2022
Bekimet nga Studimi i Dhiatës së Vjetër
Janar/Shkurt 2022


Eja, Më Ndiq

Bekimet nga Studimi i Dhiatës së Vjetër

Ndërsa lexojmë kapitujt dhe vargjet e këtij libri të lashtë të shkrimit të shenjtë, ne do të përforcohemi shpirtërisht.

Jesus Christ with stars in background

Premtimet e Presidentit Nelson janë thelbësore dhe janë të vërteta.

Christ and the Creation [Krishti dhe Krijimi], nga Robert T. Barrett

Mirë se vini në studimin e Dhiatës së Vjetër për vitin 2022, me burimin Eja, Më Ndiq si udhërrëfyes! Dhiata e Vjetër është një vepër e shenjtë, e kanonizuar e shkrimit të shenjtë që është ruajtur nga dora e Perëndisë për ne që ta lexojmë dhe të përsiatim. Ajo mund të jetë një bekim dhe udhërrëfyes për ne në këto ditë të mëvonshme.

Dhiata e Vjetër na siguron një panoramë 3500 vjeçare të besimit dhe përkushtimit rreth përafërsisht 4000 deri në 500 vjet pr.K. Dhiata e Vjetër ka 39 libra. Zanafilla mbulon katër periudhat ungjillore të Adamit, Enokut, Noeut dhe Abrahamit. 38 librat që pasojnë, nga Eksodi te Malakia, i kushtohen periudhës ungjillore të Moisiut.

Ndërsa e lexojmë Dhiatën e Vjetër, ne do të njihemi më mirë me profetët e saj dhe mësimet e tyre. Ata dhanë mësim ungjillin e Jezu Krishtit. Ata profetizuan dhe e pritën me padurim ardhjen e Mesias. Mësimet e tyre frymëzuese ruhen për kohën tonë.

Ndërsa lexojmë kapitujt dhe vargjet e Dhiatës së Vjetër, ne do të përforcohemi shpirtërisht. Fryma e Shenjtë do të na sjellë në vëmendje vargje të veçanta nga shkrimet e shenjta që do të jenë një forcë për ne, ndërkohë që e presim me padurim Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Një Pyetje Frymëzuese

Do të doja të tregoja një histori rreth mënyrës se si një varg i vetëm nga Dhiata e Vjetër ka ndikuar tek unë gjatë gjithë jetës sime.

Në vitin 1974, isha 17 vjeç. Po e shijoja jetën si nxënës në klasën e tretë të shkollës së mesme. Po e prisja me padurim misionin tim. Në revistën Ensign të tetorit të vitit 1974, lexova një mesazh të fuqishëm nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) të titulluar “When the World Will Be Converted” [“Kur Bota Të Kthehet në Besim”]1. Që atëherë e kam lexuar shumë herë. Ai më frymëzon edhe sot e kësaj dite.

Presidenti Kimball paraqiti një perspektivë gjithëpërfshirëse, mbarëbotërore të rritjes së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këtë periudhë ungjillore. Ai dha mësim për mundësinë dhe përgjegjësinë tonë për ta çuar ungjillin në të gjithë botën. Presidenti Kimball citoi një varg nga libri i Zanafillës. Ai më frymëzoi asokohe dhe ka vazhduar të më frymëzojë gjatë gjithë jetës: “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?” (Zanafilla 18:14, që është planifikuar të studiohet në shkurt).

Abraham praying

Abraham on the Plains of Mamre [Abrahami në Rrafshinat e Mamreut], nga Grant Romney Clawson; fotografi misionarësh nga Alicia Cerva; fotografi e tokës nga Getty Images

Presidenti Kimball shqyrtoi historinë e Abrahamit dhe të Sarës. Sara qeshi me premtimin e Zotit se ajo dhe Abrahami do të kishin një bir. Ata nuk ishin bekuar me fëmijë. Tani ishin, përafërsisht, 90 vjeçe dhe 100 vjeç. Iu kishte kaluar mosha për të pasur fëmijë.

“Dhe Zoti i tha Abrahamit: ‘Pse qeshi vallë Sara …?’

‘A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir’” (Zanafilla 18:13–14).

Abrahami dhe Sara ushtruan besim. Zoti e mbajti premtimin e Tij. Lindi Isaku. Abrahami u bë babai i kombeve.

Forcë për të Përballuar Sfidat

“A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?” Ky shkrim i shenjtë nga Dhiata e Vjetër më ka forcuar kur jam përballur me sfida ose shqetësime të jetës:

  • Si misionar i ri, kur ndihesha i mbingarkuar. “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?”

  • Pas misionit tim, kur unë dhe Ana Maria po merrnim parasysh martesën dhe kishim merak se si do t’i paguanim ushqimin, qiranë dhe tarifat e universitetit. “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?”

  • Si të porsamartuar, duke mirëpritur fëmijë dhe duke kuptuar presionet financiare të jetës. “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?”

  • Gjatë përballjes me sfidat e shkollës pasuniversitare, të familjes që rritej dhe fillimit të karrierës. “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?”

  • Kur isha president i Misionit të Spanjës, Barcelonë, unë dhe Ana Maria shpesh iu referuam këtij shkrimi të shenjtë kur iu jepnim mësim misionarëve. “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?” Letrat drejtuar misionarëve tanë shpesh përfshinin një referencë të vargut “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?”

Një Themel nga Shkrimet e Shenjta

reproduction of stone tablets with Ten Commandments

Moses Parting the Red Sea [Moisiu Duke Hapur Detin e Kuq], nga Robert T. Barrett; Adam and Eve in the Garden [Adami dhe Eva në Kopsht], nga Lowell Bruce Bennett; riprodhim i pllakave prej guri nga Getty Images; fotografi e Tempullit të San-Diegos në Kaliforni nga Monica Georgina Alvarado Zarate

Ky varg nga shkrimi i shenjtë është vetëm një nga shumë shembuj të vargjeve frymëzuese që gjenden te Dhiata e Vjetër. Jam i sigurt se ka shumë vargje të tjera që tashmë ju frymëzojnë. Ndërsa e lexojmë me ndërgjegje dhe me lutje Dhiatën e Vjetër këtë vit, Fryma e Shenjtë do të na sjellë në vëmendjen tonë vargje të tjera të veçanta që do ta forcojnë kthimin tonë në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.

Dhiata e Vjetër përmban doktrinën dhe parime me rëndësi të përhershme. Përmban profeci që nuk janë përmbushur ende. Na mëson se nga erdhëm. Na mëson edhe për besëlidhjen e Abrahamit, që është ende në fuqi sot.

Dhiata e Vjetër ofron një themel për shkrimet tona të tjera të shenjta. Sa më shumë që ta kuptojmë Dhiatën e Vjetër, aq më e madhe do të jetë kuptueshmëria jonë për vëllimet e tjera të shkrimeve të shenjta, sepse mësimet e saj shfaqen në ato libra të tjerë të shkrimeve të shenjta:

  • Gjatë shërbesës së Tij, Shpëtimtari dha mësim duke përdorur shkrime të shenjta nga Dhiata e Vjetër.

  • Lehi dhe familja e tij i mbartën fletët prej tunxhi, të cilat përmbanin shkrime të shenjta nga Dhiata e Vjetër.

  • Nefi i dha mësim Jakobit duke cituar nga libri i Isaias te Dhiata e Vjetër.

  • Gjatë vizitës së Tij te nefitët pas Ringjalljes, Jezu Krishti citoi nga librat e Isaias dhe Malakias te Dhiata e Vjetër.

beings appearing to Joseph Smith and Oliver Cowdery in Kirtland Temple

Vision in the Kirtland Temple [Vegimi në Tempullin e Kirtlandit], nga Gary Smith; The Second Coming [Ardhja e Dytë], nga Harry Anderson

Profetët dhe mësimet e Dhiatës së Vjetër janë gjithashtu thelbësore për mesazhin e Rivendosjes së ungjillit në kohën tonë:

  • Në vizitat e tij të para te Profeti Jozef Smith, Moroni citoi nga libri i Malakias.

  • Perla me Vlerë të Madhe përmban librat e Abrahamit dhe të Moisiut.

  • Moisiu, Eliasi dhe Elija i dhanë çelësat e tyre të priftërisë Profetit Jozef Smith në Tempullin e Kirtlandit.

Cili Është Qëllimi?

Ndërsa lexojmë librat te Dhiata e Vjetër, ne duhet të marrim parasysh se librat u përzgjodhën, u theksuan dhe rregulluan në një mënyrë të veçantë për një arsye teologjike. Ne me të vërtetë mund të pyetim veten: “Përse u përfshi ky informacion dhe për çfarë qëllimi shërben?”

Ndërsa pjesë të Dhiatës së Vjetër mund të jenë disi të vështira për t’u kuptuar, ne duhet të kujtojmë se libri përmban një pasuri që nuk duhet shpërfillur. Siç dha mësim Jozef Smithi: “Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi” (Nenet e Besimit 1:8). Sigurisht që ne bekohemi duke e studiuar fjalën e Perëndisë!

Mund të jetë e dobishme gjatë studimit tonë të Dhiatës së Vjetër që të kërkojmë tema dhe ide. Ne duhet të kërkojmë mënyra për të kuptuar më mirë se Perëndia i Dhiatës së Vjetër është gjithashtu Perëndia i Dhiatës së Re. Jehova është Jezu Krishti. Si na ndihmon studimi i Dhiatës së Vjetër që ta njohim më mirë Shpëtimtarin tonë?

Tema të tjera kryesore që i gjej te Dhiata e Vjetër, përfshijnë besëlidhjet, shenjtërinë, profetët e gjallë, sakrificën dhe bindjen, besimin dhe pendimin, lavdërimin e Zotit dhe sovranitetin e Perëndisë.

Ndërsa studiojmë, ne duhet të mbajmë mend që zbulesa e ditëve të mëvonshme na siguron një kuptueshmëri më të plotë për Dhiatën e Vjetër. Për shembull, falë zbulesës moderne ne e dimë se profetët e Dhiatës së Vjetër mbanin Priftërinë Melkizedeke dhe se profetët në periudhat e mëparshme ungjillore e dinin dhe e dhanë mësim ungjillin e Jezu Krishtit.

Premtimet e një Profeti

Në këtë periudhë ungjillore, ne po bekohemi edhe një herë me njohurinë se profetët dhe apostujt na japin mësime dhe këshillë të frymëzuar.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e paraqiti për herë të parë programin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018.2 Ky burim ka qenë një bekim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Tre vitet e fundit më kanë dhënë disa nga përvojat më të thella dhe më kuptimplota të studimit të shkrimeve të shenjta në jetën time. Jam i sigurt se të njëjtat bekime e presin secilin prej nesh në vitin 2022.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha se ndërsa i shndërrojmë shtëpitë tona në shenjtërore besimi dhe qendra të të mësuarit të ungjillit, ne do të marrim katër bekime të veçanta:

  1. “Me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit do të jenë një kënaqësi.”

  2. “Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit.”

  3. “Ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet.”

  4. “Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.”3

Premtimet e Presidentit Nelson janë thelbësore dhe janë të vërteta. Këto bekime janë bërë realitet dhe do të vazhdojnë të bëhet në vitin 2022 ndërsa e studiojmë Dhiatën e Vjetër dhe mësojmë prej saj.

Shënime

  1. Shih Spencer W. Kimball, “When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 2–14.

  2. Shih Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Liahona, nëntor 2018, f. 8–12.

  3. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113.