Eja, Më Ndiq
Mposhtja e Kundërshtimit
28 Qershor – 4 Korrik
Te zbulesa në Doktrina e Besëlidhje 71 iu thuhet Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit që të shkojnë dhe predikojnë në përpjekje për të qetësuar ndjenjat armiqësore që ishin ngritur kundër Kishës për shkak të kritikave nga anëtarët që kishin humbur besimin e tyre. Mbi 100 vjet më vonë, Plaku Spenser W. Kimball, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pati një përvojë të ngjashme predikimi për të mbrojtur Kishën.
Vizita e Plakut Kimball në Ekuador
Gjatë një vizite në Otavalo, Ekuador, në vitin 1965, Plaku Kimball u tha misionarëve t’ua paraqitnin Librin e Mormonit otavalanëve vendas. Megjithatë, misionarët hasën rezistencë kur otavalantët filluan të përhapnin gënjeshtra rreth tyre në fshatrat përreth dhe misionarët luftuan për t’i mposhtur pavërtetësitë.
Dy vjet më vonë, Plaku Kimball u bashkua me disa anëtarë dhe misionarë në një mbledhje afër një stacioni autobusi të zonës. Kur banorët e asaj zone zbritën nga autobusët, misionarët i ftuan ata të dëgjonin një Apostull të gjallë të Jezu Krishtit. Shpejt, rreth 20 njerëz u mblodhën. Ndërsa misionarët filluan mbledhjen, turma arriti në më shumë se 100 vetë.
Pastaj foli Plaku Kimball. Ai tregoi për ardhjen e Jezu Krishtit në kontinentin amerikan. Ai drejtoi gishtin nga qielli dhe foli për zërin e vogël dhe të qetë nga qiejt që njoftoi shfaqjen e Birit të Perëndisë, siç gjendet në Librin e Mormonit. Plaku Kimball kujtoi: “Çdo sy e ndiqte lëvizjen time drejt qiellit sikur Shpëtimtari të ishte vërtet atje duke ardhur përmes reve të rralla”1.
Pas kësaj, misionarët vazhduan përpjekjen për t’u dhënë mësim otavalanëve. Motrat misionare i dhanë mësim një burri që quhej Rafael Tabango, i cili u pagëzua më 14 korrik 1968 – shenjtori i parë otavalan vendas i ditëve të mëvonshme. Bashkëshortja e tij, Tereza, gjithashtu u bashkua me Kishën. Më pak se 15 vjet më vonë, në Otavalo u organizua një kunj, me Vëllanë Tabango të thirrur si patriarku i parë.