2022
Perëndia Mund të na Ndihmojë në Kohë të Vështira
Mars 2022


“Perëndia Mund të na Ndihmojë në Kohë të Vështira”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Perëndia Mund të na Ndihmojë në Kohë të Vështira

Dhe ne mund ta përdorim atë që fitojmë nga sprovat tona, për të ndihmuar të tjerët.

grua e ulur që shikon perëndimin e diellit mbi oqean

Fotografia nga Getty Images

Marçela Endreku, e lindur në Kordovë të Argjentinës, ishte e sëmurë dhe e trishtuar. Kjo pati goxha ndikim tek ajo. Mes ndjesisë se nuk kishte shpëtim, ajo dëgjoi një bisedë të konferencës që fliste për lutjen. Drejtpërdrejt në mendje i erdhi mendimi që të lutej me zell për shqetësimet e veta.

Filloi të lutej rregullisht për lehtësim. Lutja i solli paqe dhe ngushëllim edhe pse shëndeti i saj nuk u përmirësua. Në fakt, gjendja e saj u përkeqësua derisa nuk mund të punonte më. Tani ajo kishte stresin tjetër që nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet mjekësore.

Nga nevoja, ajo filloi të hetonte se si mund t’i përballonte problemet e saj shëndetësore në ndonjë mënyrë tjetër. Ndjeu nxitjen që të përqendrohej te ndryshimi i disa zakoneve të të ngrënit dhe u habit se sa shumë e ndihmoi kjo gjë. Riaftësimi i saj ishte kaq mbresëlënës sa ajo filloi të studionte më thellësisht për ushqyerjen.

Ca kohë më vonë, ajo u takua me një të re që quhej Evelin, e cila ishte në të njëjtën gjendje që kishte qenë Marçela – e sëmurë, e trishtuar dhe e dëshpëruar për përgjigje. Marçela pa veten te mikesha e saj e re. Ajo i tregoi disa nga gjërat që kishte mësuar për zgjedhjet e ushqimeve dhe ushqyerjen. Ajo gjithashtu i tregoi Evelinës dëshminë e saj për fuqinë e lutjes. Ajo e ftoi Evelinën të lutej që edhe ajo ta ndiente dashurinë e Perëndisë dhe të dinte se Ai ishte i vetëdijshëm për të.

Disa ditë më vonë, Marçela u ngazëllye kur e takoi sërish Evelinën. Ndryshimi tashmë ishte i dukshëm fizikisht edhe shpirtërisht. Evelina i bëri asaj të ditur se jeta e saj po ndryshonte dhe se mund ta ndiente dashurinë e Perëndisë për të.

Nga sprovat dhe sfidat e saj, Marçela fitoi dhembshuri dhe informacionin që i nevojitej për t’i ndihmuar të tjerët.

Të Çliruar që të Mund të Çlirojmë

Jozefi duke shpërndarë grurë gjatë zisë së bukës në Egjipt

Joseph in Egypt [Jozefi në Egjipt], nga Robert T. Barrett

Historia e Jozefit në Egjipt është një shembull tjetër i asaj se çfarë mund të ndodhë kur jemi të vendosur t’i mirëbesojmë Perëndisë gjatë sprovave tona: Ai jo vetëm që mund të na çlirojë, por Ai mund të na vërë në pozicione që ta përdorim përvojën tonë për të ndihmuar të tjerët (shih Zanafilla 37–45).

Jozefi ishte i vendosur t’i mirëbesonte Perëndisë dhe t’i zbatonte urdhërimet e Tij pavarësisht nga tradhtia, humbja dhe futja në burg. Për shkak të besimit të Jozefit te Perëndia dhe gatishmërisë së tij për t’i duruar sprovat me durim dhe pa mëri, “Zoti qe me Jozefin” (Zanafilla 39:21) dhe e vuri në një pozicion për të bekuar shumë njerëz (shih Zanafilla 45:5–8).

Parime për t’u Marrë Parasysh

Ndërsa merrni parasysh mundësitë tuaja për t’u dhënë shërbesë të tjerëve, shqyrtojini këto parime të ilustruara te historitë:

  • Sfidat tona mund të jenë bekime. Nëse do të “lut[emi] gjithmonë e [do të] j[emi] besimtarë” ndërsa përjetojmë sfidat tona, Ati Qiellor mund t’i shndërrojë ato për të mirën tonë (shih Doktrina e Besëlidhje 90:24; shih edhe Romakëve 8:28).

  • Sfidat tona mund të na përgatitin. Nëse do të jemi zemërbutë gjatë sprovave, Perëndia mund t’i përdorë përvojat tona për të na dhënë mësim dhe për të na ndryshuar (shih Doktrina e Besëlidhje 112:13).

  • Sfidat tona mund të bëhen mundësi për të dhënë shërbesë. Nëse jemi të gatshëm t’i mirëbesojmë Atij, Ati Qiellor do të na vërë në pozicione që ta përdorim atë që kemi mësuar nga vetë përvojat tona, për të ndihmuar të tjerët (shih Mosia 24:13–14).

Çfarë Mund të Bëjmë Ne?

Lutuni për të ditur se si përvojat tuaja mund t’ju ndihmojnë që t’i bekoni ata të cilëve u jepni shërbesë. Pastaj zgjateni dorën e ndihmës.