Ndjekja e Shtegut të Lumturisë
Ne mund të rritim fëmijë të drejtë dhe plot shpresë kudo në botë nëse ata kanë një themel të fortë te Shpëtimtari.
Shumë vite më parë, disa nga kushërinjtë e mi më të vegjël u caktuan për të bërë një projekt shërbimi në fermën e gjyshit Krozier Kimball. Si shpërblim, atyre iu premtua keku i shkëlqyer i bërë nga gjyshe Klara1.
Kur i kishin përfunduar detyrat, ata u drejtuan për nga kuzhina për shpërblimin e tyre. Megjithatë, gjyshi e zuri derën e kuzhinës. Kushërira ime, Kethi Gallouei, e cila në atë kohë ishte rreth 14 vjeçe, kujton se ai u ul në stolin e pianos dhe i ftoi kushërinjtë të uleshin në dysheme. Ai i falënderoi për punën e tyre të palodhur dhe pastaj u tha se kishte diçka të rëndësishme për t’ju treguar përpara se të hanin kekun.
“Do të vijë një kohë në jetën tuaj kur do t’ju nevojitet të dini dhe të veproni sipas asaj që do t’ju tregoj tani” – tha ai.
Ai shpjegoi se gjyshi i tij, Hibër C. Kimballi (1801–1868) dhe paraardhës të tjerë pionierë ishin përballuar me sfida të mundimshme fizike. Gjyshi tha që pionierët shpejt mësuan se për të mbijetuar ata duhej të punonin së bashku, ta donin njëri-tjetrin dhe t’i shërbenin njëri-tjetrit.
“Kjo është një nga trashëgimitë e mëdha që ata ju lanë!” – tha ai ndërsa lotët filluan t’i rridhnin në faqe.
“Në thirrjen time si patriark dhe si gjyshi juaj, kur hedh vështrimin në korridoret e kohës, … më dhemb zemra për ju” – tha ai. “Ju do të përballeni me sfida emocionale dhe shpirtërore që shumica e paraardhësve tuaj pionierë nuk mund t’i kishin përfytyruar kurrë.”
Në qoftë se brezi i ri nuk e nderon trashëgiminë e madhe të pionierëve të dashurisë dhe shërbimit, shtoi ai, “shumë prej jush do të dështojnë, sepse nuk do të jeni në gjendje të mbijetoni të vetëm”.
Pastaj, duke u folur atyre nga shpirti, gjyshi Kimball e mbylli: “Kemi nevojë për njëri-tjetrin. Për t’ia dhënë dëshmitë tona për ungjillin njëri-tjetrit, detyra jonë është ta duam, ta forcojmë, ta ushqejmë, ta përkrahim, ta mbështetim njëri-tjetrin dhe t’i shërbejmë njëri‑tjetrit, … sidomos në familjen tonë. Ju lutem, mbani mend se në ditët e fundit, vetë mbijetesa juaj mund të varet nga gatishmëria juaj për të punuar së bashku, për ta dashur njëri‑tjetrin dhe për t’i shërbyer njëri-tjetrit. Tani, le të shkojmë e ta hamë kekun!”
Ne Kemi Nevojë për Njëri‑Tjetrin
Siç ilustrohet nga zhurma e botës që na rrethon, dhe siç e parashikoi gjyshi Krozier, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Kemi nevojë për familje të dashura, kuorume dhe Shoqata të Ndihmës të mbushura me shërbim dhe degë, lagje e kunje përkrahëse.
“Perëndia dëshiron që ne të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin” – tha Presidenti Nelson. “Kjo është arsyeja pse Ai na dërgon në tokë në familje dhe na organizon në lagje dhe kunje. Kjo është arsyeja pse Ai na kërkon t’i shërbejmë dhe japim shërbesë njëri‑tjetrit. Kjo është arsyeja pse Ai kërkon që ne të jetojmë në botë, por të mos jemi të botës. Ne mund të arrijmë shumë më tepër së bashku sesa mundemi të vetëm.”2
Jeta në gjendjen tonë të dytë është e vështirë. Për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, ne përballemi me gjemba dhe bimë gjembore, sprova dhe tundime. Përvoja të tilla janë pjesë e planit të lumturisë, por ne e ndihmojmë njëri-tjetrin që t’i përballojë stuhitë e jetës.
Ashtu si Adami dhe Eva, që u “dëb[uan] … nga kopshti i Edenit” (Zanafilla 3:23), ne u dërguam nga shtëpia jonë përgatitore e para lindjes në këtë tokë të rënë. Ashtu si Adami dhe Eva, ne gëzohemi për njohurinë tonë për planin e Perëndisë për fëmijët e Tij:
“Dhe në atë ditë Adami e bekoi Perëndinë dhe u mbush me Frymën e Shenjtë dhe filloi të profetizonte lidhur me tërë familjet e tokës, duke thënë: Bekuar qoftë emri i Perëndisë, sepse për shkak të shkeljes sime sytë e mi u hapën dhe në këtë jetë unë do të kem gëzim e përsëri në mish do ta shoh Perëndinë.
Dhe Eva, gruaja e tij, i dëgjoi të gjitha këto gjëra dhe u gëzua, duke thënë: Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve” (Moisiu 5:10–11; shih edhe 2 Nefi 2:25).
“Pjesë e Qëllimit të Tij Hyjnor”
Të bëjë të ndodhë “pavdekësia dhe jeta [jonë] e përjetshme” është “vepra … dhe lavdia” e Atit tim (Moisiu 1:39). “Ne jemi”, siç ka dhënë mësim Presidenti Nelson, “pjesë e qëllimit të Tij hyjnor”3.
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë deklaruar se si bij dhe bija shpirtërore në mbretërinë tonë paratokësore, ne “e njihni[m] dhe e adhuroni[m] Perëndinë si Atin [tonë] të Amshuar dhe e pranua[m] planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”4. Dhe Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, kohët e fundit dha mësim: “Nën planin e Atit tonë Qiellor, [Jezu Krishti] ‘krijoi qiejt dhe tokën’ (Doktrina e Besëlidhje 14:9) që secili prej nesh të mund të kishte përvojën në vdekshmëri, të nevojshme për ta kërkuar fatin tonë hyjnor”5.
Shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme e bëjnë të qartë rolin thelbësor që trupat tanë luajnë në planin e Perëndisë. Fati ynë është të kthehemi në praninë e Tij me trupa të ringjallur e të ekzaltuar dhe të jetojmë përgjithmonë si familje.
“Marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë”, tha Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Në shkollën e vdekshmërisë, ne përjetojmë dhembshuri, dashuri, mirësi, lumturi, hidhërim, zhgënjim, dhembje dhe madje sfidat e kufizimeve trupore në mënyra që na përgatisin për përjetësinë.”6
Jepni Mësim për Krishtin
Në këto kohë dyshimi dhe pasigurie, njohuria për planin e lumturisë është jetike për mbijetesën tonë shpirtërore. Por nuk mund të presim që bota t’i ushqejë fëmijët tanë me parimet e lumturisë së përjetshme. Si prindër, ne kemi nevojë t’u mësojmë fëmijëve tanë për origjinën e tyre hyjnore dhe fatin e tyre hyjnor.
Ne fillojmë duke i ndihmuar ata të zhvillojnë dëshmi për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, që janë qendrore në planin e shpëtimit. Unë besoj se ne mund të rritim fëmijë të drejtë dhe plot shpresë kudo në botë nëse ata kanë një themel të fortë te Shpëtimtari.
Në mbrëmjen e shtëpisë, gjatë lutjes familjare dhe studimit të shkrimeve të shenjta si familje, nëpërmjet veprimtarive dhe traditave familjare, dhe madje në kohë korrigjimi, “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26).
Ne i ndihmojmë fëmijët tanë të kuptojnë se në planin e shpëtimit, pendimi është një “program mësimor sa vetë jeta”7 që sjell shpresë dhe shërim ndërsa e lehtëson shpirtin dhe e ndriçon të ardhmen.
Kur fëmijët tanë zhvillojnë besim te Shlyerja e Krishtit, ata do të arrijnë të dinë se asnjë nuk humbet përgjithmonë dhe se Zoti i pret ata krahëhapur. Ne i ndihmojmë ata të kuptojnë se “çfarëdo gjëje që duhet të [lëmë] pas për të ndjekur shtegun për në shtëpinë [tonë] qiellore, një ditë nuk do [të na] duket fare si sakrificë”8.
Mblidhini Fëmijët e Perëndisë
Ne nuk e arrijmë fatin tonë hyjnor të vetëm. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne kemi një detyrë të veçantë për t’i ftuar të tjerët në udhëtimin tonë për në shtëpinë tonë qiellore. Bota ka nevojë për shenjtorë të ditëve të mëvonshme që janë të gatshëm ta lënë dritën e Rivendosjes të shkëlqejë nëpërmjet dëshmive, shembujve dhe gatishmërisë së tyre për ta përhapur ungjillin. Kur shkëlqejmë, ne mblidhemi.
“Kur flasim për mbledhjen”, tha Presidenti Nelson, “po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata e vendosin vetë a dëshirojnë të dinë më shumë.”9
Dhe në këtë mënyrë, ashtu siç këshilloi gjyshi Krozier, ne japim dëshmitë tona për ungjillin e Jezu Krishtit. Ne i duam dhe u shërbejmë, i forcojmë dhe i ushqejmë, i përkrahim dhe i mbështetim njerëzit tanë të dashur dhe fqinjët tanë.
Ndërsa i ndihmojmë të tjerët përgjatë shtegut të fatit të tyre hyjnor, ne ndihmojmë veten përgjatë të njëjtit shteg, “[për t’u] pran[uar] në mbretërinë e Atit për të mos dalë më, por, për të banuar me Perëndinë përjetësisht në qiej” (3 Nefi 28:40).