, ju tashmë e keni filluar shtegun tuaj, siç përshkruhet te Doktrina e Besëlidhje:
-
Ne duhet të marrim “dëshminë e Jezusit” dhe të besojmë “në emër të tij” (vargu 51).
-
Ne duhet të pagëzohemi me anë të zhytjes (shih vargun 51).
-
Ne duhet të “marri[m] Shpirtin e Shenjtë me anë të vënies së duarve” nga dikush që ka autoritetin e priftërisë (vargu 52).
Megjithatë, hapat e tjerë, duan një përpjekje gjatë gjithë jetës dhe disa anëtarë ndihen të shkurajuar kur nuk ia dalin t’i arrijnë. Ne të gjithë po punojnë për këto kërkesa. Falë Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë mund t’i arrijmë ato:
-
T’i zbatojmë urdhërimet dhe të “lahe[mi] e pastrohe[mi] nga gjithë mëkatet [tona]” (vargu 52).
-
Të “k[emi] sukses nëpërmjet besimit” (vargu 53).
-
Të “vulose[mi] me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit” (vargu 53), që është Fryma e Shenjtë, i cili i dëshmon “Atit se ordinancat [tona] shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur”1. Ati ua premton këtë vulosje të “gjithë at[yre] që janë të drejtë dhe të vërtetë” (vargu 53).
Të jesh “[i] drejtë dhe [i] vërtetë”, shpalli Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994), është “një shprehje e përshtatshme për njerëzit e guximshëm në dëshminë për Jezusin. Ata kanë kurajë për ta mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Këta janë anëtarë të Kishës që i lartësojnë thirrjet e tyre në Kishë (shih DeB 84:33), i paguajnë të dhjetën dhe ofertat e tyre, bëjnë jetë të pastër moralisht, i mbështetin udhëheqësit e tyre të Kishës me fjalë e vepra, e mbajnë Shabatin si një ditë të shenjtë dhe u binden të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.”2
Për të fituar shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, që shpesh i referohemi si ekzaltimi, ka një kërkesë të fundit. Ne duhet të hyjmë në “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës” (Doktrina e Besëlidhje 131:2), që kryhet në tempull nga autoriteti i duhur i priftërisë. Sipas planit të mëshirshëm të Atit tonë, ne e dimë se bekimet çelestiale do të bëhen të mundura në jetën tjetër për ata që nuk e kishin mundësinë për ordinancën e vulosjes në tempull në këtë jetë, por qëndruan besnikë deri në fund të jetës.
Ne mësojmë te Libri i Mormonit se të gjithë fëmijët e Perëndisë që i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe janë besnikë, pavarësisht nga rrethanat e jetës, do të bekohen dhe do të “m[erren] në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41). Ka gjithmonë shpresë për ne në planin e mëshirshëm dhe të dashur për shpëtim të Atit tonë Qiellor.
Bekimi i Pendimit
Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë mësim: “Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë të përparimit tonë të përjetshëm. Por Ai vërtet pret që ne të bëhemi gjithnjë e më të pastër. Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi.”3
Presidenti Nelson gjithashtu tha se “të bër[it] dhe … të qenit pak më i mirë çdo ditë” na sjell “fuqinë forcuese”4. Ndërsa e përdorim atë fuqi forcuese kundër burrit ose gruas së natyrshme (shih Mosia 3:19), ne përparojmë më tepër përgjatë shtegut për t’u kthyer sërish tek Ati ynë.
Për shkak se asgjë e papastër nuk mund të banojë në praninë e Perëndisë (shih Moisiu 6:57), ne punojmë çdo ditë për transformimin e mirëfilltë shpirtëror – në mendimet tona, dëshirat tona dhe sjelljen tonë. E thënë me fjalët e Apostullit Pal, ne kërkojmë të bëhemi krijesa të reja në Krisht, duke e zëvendësuar gradualisht veten në [natyrën] e vjetër me atë të renë (shih 2 Korintasve 5:17). Ky ndryshim vjen rresht pas rreshti ndërsa përpiqemi fort për të qenë pak më të mirë çdo ditë.
Të ndjekësh Shpëtimtarin duke u përpjekur për t’u bërë si Ai është një proces vetëmohimi, që Ai e ka përcaktuar si marrjen e kryqit tonë (shih Mateu 16:24–26). Ne e marrim kryqin tonë ndërsa:
-
Kontrollojmë dëshirat, orekset dhe pasionet tona.
-
Me durim “[u] nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi” ne (Mosia 3:19).
-
I mohojmë vetes çdo ligësi (shih Moroni 10:32).
-
Ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit, siç bëri Shpëtimtari.
Dhe çfarë bëjmë kur gabojmë? Ne i drejtohemi Ati tonë dhe i kërkojmë Atij të “përdor[ë] gjakun shlyes të Krishtit, që ne të mund të marrim faljen e mëkateve tona” (Mosia 4:2). Ne përsëri përpiqemi fort t’i mposhtim dobësitë dhe ta braktisim mëkatin. Ne lutemi për hirin, “fuqinë aftësuese dhe shërimin shpirtëror” të Jezu Krishtit.5 Ne e marrim kryqin tonë dhe rifillojmë rrugëtimin tonë, sado i gjatë dhe i vështirë të jetë, drejt tokës së premtuar, në praninë e Tyre.
Mirëbesoni në Premtimet e Tij
Pavdekësia jonë dhe jeta e përjetshme janë vepra dhe lavdia e Perëndisë (shih Moisiu 1:39). Puna jonë për ta arritur atë lavdi përfshin të qenit të guximshëm në dëshminë tonë ndërsa jemi në tokë.
Në vegim, Profeti Jozef Smith pa se besnikët “do të mposhtin gjithçka” (Doktrina e Besëlidhje 76:60). Më vonë, ai shpalli: “Të gjitha fronet dhe zotërimet, principatat dhe fuqitë do të zbulohen e do të shpallen mbi ata që kanë duruar me besnikëri për ungjillin e Jezu Krishtit” (Doktrina e Besëlidhje 121:29).
Ndërsa mirëbesojmë te këto premtime, ne nuk do të heqim dorë nga vetvetja, të dashurit tanë ose nga fëmijët e tjerë të Perëndisë. Ne do të përpiqemi fort të bëjmë më të mirën tonë dhe t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. I vetëm, asnjëri prej nesh nuk do të jetë kurrë mjaft i mirë sa të shpëtohet në mbretërinë çelestiale, por “nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8) ai bekim mbetet i arritshëm.
Ndërsa qëndrojmë besnikë, unë dëshmoj se ne do të trashëgojmë “një gjendje lumturie të pafund” në praninë e Atit dhe Birit. “O, kujtoni, kujtoni se këto gjëra janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi i ka folur” (Mosia 2:41).