2022
Gjetja e Jezu Krishtit në Dhiatën e Vjetër
Janar/Shkurt 2022


Gjetja e Jezu Krishtit në Dhiatën e Vjetër

Këto pesë të vërteta mund të na ndihmojnë të arrijmë ta njohim Shpëtimtarin tonë nga studimi ynë i shkrimeve të shenjta këtë vit.

fine art painting of Jesus Christ

Light of the World [Drita e Botës], nga Walter Rane, nuk lejohet të kopjohet

Një ditë, Jezu Krishti u takua me dy nga dishepujt e Tij në një rrugë midis Jerusalemit dhe Emaut. Ndërsa ecnin, Ai u mësoi atyre rreth rolit të Tij siç përshkruhej në shkrimet e shenjta të cilave tani u referohemi si Dhiata e Vjetër.

“Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij” (Lluka 24:27). Të mësonin për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij ishte një përvojë thellësisht shpirtërore për dishepujt, dhe ata iu përgjëruan Atij që të qëndronte më gjatë (shih Lluka 24:28–32).

Ashtu si ata pasues të hershëm të Krishtit, ne kemi mundësinë që të arrijmë ta njohim Shpëtimtarin tonë në një mënyrë më domethënëse ndërsa e eksplorojmë këtë vit Dhiatën e Vjetër. Ky anal, i shoqëruar me librat e Moisiut dhe Abrahamit te Perla me Vlerë të Madhe, na japin një kuptueshmëri më të plotë për atë se kush është Ai – natyrën e Tij, misionin e Tij dhe marrëdhënien e Tij me Atin e Tij dhe me secilin prej nesh. Ne kemi nevojë për këtë kuptueshmëri që të marrim dhuratën e jetës së përjetshme (shih Gjoni 17:3).

Më poshtë janë pesë të vërteta që mund të na ndihmojnë ta njohim dhe kuptojmë më mirë Jezu Krishtin gjatë gjithë këtij libri të lashtë e të shenjtë.

E Vërteta e 1-rë: Jezu Krishti është Jehova

Në Dhiatën e Re, ne lexojmë për një rast kur Jezu Krishti e identifikoi veten e Tij si Jehova (shih në Biblën në anglisht Gjoni 8:58, poshtëshënimi b). Njerëzit ishin të zemëruar dhe u përpoqën ta qëllonin me gurë për blasfemi (shih Gjoni 8:59). Ata nuk e kuptuan një të vërtetë të çmuar që vazhdon të keqkuptohet nga shumë njerëz sot: se Jezu Krishti është Jehova, Perëndia i Dhiatës së Vjetër.1

Ndoshta pjesë e arsyes që identiteti i Shpëtimtarit te Dhiata e Vjetër shpesh keqkuptohet, është ngaqë emri “Jezu Krisht” nuk përdoret në atë libër. Në vend të tij autorët përdorën një numër titujsh për t’iu drejtuar Atij, të tillë si “Perëndia”, “Unë Jam” ose “Zoti”.2 Sapo ta dimë këtë, ne fillojmë ta shohim Jezu Krishtin më qartë në të gjitha shkrimet e shenjta. Për shembull:

  • Kur Moisiu i foli “Perëndi[së]” te shkurrja që digjej, ai po i fliste Jezu Krishtit (shih Eksodi 3:6)3

  • Po kështu, Jezu Krishti ia identifikoi veten e Tij Jozef Smithit si “[i] Madhi UNË JAM” (Doktrina e Besëlidhje 29:1).

  • Gjon Pagëzori u thirr që të përgatiste udhën e “Zotit” (Mateu 3:3). Kjo është përmbushje e vargut tek Isaia 40:3, që po profetizonte për Jezu Krishtin.

  • Shih tabelën në faqen 25 për shembuj të tjerë të Jehovës në të gjitha shkrimet e shenjta.

E Vërteta e 2-të: Objektet dhe Ngjarjet Mund të na Mësojnë për Shpëtimtarin Tonë

an angel appearing to Adam and Eve as they prepare a burnt offering

Adami dhe Eva u urdhëruan për të flijuar kafshë si pjesë e adhurimit të tyre. Flijime të tilla na kujtojnë se Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë, lejoi që Ai vetë të vritej si pjesë e Shlyerjes së Tij.

Adam and Eve Offering Sacrifices [Adami dhe Eva Duke Ofruar Flijime], nga Keith Larson

Dhiata e Vjetër është e pasur me simbole dhe histori që mund të na kujtojnë ndihmën që ofron Shpëtimtari. Për shembull:

  • Shumë shkrime të shenjta përshkruajnë raste kur njerëz besnikë u urdhëruan të flijonin kafshë si pjesë e adhurimit të tyre. Për shembull, fëmijëve të Izraelit iu tha të flijonin një qengj dhe të shenjonin shtalkat e dyerve me gjakun e tij. Ata që e bënë këtë u mbrojtën nga një plagë vdekjeprurëse në Egjipt. Flijime të tilla na kujtojnë se Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë, lejoi që Ai vetë të vritej si pjesë e Shlyerjes së Tij. Flijimi i Tij na shpëton nga vdekja fizike dhe shpirtërore. (Shih Eksodi 12:13.)

  • Kur profeti Elija duhej t’ia mbathte për të shpëtuar jetën e tij dhe të fshihej në shkretëtirë, ai u ndje i pikëlluar dhe tha se do të donte të kishte vdekur. Ndërsa flinte, bukë dhe ujë iu shfaqën mrekullisht që të ushqehej dhe freskohej, duke e forcuar që të vazhdonte më tej. Kjo mund të na kujtojë se Jezu Krishtit është Uji i Gjallë dhe Buka e Jetës. Ai është burimi ynë përfundimtar i shpresës. (Shih 1 Mbretërve 19:1–8.)4

  • “Fjala jote është një llambë në këmbën time”, shkroi një psalmist (Psalmeve 119:105; theksimi i shtuar). Mikea dëshmoi: “Në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime” (Mikea 7:8; theksimi i shtuar). Fjalët e tyre na kujtojnë se Jezu Krishti është Drita e Botës, që na udhërrëfen drejt shtëpisë tonë qiellore.

Ndërsa lexoni, ju mund të zbuloni gjëra të tjera që ju kujtojnë Jezu Krishtin dhe aftësinë e Tij për na shpëtuar – ashtu si kur familja e Noeut u shpëtua nga përmbytja brenda një arke, ose kur Jonës iu dha kohë për t’u penduar ndërsa ishte brenda balenës. Këto ngjarje mund të na kujtojnë se Shpëtimtari mund të na mbartë përmes stuhive të jetës dhe se Ai gjithmonë do të na japë mundësi për t’u kthyer në udhën e duhur. (Shih Zanafilla 7:1; Jona 1:17.)

E Vërteta e 3-të: Jehova Është një Perëndi Vetjak

Nganjëherë mund të duket sikur Perëndia i Dhiatës së Vjetër është i zemëruar dhe hakmarrës. Duhet të kemi parasysh se autorët origjinalë të librit u përkitnin kulturave të lashta, me zakone dhe përshkrime që mund të jenë të vështira për ne që t’i kuptojmë plotësisht sot. Manuali Eja, Më Ndiq, diskutimet në grup dhe ndriçimi nga Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojnë ta përputhim atë që lexojmë te Dhiata e Vjetër me atë që dimë për Jezu Krishtin nga librat e tjerë të shkrimit të shenjtë.

Ja tek është një karakteristikë e dukshme e Jehovës që do të jetë e mirënjohur për ata që studiojnë për Shpëtimtarin: Ai është një Perëndi vetjak. Ndërhyrja e Tij, si në mënyra madhështore edhe të vogla, ilustron se Ai është gjithnjë i gatshëm për t’i çliruar ata që mirëbesojnë tek Ai. Këtu janë disa shembuj të shërbesës së Tij në Dhiatën e Vjetër:

  • Pasi Adami dhe Eva bënë shkeljen, Zoti i veshi, ose i mbuloi, me tunika prej lëkure (shih Zanafilla 3:21). Fjala në hebraisht për Shlyerjen do të thotë “të mbulosh” ose “të falësh”.

  • Ai e ftoi Enokun të ecte me Të (shih Moisiu 6:34) dhe i lartësoi njerëzit e Sionit (shih Moisiu 7:69).

  • Ai e përgatiti Jozefin që ta çlironte familjen e tij dhe njerëz të tjerë të shumtë nga uria (shih Zanafilla 37–46).

  • Ai i udhëhoqi fëmijët e Izraelit nëpër shkretëtirë (shih Eksodi 13:21–22).

  • Ai vizitoi Aaronin dhe Miriamin për ta forcuar besimin e tyre te profeti i gjallë (shih Numrat 12:5).

  • Ai i rrëfeu udhën Ruthin dhe i ruajti paraardhësit e Tij nëpërmjet farës së saj (shih Ruthit 3:10–11; 4:14–17).

  • Ai e thirri djaloshin Samuel në emër (shih 1 Samuelit 3:3–10).

  • Ai e fuqizoi Esterin që në mënyrë të guximshme ta shpëtonte popullin e saj (shih Esterit 2:17; 8:4–11).

E Vërteta e 4-ërt: Jezu Krishti na Ndihmon t’i Luftojmë Betejat Tona

Ndonjëherë jeta e përditshme duket si një betejë. Ne jemi vërtet në mes të një lufte shpirtërore midis të mirës dhe të keqes, aspak e ndryshme nga luftërat e përshkuara te Dhiata e Vjetër. Me ushtarët e lashtë, ne thërrasim: “Udh’hiqna, O i Madh Jehova”5. Në këto shkrime të shenjta, ne dëgjojmë përgjigjen e Tij siguruese:

  • “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueut 1:5).

  • “Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë” (2 Kronikave 20:15).

  • “Unë të forcoj dhe … të mbaj” (Isaia 41:10).

  • “Unë jam me ty për të të çliruar” (Jeremia 1:8).

E Vërteta e 5-të: Premtimet e Zotit Vazhdojnë

Ne jemi të lidhur me njerëzit besnikë të Dhiatës së Vjetër më shumë nga sa mund ta kuptojmë. Shikuesit e lashtë e pritën me padurim Jezu Krishtin dhe shkruan për jetën e Tij në vdekshmëri. Isaia, për shembull, e përshkroi Zotin me fjalë aq të fuqishme saqë ato u bënë pjesë e muzikës që shpesh e këndojmë për Pashkë dhe Krishtlindje (shih Isaia 7; 9; 40; dhe 53).6

Ashtu si ata profetë, ne gjithashtu e presim me dëshirë ardhjen e Krishtit – këtë herë duke e parashikuar kthimin e Tij për të mbretëruar personalisht në tokë.7 Ndërsa e përgatitim botën për Ardhjen e Tij të Dytë, ne marrim forcë nga të vërtetat dhe premtimet e regjistruara fillimisht në Dhiatën e Vjetër, të tilla si:

  • Bekimet patriarkale, të cilat përfshijnë një deklarim të shtëpisë së Izraelit që i përkasim. Besëlidhja që Zoti bëri me Abrahamin mijëra vite më parë, gjen zbatim për ne sot si anëtarë të Kishës që kemi bërë besëlidhje, pavarësisht se pjesë e cilit fis jemi. (Shih Zanafilla 13:14–17; Abraham 2:9–11.)

  • Urdhërimi për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë, për të cilin Zoti tha se do të ishte “një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron” (Eksodi 31:13).

  • Larjet, vajosjet dhe veshjet e shenjta që janë pjesë e adhurimit në tempull sot, fillimisht iu dhanë Aaronit dhe pasardhësve të tij (shih Levitiku 8).

Mendoni se sa shumë burra dhe gra të drejta sakrifikuan për të na sjellë në këtë pikë të historisë njerëzore. Ne ndërtojmë mbi përpjekjet e tyre të shenjta dhe flasim për largpamësinë e tyre për një botë të udhëhequr nga Shpëtimtari. Siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Pas rreth 4.000 vjetësh parashikimi dhe përgatitjeje, kjo është koha e caktuar kur ungjilli duhet të çohet tek farefiset e tokës. Kjo është koha e mbledhjes së premtuar të Izraelit. Dhe ne kemi për të marrë pjesë!”8

Një Vit Epik i Studimit

Christ in red robe

Christ in a Red Robe [Krishti me Rrobë të Kuqe], nga Minerva Teichert, me mirësinë e Muzeut të Historisë së Kishës

Ne kemi nëpër duar historinë e fillimit të njerëzimit – historinë tonë si të krishterë që kemi bërë besëlidhje. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne e dimë se si do të përfundojë ky udhëtim epik. Satani do të shkatërrohet dhe të drejtët do të jenë fitimtarë. Por si do të shpaloset historia jonë individuale?

A do të zgjedhim që të ecim me Jezu Krishtin këtë vit? A do t’i lutemi Atij që të qëndrojë me ne, duke e dëgjuar me zell atë që Ai na mëson?

Ai është Shpëtimtari i dashur dhe vetjak, zërin e të Cilit e dëgjojmë te Doktrina e Besëlidhje, jeta e të Cilit regjistrohet te Dhiata e Re dhe mësimet e të Cilit jepen mësim qartë te Libri i Mormonit. Me pak ushtrim, ne do të jemi në gjendje ta gjejmë shërbesën e Tij të endur gjithashtu nëpër faqet e Dhiatës së Vjetër. Ai është në qendër të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes së njerëzimit. Ai ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pranë nesh në çdo hap të udhës.

Shënime

  1. Shih paragrafin e dytë të dokumentit “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org.

  2. Në përkthimet në gjuhën angleze, referencat për Jezu Krishtin shpesh shkruhen me shkronja të mëdha, si kjo: ZOTI. 1 Samuelit 1:15 jep dy shembuj të fjalës “zot”, duke iu referuar një personi, dhe “ZOTI”, duke iu referuar Jezu Krishtit. Shih edhe James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 36.

  3. Në variantet e Biblës (në anglisht) të botuara nga Kisha, poshtëshënimet mund të ndihmojnë për të sqaruar se kur shkrimet e shenjta po i referohen Shpëtimtarit. Për shembull, shih te Bibla në anglisht Eksodi 3:6, poshtëshënimi a.

  4. Për më shumë rreth simbolikës së kësaj historie, shih Marissa Widdison, “The Bread and Water of Hope”, Ensign, shtator 2019, f. 56.

  5. “Udh’hiqna, O i Madh Jehova”, Himne, nr. 40.

  6. Disa prej vargjeve nga Isaia u përdorën si tekst për oratorion e Hendelit Mesia.

  7. Shih Nenet e Besimit 1:10.

  8. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 88.