2021
Bekimi për Paraardhësit e Mi
Korrik 2021


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Bekimi për Paraardhësit e Mi

Kur mora bekimin tim patriarkal, zemra m’u mbush me dashuri për paraardhësit e mi.

Abigahel Kinic holdidng up chart with family history information

Fotografia nga Richard M. Romney

Unë linda në Kamerun, në tokën e paraardhësve të mi. Pastaj emigrova në Francë, ku jetova, studiova dhe punova si infermiere në spitale të ndryshme në Paris. Tani jetoj në Montreal, ku ende punoj si infermiere.

E kam kërkuar për vite Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit. Kur takova misionarët në Paris, Fryma e Shenjtë më dëshmoi se më në fund kisha gjetur atë që po kërkoja – Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. U mbusha me kaq shumë gëzim saqë mendova mos vallë ndodhesha në parajsë! Isha e vendosur që ta jetoja ungjillin plotësisht.

M’u mësua që të bëja kërkime për paraardhësit e mi dhe të bëja ordinanca në tempull në emër të tyre. Kur mora bekimin tim patriarkal, m’u tha që do të bëhesha një shpëtimtare në malin e Sionit dhe do t’i sillja shpëtim familjes sime. Zemra ime u mbush me dashuri për ta dhe nuk mund t’i lija në baltë. Që nga ajo kohë, kam punuar pa u lodhur për historinë familjare dhe gjenealogjinë.

Gjithmonë e kam ditur se u linda në një familje mbretërore të Kamerunit, familjen Bamoun. Tradita gojore dhe gojëdhëna thonë se ky popull erdhi nga Asiria dhe u përzje me njerëz të tjerë gjatë migrimeve të tyre. Ata e kanë mbajtur gjenealogjinë e tyre dhe e kanë shkruar historinë e tyre që nga viti 1 300 ps.K. Dokumentet janë në bibliotekën e pallatit mbretëror. Midis shumë historive të tjera, ato tregojnë historinë e stërgjyshit tim nga mamaja, Fon-gouhout, i cili mbretëroi nga viti 1818 deri në vitin 1863.

Pata mundësi të kthehesha në vendlindjen time dhe si pjesëtare e familjes Bamoun m’u dha e drejta t’i përdorja këto dokumente. Gjithashtu vizitova mbretin, u takova me zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe u fola autoriteteve rreth Kishës dhe interesimit të saj për historinë familjare. Jam mirënjohëse që falë ungjillit të rivendosur, unë mund të bëj pjesën time për të bekuar vendlindjen time dhe paraardhësit e mi.