Eja, Më Ndiq
“Unë do t’ju Udhëheq përgjatë Udhës”
Ndonëse nga ana shpirtërore mund të jemi si fëmijë, Zoti do të na drejtojë nëse i mirëbesojmë Atij.
Te Doktrina e Besëlidhje 78:17–18, Shpëtimtari thotë:
“Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, ju jeni fëmijë të vegjël dhe ju nuk keni kuptuar ende ç’bekime të mëdha Ati Qiellor ka në duart e tij dhe ka përgatitur për ju;
Dhe ju nuk mund t’i duroni të gjitha gjërat tani; megjithatë, merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës. Mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat.”
Ndërsa secili prej nesh mendon rreth përvojave të veta në jetë, ne me siguri do të sjellim ndër mend raste kur Zoti na ka udhëhequr.
Besimi i një Misionari
Më kujtohet njëherë kur Zoti drejtoi disa njerëz. Po shërbeja si president misioni në Misionin e Brazilit Jugor, Porto-Alegre. Njëri nga misionarët tanë kishte një problem shëndetësor që quhej cheliopalatoskizë (buzë lepuri), që nuk ishte kuruar kurrë. Kur ai fliste, ajri kalonte përmes pjesës së sipërme të gojës dhe dilte nga hunda. Ishte e vështirë që të tjerët ta kuptonin.
Ky plak [eldër] i ri në moshë më tha se ishte lutur për problemin e tij. Ai tha se Shpirti i pëshpëriti se unë do ta ndihmoja atë që të gjente një përgjigje. Besimi i tij i thjeshtë dhe i fortë më frymëzoi. Iu drejtova Perëndisë për ndihmë që të gjeja një zgjidhje.
Një operacion i thjeshtë mund ta korrigjonte problemin por bërja e tij nuk ishte një proces i thjeshtë. Nëse do ta bënim në klinikë private, do të kushtonte shumë shtrenjtë për familjen e këtij misionari. Nga ana tjetër, të përdorje sistemin shëndetësor publik do të kërkonte një sërë takimesh dhe me gjasë do të shpenzonte muajt që i kishin mbetur nga misioni.
Besimi i Bashkëshortes Sime
Çdo herë që kam një mision të vështirë për të përmbushur, mbështetem te besimi dhe ndihma e bashkëshortes sime. Ia shpjegova asaj dilemën e këtij misionari dhe i kërkova asaj të fliste me [personelin] në spitalin shtetëror të vendit. A kishte ndonjë mënyrë që operacioni të mund të bëhej pa asnjë pagesë dhe brenda periudhës kohore në dispozicion?
Pasi u lutëm për ndihmë, bashkëshortja ime shkoi në spital. Ajo hyri në një radhë të gjatë me njerëz që prisnin të flisnin me një punonjëse te shërbimi i informacionit. Ndërsa i afrohej radha, bashkëshortja ime mundi të dëgjonte se si po trajtoheshin rastet përpara saj. Zakonisht, njerëzve iu thuhej që të ktheheshin për një takim brenda gjashtë muajve, nganjëherë edhe më shumë.
Bashkëshortja ime e dinte se kjo do të ishte kohë shumë e gjatë për misionarin tonë. Ajo ndjeu nxitjen të largohej nga radha dhe të shkonte në një derë tjetër. Atje ajo gjeti një punonjës tjetër të spitalit. Bashkëshortja ime u prezantua dhe i shpjegoi nevojën e misionarit tonë.
Punonjësi e udhëzoi atë që të fliste drejtpërdrejt me kirurgun, i cili ishte në spital atë ditë duke kryer një operacion në një kat tjetër. Ajo i shpjegoi kirurgut se çfarë bëjnë misionarët dhe se si ky misionar do të bekohej po ta bënte operacionin për të rregulluar anomalinë e gojës.
Kirurgu i bëri disa pyetje. Pastaj ai tha: “A mund ta caktojmë operacionin brenda dy javësh?” Ai plotësoi një formular të spitalit që shpjegonte se ky operacion ishte në interes të komunitetit dhe se ai ishte i interesuar ta kryente vetë. Ai ia dorëzoi formularin ndihmësit të tij dhe i kërkoi të caktonte datën.
Dhjetë ditë më vonë, kirurgu e operoi misionarin tonë. Shpejt ky plak u kthye sërish në fushë, i gëzuar dhe duke folur me një zë të qartë. Me një entuziazëm të përtërirë, ai e dinte se Zoti e kishte udhëhequr përgjatë udhës.
Përvoja e këtij misionari është një dëshmi se Ati ynë i dëgjon lutjet tona dhe na udhëheq prej dore.
Pa Perëndinë, Jemi një Hiç
Duke folur nga ana shpirtërore, ne jemi si fëmijët e vegjël. Ne nuk i kuptojmë bekimet e mëdha që Ati Qiellor ka përgatitur për ne. Ndërsa rritemi fizikisht, ne fillojmë të kuptojmë më shumë për ligjet e tokës që qeverisin jetën tonë. Por ne nuk duhet të lejojmë asnjëherë që njohuritë e botës të bëhen më të rëndësishme sesa kuptueshmëria për bekimet e mëdha që Ati në Qiell i ka ruajtur për ne.
Moisiu, një profet i madh i Dhiatës së Vjetër, pati një përvojë që i tregoi atij se sa pak dinte ai në të vërtetë. Pasi ai “vuri re botën dhe skajet e saj dhe gjithë fëmijët e njerëzve që janë e që u krijuan; për këtë ai u mahnit dhe u çudit shumë”. Pastaj Perëndia u largua. Moisiu u la vetëm dhe ai ra përtokë.
“Dhe ndodhi që ishte për hapësirën e shumë orëve përpara se Moisiu mori përsëri forcën e tij natyrore të një njeriu; dhe ai tha me vete: Tani, për këtë shkak, unë e di se njeriu është një hiç, gjë të cilën kurrë nuk e kisha menduar më parë” (Moisiu 1:8–10).
Nëse Zoti do të na i kishte treguar të gjitha gjërat që mund të bënim me fuqinë e Tij, ndoshta do të ndiheshim të mbingarkuar. Ashtu si Moisiu, ne do të shihnim se pa Perëndinë jemi një hiç.
Hap pas Hapi
Por në vend që të na mbingarkojë, Zoti na udhëheq përgjatë udhës, hap pas hapi. Kjo na lejon të arrijmë shumë më tepër nga sa do të arrinim të vetëm.
“‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti.
Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:8–9).
Ashtu siç Zoti thotë te Doktrina e Besëlidhje 78:18, ne “nuk mund t’i duro[jmë] të gjitha gjërat tani”. Ne ende nuk mund ta kuptojmë gjithçka që Ai kupton. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Zoti përgjigjet: “Merrni zemër!”
Të ecësh në shtegun e besëlidhjeve duke marrë zemër përfshin të qenit i përulur, si një fëmijë i vogël. Ne duhet të jemi të gatshëm të marrim mësim dhe të udhëhiqemi nga Ati (shih Doktrina e Besëlidhje 112:10). Jeta është kaq e ndërlikuar saqë ndoshta nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha hollësitë e rrugëtimit tonë. Dhe nuk mund ta kuptojmë çdo gjë që ne, ose njerëzit tanë të dashur, kalojnë këtu në tokë.
Por kur mirëbesojmë te Zoti dhe e lejojmë Atë të na udhëheqë për dore, ne mund të arrijmë më shumë në mbretërinë e Tij nga sa ndofta mund të përfytyronim. Ne do të jemi më shumë në gjendje të bekojmë jetën e fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Ne do të jemi më shumë në gjendje ta dallojmë dorën e Shpëtimtarit në jetën tonë. Ne do të jemi më shumë në gjendje të ndiejmë mirënjohje për mëshirën dhe dashurinë e Tij të pafundme.
Bekimet janë Tuajat
Përfundimisht, Zoti na udhëheq duke na kujtuar se “mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat” (Doktrina e Besëlidhje 78:18).
I kthehem shembullit të misionarit tim. Ai u drejtua që të kërkonte ndihmë dhe u bekua me një operacion që tani e lejon të komunikojë qartë. Ai pastaj u drejtua nga ata që ishin gati për ta marrë ungjillin dhe bekimet e tij, përfshirë pagëzimin. Gjithashtu shoh edhe shembullin e bashkëshortes sime. Dëshmia e saj u rrit edhe më e fortë ndërsa Zoti e drejtoi atë. Ai më pas hapi pragjet e qiellit dhe derdhi një bekim.
Jam mirënjohës që fillova të punoja me këtë misionar të ri, i cili ishte i mbushur me besim të thjeshtë e të fuqishëm. Dhe jam mirënjohës që mund të jetoj përjetësisht me bashkëshorten time, e cila jep një shembull të lejimit të Zotit për ta udhëhequr përgjatë udhës.
Me të vërtetë mbretëria dhe bekimet janë tuajat.