Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Jastëku në Dysheme
Nuk e kisha problem që ta ndihmoja nënën time me punët e shtëpisë, por përse gjeja përherë një jastëk në dysheme?
Për shumë vite e kam vizituar shtëpinë e nënës sime për ta ndihmuar me punët e shtëpisë. Ajo është 80 vjeçe dhe është një anëtare besnike e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Nëna ime ka jetuar vetëm që kur babai ndërroi jetë. Kënaqësia e saj më e madhe është të vizitojë shtëpinë e secilit prej tre fëmijëve të vet, të kalojë kohë me ta dhe nipërit e mbesat dhe të gatuajë ushqime që të kënaqin shpirtin.
Sa herë që vizitoja shtëpinë e nënës për ta pastruar dhe për t’u siguruar që çdo gjë ishte në rregull, gjeja një jastëk të vjetër në dysheme. Herë pas here do ta ngrija atë dhe do ta vendosja në kolltuk, duke u ankuar me vete rreth pakujdesisë së nënës.
Herën tjetër që do të kthehesha për ta vizituar dhe ndihmuar nënën, do ta gjeja sërish jastëkun në dysheme. Kurrë nuk i thashë gjë nënës për jastëkun, por një mëngjes më në fund zbulova arsyen përse ishte gjithmonë në dysheme.
Nënës i duhej një sipërfaqe e butë mbi të cilën të gjunjëzohej dhe të lutej. Ajo ishte e vjetër në moshë, por besimi i saj i palëkundur e bënte të gjunjëzohej çdo ditë në lutje. Ajo do të lutej për fëmijët dhe nipërit e mbesat e veta. Do të lutej për miqtë e saj. Do të lutej për ata që ishin më shumë në nevojë. Dhe do të lutej për ata që gjithmonë i kishte dashur dhe që, ndonëse në moshë të thyer, ende kujdesej bujarisht.
Sot nuk ankohem më me vete kur e shoh jastëkun në dysheme. Me raste edhe unë gjunjëzohem në sipërfaqen e saj të butë për t’ju lutur Atit Qiellor, duke i shprehur mirënjohje për besimin dhe shembullin e nënës sime.