Si Mund të Sillemi Lidhur me Keqtrajtimin
Këtu janë disa sugjerime për viktimat e keqtrajtimit, udhëheqësit e tyre të Kishës dhe familjet e tyre.
Shpëtimtari foli me seriozitet për keqtrajtimin: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit” (Mateu 18:6; shih edhe Marku 9:42; Lluka 17:2).
Keqtrajtimi është trajtimi i gabuar ose shpërfillja e të tjerëve (të tillë si një fëmijë ose një bashkëshort/e, të moshuarit ose personat me aftësi të kufizuar) në një mënyrë që shkakton dëm fizik, emocional ose seksual. Qëndrimi i Kishës është që keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë.
Idetë në vijim mund të ndihmojnë, qoftë nëse jeni një viktimë e keqtrajtimit ose udhëheqësi i Kishës apo prindi i viktimës.
Për Viktimën
Si viktimë1 e keqtrajtimit, nuk jeni fajtor/e për keqtrajtimin që keni përjetuar, as nuk keni përse të merrni falje për veprimet që dikush ka ndërmarrë kundrejt jush. Ju mund të pyesni veten se si Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë që të shëroheni. Ju mund të mendoni se flijimi shlyes i Shpëtimtarit ishte vetëm për ata që mëkatojnë dhe kanë nevojë të pendohen.
Ndaj, vallë si ju ndihmon Shpëtimtari? Për shkak të flijimit të Tij, Ai ju kupton. Shpëtimtari ka ndjeshmëri hyjnore. Ndonëse mund të mos e dimë me saktësi se si Shpëtimtari ishte në gjendje të ndiente të gjitha dhembjet tona, ne mund të kemi besim se Ai e kupton, në mënyrë të përsosur, çdo burrë, grua dhe fëmijë (shih 2 Nefi 9:21). Ai mund të sigurojë paqe dhe forcë për të ecur përpara.2
Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari i ndihmon ata që janë lënduar. Ai mund të ndihmojë “duke na shëruar dhe dëmshpërblyer për çfarëdo vuajtje që durojmë pafajësisht”3.
Pavarësisht se kur ose se si shkelësi mbahet përgjegjës, ju mund të “jini të sigurt se Gjykatësi i Përsosur, Jezusi Krishti, me një njohuri të përsosur të hollësive, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë abuzuesit, për çdo veprim të padrejtë”4. Gjithashtu dijeni se ata “që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”5.
Për Udhëheqësit e Kishës
Të gjithë udhëheqësve dhe mësuesve/eve që u shërbejnë të rinjve e të rejave dhe fëmijëve, u kërkohet të bëjnë kursin në internet “Mbrojtja e Fëmijëve dhe e Rinisë”6.
Asnjë udhëheqës i Kishës kurrë nuk duhet të heqë dorë nga një raportim për keqtrajtim apo të këshillojë një anëtar që të mos e raportojë veprimtarinë kriminale.7 Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës duhet t’i përmbushin të gjitha detyrimet ligjore për t’ua raportuar keqtrajtimin autoriteteve civile. Megjithatë, zonat kanë ligje të ndryshme për raportimin. Disa zona kërkojnë që klerikët të vihen në kontakt me autoritetet ligjore, por zona të tjera e ndalojnë këtë gjë.
Është e rëndësishme që udhëheqësit të kuptojnë se viktimat e keqtrajtimit mund ta kenë të vështirë t’u mirëbesojnë të tjerëve – sidomos atyre në pozicione autoriteti. Situata mund të jetë e vështirë nga ana emocionale; vështirësia e viktimës për të folur në lidhje me të mund të mos ketë fare lidhje me ju personalisht. Takimi vetëm me udhëheqësit mund të jetë frikësues për viktimat e keqtrajtimit. Viktimat mund të ftojnë një të rritur që i mirëbesojnë, që të jetë me ta kur takohen me udhëheqës të priftërisë.8
Pavarësisht se kur dikush është keqtrajtuar, ai ose ajo mund të përfitojë nga përkrahja dhe ndihma profesionale. Shumica e viktimave shërohen më mirë kur ndjenjat e tyre vlerësohen, ata ndihen të sigurt dhe të mbrojtur, ata ndiejnë se dikush u beson atyre dhe e kuptojnë se si keqtrajtimi ka ndikuar tek ta. Përkrahja mund t’i ndihmojë ata të gjejnë paqe dhe të mos ndihen vetëm kur kërkojnë të gjejnë shërbim.9
Standardi duhet të jetë të ngrihesh kundër keqtrajtimit, pavarësisht se kush është i përfshirë. Megjithatë, kur shkelësit janë në pozicione autoriteti dhe mirëbesimi, keqtrajtimi është më i rëndë dhe mund të jetë më i dëmshëm për viktimën. Për ata në pozicione mirëbesimi që i keqtrajtojnë të tjerët, duhet të mbahet një standard më i lartë sepse kanë shkelur besimin e viktimës. Kisha ka një rregullore që nuk e toleron në asnjë mënyrë keqtrajtimin, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për ata/o në pozicione mirëbesimi dhe autoriteti.
Për Prindërit
Edhe pse historitë e keqtrajtimit nga dikush me autoritet marrim më shumë vëmendje në lajme, viktimat keqtrajtohen më shpesh nga dikush që e njohin. Shkelësi mund të jetë një pjesëtar/e i/e familjes, një i/e afërm/e ose fqinj. Shkelësi mund të jetë në çfarëdo moshe. Shkelësi rrallë herë është plotësisht një i panjohur.10
Por ka një numër shenjash keqtrajtimi që mund t’ua mësojmë fëmijëve tanë me qëllim që t’i ndihmojmë ta dallojnë dhe shmangin atë. U mësoni fëmijëve se nëse dikush u kërkon atyre të bëjnë diçka që e dinë se është e gabuar, ata mund të thonë ‘jo’. Këtu janë disa shembuj të mënyrave se si shkelësit mund t’i detyrojnë, kërcënojnë ose joshin viktimat:
-
Fajtorët përdorin pozicionin, autoritetin, moshën, madhësinë trupore ose njohuritë e tyre për ta detyruar viktimën të bëjë atë që ata dëshirojnë.
-
Ata thonë se nuk duan të jenë mik i viktimës nëse viktima nuk bën atë që ata thonë.
-
Ata marrin diçka dhe nuk e kthejnë atë nëse viktima nuk bën atë që ata thonë.
-
Ata kërcënojnë se do të përhapin gënjeshtra për viktimën nëse viktima nuk iu jep atë që ata duan.
-
Ata ofrojnë dhurata, favore ose shpërblime të tjera për të marrë atë që duan.
-
Ata u thonë viktimave se askush nuk do t’u besojë atyre dhe se do të futen në telashe nëse do t’i tregojnë dikujt për keqtrajtimin.
-
Ata kërcënojnë që do ta lëndojnë viktimën ose një njeri të tyre të dashur nëse viktima nuk bën atë që ata thonë.11
Sjellja lidhur me keqtrajtimin është një situatë e ndërlikuar. Nuk ka përgjigje të thjeshta, por ne mund të gjejmë ngushëllim të madh te fjalët e Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Nuk ka dhembje fizike, as plagë shpirtërore, as ankth të shpirtit apo të zemrës, as dobësi apo lëngatë që ju ose unë do të hasim ndonjëherë në vdekshmëri, të cilën Shpëtimtari nuk e përjetoi fillimisht. Në një çast dobësie ju mund të thërrisni: ‘Askush s’e di si është. Askush s’e kupton.’ Por Biri i Perëndisë di dhe kupton në mënyrë të përsosur, sepse Ai i ka ndier dhe i ka mbajtur barrët tona vetjake. Dhe për shkak të flijimit të Tij të pafund dhe të përjetshëm (shih Alma 34:14), Ai ka dhembshuri të përsosur dhe mund të na e shtrijë krahun e Tij të mëshirës. Ai mund të na arrijë, prekë, ndihmojë, shërojë e forcojë që të jemi më shumë sesa mund të ishim ndonjëherë dhe që të na ndihmojë të bëjmë atë që nuk mund ta bënim kurrë duke u mbështetur vetëm mbi vetë fuqinë tonë.”12
Iu drejtofshim Princit të Paqes dhe nëpërmjet Tij gjetshim shpresë dhe shërim!