Bazat e Ungjillit
Ati ynë Qiellor Dëshiron që Ne të Jemi të Lumtur
Ndërsa kujtojmë planin e Perëndisë për lumturinë, ne mund të gjejmë gëzim edhe kur jeta është e vështirë.
Përpara se të lindnim në tokë, ne të gjithë jetuam me Atin Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë. Ai paraqiti një plan për t’i ndihmuar fëmijët e Tij që të mësojnë dhe të rriten. Nëpërmjet planit të Tij, ne mund të bëhemi më shumë si Ai dhe të jemi të denjë që të gëzojmë jetën e përjetshme. Ky plan është i mundur pasi Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, erdhi në tokë që të vuante për mëkatet tona, një flijim që quhet Shlyerje.
Plani i Atit Qiellor quhet plani i
-
lumturisë (shih Alma 42:8),
-
shpëtimit (shih Moisiu 6:62),
-
shëlbimit (shih Jakobi [LiM] 6:8), ose
-
mëshirës (shih Alma 42:15).
Siç e tregojnë këto dhe shkrime të tjera të shenjta, Ati Qiellor dëshiron që ne të bëhemi si Ai, të kthehemi tek Ai dhe të jemi vërtet të lumtur (shih Moisiu 1:39).
Ne Vijmë në Tokë për të Mësuar dhe për t’u Rritur
Perëndia na dërgoi në tokë, ku mund të kishim një trup fizik (shih Zanafilla 1:26–27). Ne kishim nevojë për trupa që na ndihmojnë të provojmë jetën në tokë.
Perëndia e dinte se ne nuk do të ishim të lumtur gjatë gjithë kohës. Ne përjetojmë zhgënjime, dhembje madje dhe vdekje. Por nëpërmjet sfidave të jetës, Ati Qiellor na ndihmon të mësojmë dhe të rritemi.
Perëndia gjithashtu na dha lirinë e zgjedhjes, aftësinë për të zgjedhur midis të mirës dhe të ligës. Ai na lejon të zgjedhim vetë se çfarë të mendojmë dhe bëjmë. Ai na ka dhënë shkrime të shenjta dhe profetë të gjallë që na ndihmojnë të mësojmë të zgjedhim atë që është e drejtë (shih Abraham 3:25).
Përpiquni të Jeni si Jezu Krishti
Perëndia nuk na dërgoi në tokë pa na dhënë një shembull për ta ndjekur (shih Gjoni 13:15). Ai dërgoi Birin e Vet, Jezu Krishtin, që të na tregojë mënyrën. Që të mësojmë se si ta ndjekim Atë, mund të lexojmë shkrimet e shenjta për të mësuar se kush është Ai dhe se çfarë bëri Ai gjatë jetës së Tij në tokë. Ne gjithashtu mund të bëjmë më të mirën tonë për t’u bërë si Krishti duke iu bindur Perëndisë dhe duke i dashur të tjerët.
Kur bëjmë gabime, ne kërkojmë falje dhe mbështetemi te fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit që të na ndihmojë të ndryshojmë. Ne mund të jemi të lumtur ndërsa përpiqemi çdo ditë për t’u bërë më shumë si Ai.
Vdekja nuk është Fundi
Kur vdesim, shpirtrat tanë shkojnë në botën e shpirtrave. Atje vazhdojmë të mësojmë ndërsa përgatitemi për Ringjalljen.
Gjatë Ringjalljes, trupat dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen. Trupat tanë do të jenë të përsosur dhe kurrë më nuk do të provojmë vdekje ose sëmundje. (Shih Alma 11:44–45.) Ashtu si Jezu Krishti vdiq dhe erdhi në jetë sërish, ne të gjithë do të jetojmë sërish.
Kur Perëndia të na gjykojë, Ai do të marrë parasysh veprimet tona dhe dëshirat tona. Nëse jemi përpjekur t’i zbatojmë urdhërimet dhe premtimet që i bëmë Atit Qiellor, atëherë ne mund të jetojmë me Të sërish.
Jeta me Perëndinë dhe Familjet Tona në Qiell
Në mbretërinë çelestiale, do të jetojmë me Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Gjithashtu do të jemi në gjendje të jetojmë atje me familjet tona përgjithmonë nëse jemi vulosur me ta. Ne do të gjejmë paqe, lumturi dhe çlodhje (shih Mosia 2:41).
Jeta jonë në tokë ndonjëherë mund të jetë e vështirë, por nëse e ndjekim Jezu Krishtin, mund të gjejmë gëzim në këtë jetë dhe lumturi të përjetshme në jetën që do të vijë.
Çfarë Thonë Shkrimet e Shenjta për Planin e Lumturisë?
Mënyra se si e jetojmë jetën tonë është e rëndësishme. Perëndia do të na gjykojë dhe shpërblejë sipas mendimeve dhe veprimeve tona. (Shih Alma 41:3.)
Satani është armiku i lumturisë sonë. Ai na tundon që ta keqpërdorim jetën tonë në tokë dhe të mëkatojmë. Ai dëshiron që të bëhemi të mjeruar si ai. (Shih 2 Nefi 2:27.)
Kur kemi besim në planin e Perëndisë për ne, mund të kemi paqe pavarësisht se me çfarë sprovash përballemi. Ne mund të presim me shpresën që të jetojmë përgjithmonë me Perëndinë. (Shih Doktrina e Besëlidhje 59:23.)