“Shërbimi në Thirrjet në Kishë”, Liahona, Mars/Prill 2022.
Bazat e Ungjillit
Shërbimi në Thirrjet e Kishës
Udhëheqësit e Kishës u kërkojnë anëtarëve të shërbejnë në caktime specifike që njihen si “thirrje”. Thirrjet u japin anëtarëve mundësi që t’u shërbejnë të tjerëve dhe të afrohen më shumë me Perëndinë.
Kur shërbejmë në thirrjet tona, ne ndihmojmë që të përmbushet vepra e Perëndisë. Ne u mësojmë të tjerëve për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe i ndihmojmë ata që t’u afrohen më shumë Atyre. Ne gjithashtu marrim bekime ndërsa shërbejmë me besnikëri.
Marrja e Thirrjeve
Ata që shërbejnë në Kishë, thirren nga Perëndia. Udhëheqësit e Kishës luten për frymëzim që të dinë se kujt t’i kërkojnë që të shërbejnë në çdo thirrje. Më pas, një udhëheqës i kërkon një anëtari/eje që të shërbejë dhe i shpjegon detyrat e thirrjes. Për shumicën e thirrjeve, anëtarët mbështeten në një mbledhje të Kishës. Anëtarët e lagjes ose të degës japin votën mbështetëse. Kjo do të thotë se ata janë të gatshëm ta përkrahin personin që thirret. Më pas anëtarit/es do t’i jepet një bekim nga një udhëheqës priftërie. Ky quhet veçim. Anëtarit/es do t’i jepet autoritet për të vepruar në atë thirrje dhe bekime të tjera për ta ndihmuar atë që të shërbejë.
Peshkopët
Peshkopi është udhëheqësi i një lagjeje. (Në një degë, një president dege është njësoj si një peshkop.) Presidenti i kunjit rekomandon një udhëheqës të denjë priftërie që të thirret si peshkop. Presidenca e Parë e miraton thirrjen. Peshkopi më pas mbështetet dhe veçohet që të shërbejë. Ai gjithashtu merr çelësat e priftërisë, që do të thotë se ai ka autoritetin për ta drejtuar lagjen. Si peshkop, ai iu shërben dhe i udhëheq të gjithë anëtarët e lagjes.
Presidencat
Kuorumet e priftërisë dhe organizatat e Shoqatës së Ndihmës, Të Rejave, Fillores dhe Shkollës të së Dielës udhëhiqen nga presidencat, zakonisht një president/e dhe dy këshilltarë/e. Presidencat e kuorumeve të pleqve thirren dhe veçohen nga presidenca e kunjit. Peshkopata u kërkon anëtarëve të shërbejnë në presidenca të tjera në lagje dhe i veçon ata. Të gjithë udhëheqësit u shërbejnë anëtarëve në kuorumet ose organizatat e tyre. Ata u japin shërbesë nevojave të anëtarëve dhe i ndihmojnë ata të ndiejnë dashurinë e Perëndisë.
Thirrje të Tjera
Thirrjet e tjera në Kishë përfshijnë mësimdhënien, ndihmën për muzikën, mbajtjen e dokumenteve, planifikimin e aktiviteteve për rininë ose fëmijët dhe shërbimin në mënyra të tjera. Çdo thirrje në Kishë është e rëndësishme dhe u jep anëtarëve mundësinë t’u shërbejnë të tjerëve dhe t’i shërbejnë Perëndisë. Ndërsa punojmë të gjithë së bashku për t’i përmbushur thirrjet tona, ne i forcojmë të tjerët dhe ndihmojmë që Kisha të rritet.