2022
Ata Kanë një Libër të Mormonit Këtu!
Janar/Shkurt 2022


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Ata Kanë një Libër të Mormonit Këtu!

Ndërsa e mbaja në duar Librin e Mormonit, i ndjeva barrët e mia të largoheshin nga ngrohtësia e dashurisë së Shpëtimtarit.

hand holding a copy of the Book of Mormon

Fotografia nga Jacob A. Brown

Një të shtunë në mes të dimrit, bashkëshortja ime dhe unë përfituam nga një ditë me diell por e ftohtë që ta njihnim më mirë lagjen tonë të banimit. Kohët e fundit ishim shpërngulur mijëra kilometra larg nga shtëpia jonë në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar mundësi arsimimi dhe punësimi.

Vendosëm që të shkonim në këmbë te një universitet aty pranë që asnjëri nga ne nuk e kishte vizituar. Pas ca kohe e gjetëm bibliotekën kryesore të universitetit. Na pëlqen shumë leximi, dhe bashkëshortja ime, një studente për diplomë pasuniversitare, ishte kureshtare të shihte se çfarë burimesh mund të gjente për studimet e saj. Për shkak se po studionte historinë e fesë, ne shfletuam raftet e bibliotekës në seksionin e fesë. Ndërsa ua hodhëm vështrimin disa prej titujve interesantë, syri më kapi një libër të vogël me një kapak blu që e njihja mirë.

“Ata kanë një Libër të Mormonit këtu!” – pëshpërita i ngazëllyer.

E mora librin nga rafti. Ishte një kopje e vjetër dhe pyeta veten se sa kohë kishte qenë atje. Ajo që më tërhoqi vërtet vëmendjen ishte një fletë e shtuar dhe e vogël, e ngjitur brenda kapakut të përparmë.

Fleta e shtuar ishte një dëshmi e shkurtër e një çifti nga Bllekfuti i Ajdahos në SHBA. Në dëshminë e tyre, ata shpjegonin se çfarë është Libri i Mormonit dhe përse është i rëndësishëm. Ata dhanë një dëshmi të shkurtër por të fuqishme për librin dhe e ftuan lexuesin të lutet për ta ditur nëse ai ishte i vërtetë.

Fjalët e tyre ishin të thjeshta, por mesazhi i tyre më preku drejt e në zemër. Ndoshta ky çift donte që dëshmia e tyre të lexohej nga ata që nuk ishin të besimit tonë. Ndoshta ia kishin dhënë këtë kopje dikujt që e njihnin. Kush e di në sa duar kishte kaluar ose sa kilometra kishte udhëtuar për të përfunduar në bibliotekën e universitetit?

Ndërsa e mbaja librin në duar, Shpirti ma mbushi zemrën. Për një çast i ndjeva barrët e mia të largoheshin nga ngrohtësia e dashurisë së Shpëtimtarit.

Ajo ditë në bibliotekë vazhdon të më kujtojë bekimet që marr nga leximi i Librit të Mormonit dhe rëndësinë e dhënies së dëshmisë time për të. Dëshmitë tona mund të bien “në gurishte” ose “në tokë të mirë” (shih Mateu 13:3–9), por është e rëndësishme që t’i shprehim ato. Perëndia do të sigurohet që ato çohen në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe te njerëzit e duhur.