2022
Më Telefono Mua të Parën
Mars 2022


“Më Telefono Mua të Parën”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Gra me Besim

Më Telefono Mua të Parën

Jam e lumtur që nuk e humba rastin për të ndihmuar një motër që kishte nevojë për mua dhe për të cilën kisha nevojë.

një grua në moshë dhe një grua më e re duke biseduar me njëra-tjetrën

Kur isha nënë e re me foshnjën e parë, bashkëshorti im ishte ende në kolegj. Të dy punonim me kohë të pjesshme që të përmbushnim nevojat bazë.

Duke e pritur me padurim një ditë pushimi nga puna, kisha planifikuar të shihja në televizor një film të vjetër. Kjo ishte përpara kohës së DVD-ve ose shërbimeve të transmetimit.

Filmi do të fillonte në kohën e përsosur – 10:00 të mëngjesit – kur djali ynë do të ishte duke dremitur. Luante Keri Grent, një nga yjet e mi të parapëlqyer të filmave amerikanë.

Natën përpara ditës së parashikuar të pushimit, më telefonoi presidentja e Shoqatës së Ndihmës së lagjes. Një motër në lagjen tonë kishte pësuar një goditje të lehtë në tru dhe kishte nevojë për kujdes të nesërmen derisa t’i kthehej djali nga puna.

“Do ta bëja vetë, por kam njerëz”, – tha presidentja e Shoqatës së Ndihmës. Ajo shpjegoi se nuk kishte njeri tjetër që t’ia kërkonte këtë gjë dhe propozoi të kujdesej për djalin tonë ndërsa unë kujdesesha për motrën. Pranova me ngurrim.

Të nesërmen në mëngjes, lashë djalin [te presidentja] dhe shkova të vizitoja motrën. Emri i saj ishte Luiza dhe ndjeva një dashuri të befasishme për të. Ishte në moshë sa gjyshja ime, e cila kishte ndërruar jetë kohët e fundit.

E ndihmova Luizën të vishej dhe më pas i përgatita mëngjesin. Ajo u ul në një karrige dhe ndezi televizorin. Shpejt vajti ora 10:00. Ndërsa ndërronte kanalet me telekomandë, ajo tha: “S’ka asgjë për të parë në televizor”.

Ngurrova por pastaj i thashë: “Është një film me Keri Grentin në kanalin 11”.

“Vërtet?”, – pyeti ajo. “Më pëlqen shumë Keri Grenti!”

E pamë filmin dhe na pëlqeu jashtë mase. Pas kësaj, ajo më tregoi gjëra për jetën e saj kur ishte në moshën time. Ajo më tregoi për të birin dhe unë i tregova për timin. Ajo foli për Kishën dhe sa i kishte munguar.

Kur iu kthye i biri, i premtova se do të kthehesha sërish. I thashë presidentes së Shoqatës së Ndihmës që të më merrte mua të parën në telefon nëse Luiza do të kishte nevojë ndonjëherë për dikë.

Diku gjatë dy javëve të ardhshme, Luiza pësoi një tjetër goditje në tru dhe ndërroi jetë përpara se të kisha mundësinë ta shihja sërish. Kishim kaluar vetëm nëntë orë bashkë dhe pamë një film, por ajo u bë një mike e dashur. Mendoj shpesh për të.

Jam mirënjohëse që nuk e humba rastin të ndihmoja një motër që kishte nevojë për mua – dhe për të cilën kisha nevojë, ndonëse nuk e kuptoja këtë.