“A po e Kërkoni Krishtin çdo Ditë?” Liahona, Mars/Prill 2022.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
A po e Kërkoni Krishtin çdo Ditë?
Përvoja ime në tempull më ndihmoi të kuptoj se kam nevojë të kërkoj të gjej Krishtin çdo ditë.
Autori jeton në Guatemalë.
Kur isha i vogël, i bëja vetes pyetje si: “A flet Shpirti i Shenjtë?”, “Kur të shkoj në qiell, a do ta shoh Perëndinë?”
Tani që jam pak më i rritur, mund ta kthej kohën pas dhe të shoh që Ati Qiellor më ka udhërrëfyer dhe më ka treguar përherë prova që Ai ekziston, por nuk isha përherë në gjendje ta dalloja dorën e Tij në jetën time. Isha i bekuar që u rrita në një shtëpi me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, por jetova me një dëshmi të huazuar për një kohë të gjatë. Ishte e vështirë për mua të besoja se Perëndia ishte njëmend i vërtetë.
Një ditë, kur isha rreth 15 vjeç, peshkopi njoftoi për një udhëtim në tempull si lagje. Isha mësuar tashmë të shkoja në tempull me familjen time, ndaj nuk mendova se kjo ishte një gjë me rëndësi. Sidoqoftë kurrë nuk pata vërtet ndonjë ndjesi të madhe dhe nuk e kuptoja rëndësinë e besëlidhjeve dhe ordinancave që kryhen në tempull.
Kur erdhi dita, hyra në tempull dhe vesha një kominoshe të bardhë. Kur kalova pranë një pasqyre, pashë një pasqyrim të vetes të veshur me të bardha dhe me një buzëqeshje në fytyrë. Ndërsa prisja pjesën tjetër të anëtarëve të lagjes, isha i mahnitur. Po mendoja për bukurinë e vaskës së pagëzimit dhe pikturat kur papritur, e ndjeva Shpirtin të më prekte butësisht në zemër.
Nuk do t’i harroj kurrë fjalët që më erdhën në mendje: “Orson, kjo është shtëpia e Zotit. Ai të do. Ai do që ti ta ndryshosh jetën tënde dhe të përpiqesh fort për t’u bërë njeri më i mirë pak e nga pak.”
Ndjeva kaq shumë dashuri tek ato fjalë, por papritmas u pushtova nga faji. Deri në atë çast nuk e kisha marrë me seriozitet tempullin. Kështu që bëra një lutje në zemër, duke i kërkuar Atit Qiellor që të më falte.
Dhe e dija se Ai e dëgjoi lutjen time pasi ndjeva kaq shumë paqe në zemër.
Atë ditë, e thellova besimin tim dhe mora dëshminë e vërtetë për ungjillin që e dëshiroja kaq shumë. Atë ditë, isha në gjendje të thosha me aq vendosmëri sa ata dy dishepuj të Gjonit: “E gjet[a] Mesian” (shih Gjoni 1:41).
Mënyra të Thjeshta për t’u Lidhur
Që nga ajo përvojë, jam përpjekur fort që ta dalloj më mirë ndikimin e Atit Qiellor në jetën time duke e kërkuar Jezu Krishtin çdo ditë. Ndonëse bota mund ta bëjë të vështirë që të dëgjohet me raste zëri i Shpëtimtarit, unë tani e di se Ai njëmend është i vërtetë dhe se Ai është me mua.
Shumë prej nesh kanë ditë që ndihen pak më pranë qiellit se zakonisht. Gjithashtu kemi ditë të vështira kur mundohemi ta ndiejmë ndikimin e Tij pavarësisht se sa shumë përpiqemi apo sa të ngarkuar i kemi ditët kur nuk mund të gjejmë kohë të mjaftueshme për ta kërkuar Atë. Por unë e di se po të kemi dëshirë të sinqertë për ta kërkuar Atë, ne do ta shohim dorën e Tij në jetën tonë.
Kur ndiheni të shkëputur nga Shpëtimtari, pyeteni veten: “A po përpiqem fort për ta gjetur Mesian përditë?”
Kur kërkojmë të jemi si Apostujt e lashtësisë, duke i lënë rrjetat tona (shih Mateu 4:20) dhe përgjegjësitë e interesat e tjera për një çast, për t’u drejtuar tek Ai, ne do ta gjejmë Atë.
Ka burime të fuqisë shpirtërore që mund të na ndihmojnë. Profeti Alma na kujtoi se “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6). Veprat e vogla të besimit dhe praktikat shpirtërore që bëjmë çdo ditë, mund të na ndihmojnë ta rritim aftësinë tonë për ta dalluar Zotin në jetën tonë.
Disa prej këtyre mjeteve shpirtërore mund të jenë gjëra si:
-
Lutja me besim
-
Studimi i shkrimeve të shenjta me qëllim dhe kuptim
-
Shërbimi vetëmohues ndaj të tjerëve
-
Të treguarit e dëshmisë suaj një miku ose mikeshe
-
Dëgjimi i himneve ose muzikës shpirtërore
-
Frekuentimi i institutit
-
Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë
-
Agjërimi
-
Frekuentimi i rregullt i tempullit
Shumë gjëra mund të na ndihmojnë ta gjejmë Jezu Krishtin, por çelësi është të vazhdojmë ta kërkojmë Atë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Teksa kërkojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, përpjekjet tona që ta dëgjojmë Atë nevojitet të jenë përherë e më të qëllimshme. Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij.” 1
A e Keni Gjetur Atë Sot?
Edhe nëse nuk po i merrni të gjitha përgjigjet që po kërkoni pikërisht tani, vazhdoni ta bëni! Thjesht kërkojeni Krishtin dhe zgjidhni që të keni besim tek Ai. Nëse do të përpiqeni që ta gjeni Atë çdo ditë nëpërmjet veprave të vogla, unë e di se ju do ta ndieni përqafimin e Tij nga qielli. Unë e di se kjo është e vërtetë pasi e kam ndier atë.
Ati Qiellor i njeh përpjekjet tona. Atij nuk i intereson aq shumë madhësia e gjërave që bëjmë për t’i lartësuar shpirtrat tanë, nëse mund të themi çdo ditë me qëndrueshmëri dhe siguri: “Sot e kam gjetur Mesian!”
Është lutja ime që të mund ta njohim dhe duam Shpëtimtarin tonë çdo ditë. Që do të bëjmë sikurse sugjeroi Moroni dhe do “ta kërko[jmë] këtë Jezus” (Ethëri 12:41). Unë dhe ju e gjetshim, deri në fund të çdo dite, atë për të cilin shkroi Moisiu dhe profetët e tjerë: Jezusin e Nazaretit. Duke kërkuar Krishtin, ne do të shohim dorën e Perëndisë në jetën tonë. Dhe sa më shumë që ta kërkojmë Krishtin çdo ditë, aq më shumë do ta gjejmë Atë dhe do të jemi në gjendje ta dallojmë zërin e Tij, duke na udhëhequr dhe udhërrëfyer të gjithëve gjatë gjithë jetës sonë.