2022
Zjarri Dëlirës i Mundimeve
Mars 2022


“Zjarri Dëlirës i Mundimeve”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Zjarri Dëlirës i Mundimeve

Lutem që secili prej nesh të afrohet më pranë Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit nëpërmjet fatkeqësive tona vetjake.

statuja e një gruaje që vështron lart

Fotografitë nga Getty Images

Fatkeqësitë në jetë nuk duhet të na habisin. Qoftë nëse shkaktohen nga mëkatet dhe gabimet tona apo diçka tjetër, fatkeqësitë janë një fakt i jetës në vdekshmëri. Disa njerëz mendojnë se duhet të kursehen nga çdo fatkeqësi nëse i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, por Perëndia na zgjedh “në furrën e pikëllimit” (Isaia 48:10; 1 Nefi 20:10). Madje edhe Shpëtimtari nuk u përjashtua:

“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden” (Hebrenjve 5:8–9).

Për ata prej nesh që janë të përgjegjshëm, vështirësia është shpesh një element vendimtar në “[bërjen tonë të] përkryer” përfundimisht. Është kjo që e bën jetën më shumë se një provim të thjeshtë me shumë alternativa. Perëndia nuk është i interesuar vetëm për atë që bëjmë ose nuk bëjmë, por edhe për atë që po bëhemi. 1 Nëse jemi të gatshëm, Ai do të na mësojë që të veprojmë siç vepron Ai në vend që të jemi nën veprimin e forcave të tjera (shih 2 Nefi 2:14–16). Ne duhet të mësojmë të jemi të drejtë në të gjitha rrethanat ose, siç tha Presidenti Brigam Jang (1801–1877), madje edhe “në errësirë” 2 .

Unë besoj se sfida e mposhtjes dhe rritjes nga fatkeqësitë na u duk e pëlqyeshme kur Perëndia na paraqiti planin e Tij të shëlbimit në botën para lindjes. Ne duhet t’i qasemi asaj sfide tani duke e ditur se Ati ynë Qiellor do të na mbështetë. Por është vendimtare që t’i drejtohemi Atij. Pa Perëndinë, përvojat e errëta të vuajtjeve dhe fatkeqësive priren drejt shkurajimit, dëshpërimit dhe madje hidhërimit.

statujë me fytyrë solemne

Me ndihmë hyjnore, ngushëllimi përfundimisht e zëvendëson dhembjen, paqja e zëvendëson trazirën dhe shpresa e zëvendëson pikëllimin. Perëndia do ta kthejë sprovën në bekim dhe, sipas fjalëve të Isaias, do të “[japë] … diademë në vend të hirit” (Isaia 61:3). Premtimi i Tij nuk është që të na kursejë konfliktin, por të na ruajë dhe ngushëllojë në mundimet tona dhe t’i shenjtërojë ato për të mirën tonë (shih 2 Nefi 2:2; 4:19–26; Jakobi [LiM] 3:1).

Ndërkohë që Ati ynë Qiellor nuk do të na i imponojë ndihmën dhe bekimet e Tij, Ai do të veprojë nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Birit të Tij të Dashur dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë për të na mbështetur kur e kërkojmë Atë. Ne gjejmë shumë shembuj të asaj përkrahjeje rreth nesh dhe në analet e shkrimeve të shenjta.

Shembuj nga Dhiata e Vjetër

Në Dhiatën e Vjetër, ne shohim Abrahamin e bindur duke pritur me durim për shumë vjet që premtimet e Perëndisë ndaj tij – toka të trashëgimit dhe pasardhës të drejtë – të përmbusheshin. Nëpër zinë e bukës, kërcënimet për jetën, pikëllimin dhe provën, Abrahami vazhdimisht i mirëbesoi dhe i shërbeu Perëndisë dhe në këmbim u mbështet nga Ai. Ne tani e nderojmë Abrahamin si “ati[n e] besimtarëve” 3 .

Nipi i Abrahamit, Jakobi, u largua nga shtëpia, i vetëm dhe me sa duket me pak më shumë [gjëra] se veshjet e tij, për t’iu shpëtuar kërcënimeve me vdekje të të vëllait, Esaut. Për 20 vitet vijuese, Jakobi i shërbeu dajës së tij, Labanos. Ndonëse Labanoja i dha Jakobit strehë të sigurt dhe përfundimisht dy nga vajzat e tij për martesë, ai e trajtoi në mënyrë të dyfishtë Jakobin, duke ia ndryshuar pagesat dhe marrëveshjet shumë herë, sa herë që Jakobi dukej se bënte përpara (shih Zanafilla 31:41).

Ndërsa u ndanë përfundimisht, Jakobi e kundërshtoi vjehrrin e tij: “Në qoftë se Perëndia i atit tim … nuk do të kishte qënë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh” (Zanafilla 31:42). Përkundrazi, duke pasur Perëndinë në krah, Jakobi u kthye në shtëpi i shndërruar nga një refugjat pa asnjë para në një bashkëshort dhe baba të një familjeje të madhe. Ai kishte një numër të madh shërbëtorësh dhe u bekua tej mase me pasurinë e kohës [kur jetoi] – kope, bagëti dhe deve (shih Zanafilla 32).

Jozefi, i biri i Jakobit, është shembulli tipik i dikujt që vazhdimisht triumfoi mbi fatkeqësitë duke i mirëbesuar Perëndisë kur të tjerët mund të jenë ndier të braktisur prej Tij. Në fillim e shitën si skllav vetë vëllezërit e tij. Më pas kur u rrit në detyrë dhe vlerësim në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian, Potifarit, Jozefin e akuzoi në mënyrë të rreme bashkëshortja e Potifarit dhe e burgosën pavarësisht se ai kishte vrapuar me plot kuptimin e fjalës larg nga mëkati. Megjithatë, Jozefi vazhdoi t’i mirëbesonte Perëndisë. Ai përparoi madje edhe në burg, por më pas ata që i kishte ndihmuar, e harruan pavarësisht nga premtimet e tyre. (Shih Zanafilla 37; 39–41.) Në fund, siç e dimë, Jozefi u shpërblye me një detyrë të rëndësishme dhe me mjete për ta shpëtuar familjen e të atit (dhe të gjithë Egjiptin) në një kohë zie buke.

Duke Pritur me Durim

Këta dhe shembuj të tjerë na tregojnë se fatkeqësitë zakonisht mposhten me kalimin e kohës. Nevojitet durim dhe këmbëngulje. Prapëseprapë, Ati ynë Qiellor kujdeset dhe na ndihmon përgjatë gjithë shtegut të atij durimi – Ai nuk pret deri në fund.

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, njëherë vërejti: “Natyrisht vetë kalimi i kohës nuk sjell një përparim automatik. Prapëseprapë, sikurse djali plëngprishës, ne shpesh kemi nevojë për ‘procesin e kohës’ me qëllim që të vijmë në vete shpirtërisht. (Lluka 15:17.) Ribashkimi prekës i Jakobit dhe Esaut në shkretëtirë, pas kaq shumë vitesh rivaliteti mes vëllezërish, është një shembull tipik. Bujaria mund ta zëvendësojë armiqësinë. Reflektimi mund të sjellë perceptim. Por reflektimi dhe vështrimi brenda vetes kërkojnë kohë. Shumë rezultate shpirtërore kërkojnë që të vërtetat shpëtuese të përzihen me kohën, duke formuar eliksirin e përvojës, atë ilaç suprem për kaq shumë gjëra.” 4

Presidenti M. Rasëll Ballard, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:

“Pritja për Zotin nuk nënkupton që të presim duke mos bërë gjë. Kurrë nuk duhet të ndiheni se jeni në radhë në një dhomë pritjeje.

Pritja për Zotin nënkupton veprim. Kam mësuar gjatë viteve se shpresa jonë te Krishti rritet kur u shërbejmë të tjerëve. …

Rritja vetjake, [të cilën] dikush mund ta arrijë tani, ndërkohë që pret për Zotin dhe premtimet e Tij, është një pjesë përbërëse e paçmuar, e shenjtë e planit të Tij për secilin prej nesh.” 5

Pritja me durim është një formë e drejtimit te Perëndia dhe mirëbesimit tek Ai. Në vargjet që i paraprijnë menjëherë këshillës së tij për t’i kërkuar Perëndisë nëse na mungon urtia, Jakobi thotë këtë rreth durimit:

“Konsideroheni të gjithë gëzim, kur të bini në shumë fatkeqësi;

duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, [duke mos iu munguar asgjë]” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Jakobi 1:2; Jakob [Bibël] 1:3–4).

Të Dëlirur nga Mundimet

statujë e Jezu Krishtit

Fotografia nga Rachael Pancic

Kur kemi ndihmën e Atit tonë Qiellor, fatkeqësitë tona dhe mundimet tona do të na dëlirin në vend që të na mposhtin (shih Doktrina e Besëlidhje 121:7–8). Ne do dalim [prej tyre] qenie më të lumtura dhe më të shenjta. Në një zbulesë drejtuar ish-Presidentit të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Tomas B. Marshit, Zoti tha këtë për Apostujt e Tij: “Dhe pas tundimeve të tyre dhe shumë shqetësimi, vër re, unë, Zoti, do t’u afrohem atyre dhe nëse ata nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre dhe nuk i forcojnë kokat e tyre kundër meje, ata do të kthehen në besim dhe unë do t’i shëroj” (Doktrina e Besëlidhje 112:13).

Mund të themi se në fatkeqësi ne arrijmë të njohim “të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai ka] dërguar” (Gjoni 17:3). Në fatkeqësi, ne ecim me Ta ditë për ditë. Duke qenë të përulur, ne mësojmë të shohim tek Ata “në çdo mendim” (Doktrina e Besëlidhje 6:36). Ata do të na japin shërbesë në procesin e rilindjes shpirtërore. Unë besoj se nuk ka mënyrë tjetër.

Lutem që secili prej nesh të afrohet më pranë Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit nëpërmjet fatkeqësive tona vetjake. Në të njëjtën kohë, mësofshim t’u japim shërbesë të tjerëve gjatë fatkeqësive të tyre sipas modelit të Perëndisë. Ishte nëpërmjet “dhimbje[ve] dhe hidhërime[ve] dhe tundime[ve] të çdo lloji” që Shpëtimtari arriti të “mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–12). Sa për ne, “kur, për momentin, ne vetë nuk po tendosemi në një kryq të caktuar, duhet të jemi në ndihmë të dikujt tjetër – plot me ndjeshmëri dhe duke ofruar përtëritje shpirtërore” 6 .

Shënime

  1. Shih Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Liahona, janar 2001, f. 40–43.

  2. Brigham Young, në James E. Faust, “The Light in Their Eyes”, Liahona, nëntor 2005, f. 22.

  3. Bible Dictionary, “Abraham”.

  4. Neal A. Maxwell, “Endure It Well”, Ensign, maj 1990, f. 34.

  5. M. Rasëll Ballard, “Shpresë te Krishti”, Liahona, maj 2021, f. 55; theksimi në origjinal.

  6. Neal A. Maxwell, “Endure It Well”, f. 34.