Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Të Lutem, Kthehu
Në kohën kur kishim tre fëmijë, Vanesa tha: “Kemi nevojë për fe në këtë shtëpi”.
Kur isha 12 vjeç, vëllai im më i madh solli në shtëpi misionarë kohëplotë, të cilët na njohën me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shpejt mamaja ime filloi të na çonte mua, dy vëllezërit dhe motrën time në kishë. Nuk kaloi shumë kohë dhe të gjithë u pagëzuam.
Megjithatë, pak nga pak, ndaluam së frekuentuari atë. Gjithmonë më ka pëlqyer Kisha, por kur isha 17 vjeç, gjërat në jetën time më drejtuan në një shteg të ndryshëm. U përpoqa të isha një njeri i mirë, dhe s’kam pasur kurrë zemër të keqe. Por humba dhe fillova të jetoja sipas mënyrave të botës. Pa dijeninë time ose pa e kuptuar atë, bota më mbërtheu.
Pastaj takova Vanesën. Një ditë, pasi kishim kohë që ishim bashkë, ajo tha: “Kemi nevojë për fe në këtë shtëpi”. Deri në atë kohë, kishim tre fëmijë.
Me këtë botë të këtillë, u shqetësuam se çfarë drejtimi shpirtëror do t’u jepnim fëmijëve tanë. Mendova se po t’i kthehesha fesë, do të kthehesha në kishën time. Më kujtohej që ishte një vend me njerëz të mirë.
Fola me një anëtar të Kishës dhe i thashë se po mendoja të kthehesha në kishë.
“Të lutem, kthehu!” tha ai.
Shqetësimi im më i madh ishte se fëmijët e mi do të mendonin se kisha ishe e mërzitshme dhe nuk do ta pëlqenin, por ata e pëlqyen vërtet. Ndërsa vazhdonim të shkonim në kishë, Vanesa doli në përfundimin se nuk kishte asgjë tjetër të ngjashme me Kishën që i ndihmon familjet të rriten së bashku. Kjo ishte pikërisht ajo që po kërkonte. Unë dhe Vanesa u martuam dhe, ajo bashkë me fëmijët tanë u pagëzuan.
Tani po ecim në shtegun e ungjillit si familje. Synimi ynë është të vulosemi së bashku në tempull.
Gjatë ndërtimit të Tempullit të Rio-de-Zhaneiros në Brazil, i kaloja afër pothuajse çdo ditë. Miqve të mi u thoja: “Një ditë do të martohem në këtë ndërtesë”.
“Shoku, t’i thua çdo ditë të njëjtën gjë!” më thonin ata.
E thoja atë çdo ditë pasi e dija se tempulli po arrinte drejt përfundimit dhe doja të kujtoja veten që të vazhdoja të bëja gjërat e drejta në mënyrë që familja ime të mund të vulosej së bashku. Kjo është dëshira e zemrës sime.
E di që fëmijët e mi do të fillojnë të mësojnë më shumë rreth botës dhe do të kalojnë nëpër ca nga po ato gjëra që kalova dhe unë. Por ndërsa ua tregoj atyre përvojat e mia, u them: “Ju lutem, as mos iu afroni gjërave që bëra unë sepse nuk ia vlejnë”.
Unë i nxit fëmijët e mi që ta studiojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe të përqendrohen tek të qenit misionarë tani që të mund t’i bekojnë të tjerët. Ata nuk e kuptojnë çdo gjë, por po mësojnë. Kjo është ajo që dëshiroj për ta.