2022
Si të Bëhemi të Ripërtërirë Emocionalisht
Janar/Shkurt 2022


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Si të Bëhemi të Ripërtërirë Emocionalisht

Autorja jeton në Sevill, Spanjë.

Nuk kisha përjetuar ndonjëherë ankth deri në çastin kur u ktheva në shtëpi nga misioni, prandaj nuk isha e sigurt se si të vazhdoja përpara.

smiling young woman

Fotografia ku pozon modelja

Jeta po shkonte sipas planit.

Isha gati të përfundoja misionin tim. Gjatë 18 muajve të mëparshëm ishte forcuar dëshmia ime dhe ishte zgjeruar largpamësia ime për planin e shpëtimit. Nuk isha ndier kurrë më pranë Shpëtimtarit tim dhe Atit tim Qiellor. Jeta thjesht dukej e hareshme.

Sigurisht që unë dhe familja ime po përjetonim pjesën tonë të sprovave, por në përgjithësi, isha e ngazëllyer dhe kisha shumë plane për atë që do të ndodhte më pas por pastaj u ktheva në shtëpi dhe tronditja ishte tepër e vrazhdë. Pata vështirësi për t’u përshtatur sërish me jetën e përditshme. Shqetësohesha vazhdimisht për të bërë zgjedhje të mira dhe për të qenë e përsosur në bindjen time. Ushtrova aq shumë presion mbi veten që të qëndroja në nivelin e lartë shpirtëror që pata gjatë gjithë misionit tim, sepse druhesha se, në qoftë se nuk e bëja, do të dobësohesha shpirtërisht.

Ndërsa presioni që ushtrova mbi veten rritej, fillova të përjetoj ankth dhe sulme paniku. Ato u bënë gjithnjë e më të shpeshta dhe përfundimisht ndjeva sikur po mbytesha.

Për fat të keq ua fsheha ndjenjat e mia familjes dhe miqve të mi. E dija që nuk duhej të kisha turp për ankthin dhe depresionin, por u ndjeva kaq shumë jashtë kontrollit dhe u ndjeva aq e humbur sa as nuk dija si ta shprehja atë që po përjetoja, që të kërkoja ndihmë.

Fatmirësisht Zoti është gjithmonë pranë për të na udhërrëfyer kur i drejtohemi Atij. Pas disa përsiatjesh dhe lutjesh, ndjeva nxitjen për të folur hapur me vëllanë tim dhe bashkëshorten e tij. Ata më ndihmuan të kuptoj se nuk isha aq “e marrë” sa mendoja dhe se vështirësitë emocionale mund t’i ndodhin kujtdo.

Motra Rejna I. Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dëshmoi për këtë të vërtetë: “Miqtë e mi të dashur, mund t’i ndodhë gjithkujt nga ne – veçanërisht kur, si besimtarë në planin e lumturisë, ne i vëmë vetes barrë të panevojshme duke menduar se kemi nevojë të jemi të përkryer tani. Të tilla mendime mund të jenë sfilitëse. Arritja e përsosurisë është një proces që do të ndodhë gjatë jetës sonë në vdekshmëri dhe më tej – dhe vetëm nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.”1

Një Kurs i Frymëzuar

Ndërsa iu luta Atit Qiellor për udhërrëfim, e kuptova se më nevojitet t’i përdorja burimet që Ai ka siguruar për ne dhe kisha nevojë të mësoja dhe ndryshoja për më mirë. Për fat të mirë, në atë kohë kisha mundësinë të frekuentoja kursin e Kishës për ripërtëritjen emocionale. Mundësia dukej se erdhi pikërisht në kohën e duhur dhe nuk besoj se ishte një rastësi.

Në atë manual të kursit, ripërtëritja emocionale përkufizohet si më poshtë:

  • “Aftësia për t’u përshtatur me sfidat emocionale me kurajë dhe besim të përqendruar te Jezu Krishti.

  • Të ndihmosh veten dhe të tjerët sa më mirë që të mundesh.

  • Të kërkosh ndihmë të mëtejshme kur është e nevojshme.”2

Me fjalë të tjera, ripërtëritja emocionale është diçka për të cilën të gjithë kemi nevojë.

Për mua, ky kurs i frymëzuar është një shenjë e qartë se Ati Qiellor është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballemi në ditët e sotme si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Ai dëshiron të jetë në gjendje të na ndihmojë të vazhdojmë të ecim përpara nëpër shtegun e kthimit tek Ai. Vëzhgimi i aspekteve të shumta dhe të bukura të këtij kursi, më ndihmoi të kuptoja thjesht se sa thellësisht Ati Qiellor e njeh secilin prej nesh dhe i di nevojat tona individuale, dhe unë menjëherë ndjeva paqe kur fillova të studioja. Kursi na mëson të vërteta të përjetshme, të qarta dhe të fuqishme që mund të vihen në zbatim në jetën tonë kur përballemi me çështje të shëndetit mendor qoftë ne vetë ose dikush që e duam.

Një nga mësimet që më befasoi, gjendet te kapitulli 9, “Providing Strength to Others” [“T’ju Japim Forcë të Tjerëve”]. Ky kapitull është ai që më ndihmoi që më së fundi të kërkoja më shumë ndihmë. Ai jep mësim parimin e shërbimit ndaj njëri-tjetrit. Mësova se sa e rëndësishme ishte t’u shërbeja të tjerëve duke i ndihmuar të ndienin se kanë vlerë ndjenjat, emocionet dhe opinionet e tyre dhe duke ua shtrirë dorën me ndjeshmëri dhe kuptueshmëri. Gjithashtu kuptova se më nevojitej t’u mirëbesoja të tjerëve për të më ndihmuar me vështirësitë e mia.

Kur isha në gjendje t’i vija në jetë këto ide dhe të flisja hapur me familjen dhe miqtë e mi rreth vështirësive të shëndetit tim mendor, u habita që ata ishin kaq të dhembshur dhe jogjykues. Mora kaq shumë përkrahje prej tyre.

Ndiej se ankthi im do të kishte marrë një kthesë më të thellë dhe të errët, në qoftë se nuk do t’ua kisha treguar sfidat e mia njerëzve të mi të dashur. Kjo përvojë më ndihmoi t’ua shtrij dorën të tjerëve dhe gjithashtu të kem ndjeshmëri së bashku me ta për shqetësimet dhe problemet e tyre.

Ne Mund ta Përballojmë të Ardhmen me Shpresë

Më duket e çuditshme se si kur u ktheva nga misioni isha kaq e shqetësuar se mos humbisja “bazën shpirtërore” që kisha fituar gjatë misionit, sepse tani e kuptoj se ardhja në shtëpi ishte thjesht fillimi i një kapitulli të ri ku mund të gjeja mënyra të reja për ta thelluar besimin tim.

Marrëdhëniet e mia vetjake me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin janë rritur dhe thelluar kaq shumë që kur jam kthyer në shtëpi, sidomos për shkak të parimeve që mësova në këtë kurs për ripërtëritjen emocionale dhe nëpërmjet mbështetjes për ndihmë tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari. E ndiej se Ata janë shumë më të vërtetë dhe të pranishëm në jetën time të përditshme.

Kam mësuar dhe pranuar që, si fëmijë të Perëndisë, ne vazhdimisht ndryshojmë, mësojmë dhe zhvillohemi. Dhe prapëseprapë përgjatë ndryshimeve tonë në jetë, Ati Qiellor është i pandryshueshëm. Ai nuk priste që të isha e përsosur në misionin tim dhe Ai nuk e pret këtë gjë tani. Ai thjesht më do dhe dëshiron që unë të vazhdoj të përpiqem fort për të qenë si Ai dhe të bëj më të mirën që mundem në udhëtimin tim për t’u kthyer tek Ai.

Tani, thjesht ngaqë e bëra këtë kurs për ripërtëritjen emocionale, nuk do të thotë që nuk kam më ankth ose sulme paniku apo çaste kur ndihem e mbingarkuar nga frika për të ardhmen. Nganjëherë i kam ende. Por tani i njoh këto modele dhe kam mësuar mjete që më ndihmojnë t’i trajtoj ato në një mënyrë më të shëndetshme, duke e përmirësuar cilësinë e jetës sime të përditshme.

Në fund të fundit, ky kurs më mësoi mekanizmat e përballimit në rastet kur përjetoj ankth dhe sfida. Ai më mësoi të kem durim e dhembshuri për veten dhe për papërsosuritë e mia. Mësova të kuptoj se si më sheh Perëndia dhe që të mos tmerrohem nga të panjohurat e së ardhmes.

Nëpërmjet ndihmës profesionale dhe qiellore, unë kam arritur të kuptoj se kemi mjetet e nevojshme për të ditur se si të “veproj[më] … dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[më]” (2 Nefi 2:26) sipas emocioneve dhe ndjenjave tona ndërsa vazhdojmë të shkojmë përpara drejt Krishtit.

Shënime

  1. Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!” Liahona, nëntor 2019, f. 58.

  2. Finding Strength in the Lord: Emotional Resilience (2021), f. 8, ChurchofJesusChrist.org.