2022
Çfarë Është në të Vërtetë Nderimi?
Mars 2022


“Çfarë Është në të Vërtetë Nderimi?”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Çfarë Është në të Vërtetë Nderimi?

Ndërsa e shtojmë kuptueshmërinë tonë për nderimin, ne rritim aftësinë tonë për të qenë nderues madje edhe në situatat më të pamundura.

burrë që mban kufje

Për shkak të disa përvojave të pashoqe që kam pasur, kam menduar për kuptimin e nderimit. Ja se si Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, e përkufizon atë:

“Adhurimi shpesh përfshin veprime, por adhurimi i vërtetë gjithmonë përfshin një qëndrim të veçantë të mendjes.

Qëndrimi i adhurimit zgjon ndjenjat më të thella të besnikërisë, dashurisë dhe mahnitjes. Adhurimi ndërthur dashurinë dhe nderimin në një gjendje përkushtimi që i afron shpirtrat tanë më pranë Perëndisë.” 1

Çfarë ju vjen në mendje kur mendoni për nderimin? A do të konsideroheshin situatat në vijim nderuese apo jonderuese në një mbledhje sakramenti?

  1. Një fëmijë që vizaton në librin e saj për ngjyrosje.

  2. Një i ri që shpërndan sakramentin ndërsa mban kufje.

  3. Një burrë që hidhet dhe tund krahët me forcë.

  4. Një e re që luan një lojë në telefon.

  5. Një misionar që ulërin me raste.

  6. Një grua që ulet gjithmonë në korridor dhe asnjëherë në sallën e mbledhjes.

  7. Një burrë i shtrirë në një dyshek në korridorin e sallës së mbledhjes.

  8. Një grup anëtarësh që bëjnë gjeste dhe zhurmë të madhe.

  9. Një adoleshente që ulet poshtë karriges së vet.

  10. Një grua që bën vajtje-ardhje në pjesën e prapme të sallës së mbledhjes.

Shumë prej nesh do të ishin dakord që një misionar i cili bërtet në një mbledhje sakramenti, është shumë më pak nderues sesa fëmijët që vizatojnë figura për t’u marrë me diçka. Por le të marrim një çast për t’i shqyrtuar supozimet tona rreth nderimit duke parë këto 10 situata të vërteta – që secilën e kam përjetuar personalisht në mbledhjet e Kishës.

  1. Një fëmijë që vizaton në Kishë. Kjo praktikë është e zakonshme dhe pranohet me gatishmëri nga thuajse të gjithë anëtarët. Ne e dimë se kjo zakonisht nuk është jonderuese veç nëse e lejojmë veten të shpërqendrohemi nga kjo.

  2. Një i ri që shpërndan sakramentin ndërsa dëgjon muzikë me kufje. Kjo do të ishte jashtëzakonisht e papërshtatshme në shumicën e rasteve. Por më lejoni të tregoj “pjesën tjetër të historisë”. Njoh një burrë që ka një dëshmi të fortë dhe ka shërbyer në një mision dhe ka pranuar një mori thirrjesh. Megjithatë, vitet e fundit u diagnostikua me çrregullim skizoafektiv. Vënia e kufjeve e lejon të dëgjojë muzikë të lehtë e të qetë dhe e ndihmon t’i bllokojë zërat gjithnjë të pranishëm në mendjen e tij. Ai është në gjendje ta ndiejë Shpirtin dhe me nderim t’u shërbejë të tjerëve me ndihmën e kufjeve të tij.

  3. Një i ri që hidhet dhe tund krahët me forcë. Pjesa tjetër e historisë: Ky vëlla që nuk flet, me autizëm, emocionohet sa herë që sheh peshkopin në podium. Ai e komunikon entuziazmin e tij duke përplasur duart dhe duke u hedhur.

    Children attend primary. One has a service dog and another is in a wheelchair.
  4. Një e re që luan një lojë në telefon. Pjesa tjetër e historisë: Kjo motër e lufton ankthin e saj shoqëror duke luajtur qetësisht lojëra në telefonin e saj. Në fakt, ajo është më shumë në gjendje të dëgjojë me nderim dhe të marrë mesazhet nga folësit për shkak se ankthi i saj përqendrohet diku tjetër.

  5. Një misionar që ulërin me raste. Pjesa tjetër e historisë: Ndërsa isha në qendrën e trajnimit të misionarëve, një misionar në zonën time kishte sindromën Tourette. Herë pas herë ai bërtiste në orën mësimore, sallën e ngrënies dhe mbledhjet e Kishës. Ulërimat e tij nuk shiheshin si jonderuese; ne shpejt pamë se ai ishte i përgatitur të shërbente, i etur ta përhapte ungjillin dhe i mbushur me Shpirtin.

  6. Një grua që ulet në korridor çdo javë dhe asnjëherë në sallën e mbledhjes. Pjesa tjetër e historisë: Ndërsa po punoja për Kishën në Solt-Lejk-Siti, një motër i shkroi zyrës së Shërbimeve për Paaftësitë rreth përvojës së saj me çrregullimin e stresit post-traumatik për shkak të shërbimit të saj ushtarak. Për shkak se një zile telefoni ose zhurmë tjetër e papritur mund të kujtojë një ngjarje të shkuar, ajo asnjëherë nuk ulej në sallën e mbledhjes në mënyrë që të mos lëndonte askënd padashur.

  7. Një burrë i shtrirë në një dyshek në korridor. Pjesa tjetër e historisë: Kur u shpërngula në një lagje të re, u habita kur pashë një vëlla të shtrirë në një krevat të lëvizshëm spitali në godinën kishtare. Ky burrë kishte shumë paaftësi dhe kishte mundësi ta frekuentonte Kishën vetëm në këtë mënyrë. Shpejt e kuptova se kjo ishte e zakonshme për këtë lagje dhe u përshtata përnjëherë. Prania e tij atje nuk ishte jonderuese por, në fakt, ishte krejt e kundërta. Në fund të fundit, a nuk shëroi Shpëtimtari një njeri që e kishin ulur poshtë në shtratin e tij miqtë e tij, në një shtëpi të mbushur me njerëz? (Shih Lluka 5:18–20.)

  8. Një grup anëtarësh që bëjnë zhurmë të madhe dhe shumë gjeste. Pjesa tjetër e historisë: Bashkësitë me njerëz të shurdhër mund të jenë “të zhurmshme” për pjesëmarrësit që po dëgjojnë. Për komunitetin me njerëz të shurdhër, nuk është jonderuese për dikë që të bëjë zhurmë, të qeshë ose të kollitet me zë të lartë, por konsiderohet jonderuese për anëtarët të bëjnë gjeste për gjërat e botës gjatë mbledhjes së sakramentit.

  9. Një adoleshente që ulet poshtë karrigeve. Pjesa tjetër e historisë: Kur isha adoleshente, një nga vajzat në moshë me mua ulej poshtë karriges së vet në orën mësimore. Kjo motër e re ishte rritur në shumë shtëpi fëmijësh dhe ndihej e sigurt vetëm në një zonë të mbyllur. Nga ajo kohë, kam kuptuar se nuk mund të presim që nxënësit të mësojnë kur janë në gjendje mendore për t’u grindur, për t’u larguar ose rrinë si të ngrirë. Nxënësit duhet të ndihen të sigurt nëse duhet të mësojnë dhe, më e rëndësishmja, ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit.

  10. Një grua që bën vajtje-ardhje në korridor. Pjesa tjetër e historisë: Kjo në fakt jam unë. Kam vuajtur nga ankthi për më shumë se një dekadë, me periudha ankthi të rënduara dhe probleme të tjera shëndetësore. Gjatë këtyre kohëve, e vetmja mënyrë që mund ta frekuentoj Kishën është po të jem në gjendje të lëviz. Ecja ose luajtja me një xhingël taktikisht argëtuese me duar është ndonjëherë e vetmja mënyrë se si mund t’u kushtoj vëmendje folësve dhe të ndiej Shpirtin. 

Satani përfiton nga fakti se ne nuk e dimë gjithmonë pjesën tjetër të historisë, se nuk e dimë gjithmonë se me çfarë sfidash po përballen çdo ditë vëllezërit dhe motrat tona. Ai dëshiron që ne të harrojmë se shumica e anëtarëve po bëjnë maksimumin e tyre, sido që mund t’u duket të tjerëve. Situatat që kam renditur më sipër, mund të jenë të rralla, por ato përfaqësojnë vështirësitë e shumta vetjake nëpër të cilat po lundrojnë bashkanëtarët tanë në frekuentimin e tyre të Kishës.

Unë besoj se Satani do të donte që ne të besojmë se adhurimi ynë pengohet nga vështirësitë, dallimet ose dobësitë e të tjerëve. Në të vërtetë, kam zbuluar se është pikërisht gjatë këtyre çasteve në dukje përçarëse që më është mësuar më shumë për dashurinë e Shpëtimtarit tim.

Çfarë Kam Mësuar rreth Nderimit

grua duke përdorur gjuhën e shenjave

1. Nderimi është një zgjedhje dhe një aftësi.

Është në dorën time që të ndihem nderuese. Shumë shpesh nuk ndihem nderuese pasi e lejoj veten të shpërqendrohem. Ndërsa e zhvilloj disiplinën time shpirtërore dhe e stërvit shpirtin tim që të përqendrohet tek ajo që ka më shumë rëndësi, jam më mirë në gjendje të marr përgjegjësi të plotë për marrëdhënien time me Atin tim Qiellor.

2. Nderimi nuk është njëlloj për të gjithë.

Një mik i familjes që ishte në burg për 17 vjet, e mirëpriti Shpirtin në qelinë e tij duke ndërtuar me letra modele të ndërlikuara të tempujve. Nderimi mund të jetë i pranishëm në çdo situatë nëse e mirëpresim Shpirtin.

3. Nderimi mund të nxitet, por është një zgjedhje vetjake.

Nderimi vjen nëpërmjet një zotimi të brendshëm për të ushqyer një “qëndrim … adhurimi”. Mund të jetë i pranishëm vetëm kur vërtet e ndiejmë dhe tregojmë dashurinë tonë për Zotin dhe për anëtarët e tjerë. Njëherë babai im më tha se kur e pranojmë përgjegjësinë për nderimin tonë, këndvështrimi ynë ndryshon nga “Po më prish adhurimin!” me “Je në rregull. Je i/e mirëpritur këtu. Nuk po ma prish nderimin pasi unë zgjedh të jem nderues/e.” Atëherë ne kuptojmë se veprimet e të tjerëve nuk duhet ta pengojnë marrëdhënien tonë vetjake me Shpëtimtarin dhe Atin tonë Qiellor. Sigurisht që marrja e përgjegjësisë vetjake për vetë nderimin tonë nuk do të thotë që ne duhet ta shpërfillim mënyrën se si sjellja jonë mund të ndikojë në përvojën e të tjerëve. Përpjekjet tona për nderim vetjak mund të jenë një shtrirje e dashurisë sonë për ta si vëllezërit dhe motrat tona.

Shërbesa e Shpëtimtarit

Në një shembull të bukur të dhënies së shërbesës, Shpëtimtari pati dhembshuri për burrin që ishte pushtuar nga një legjion shpirtrash. Ndonëse njeriu kishte qenë duke bërtitur dhe duke ecur i zhveshur, Jezusi nuk refuzoi që ta shëronte. Vetëm pasi u shërua, ky njeri ishte në gjendje të ulej “te këmbët e Jezusit, [i] veshur dhe me mendje në rregull”, duke kërkuar që të mund qëndronte me Zotin. (Shih Lluka 8:27–39; shih edhe Marku 5:1–20.)

Në mënyrë të ngjashme, Jezusi nuk i tha djalit me një frymë të ndyrë që të ndalonte së ngriri gjymtyrët, së shkumuari dhe së kërcituri dhëmbët përpara se Ai ta shëronte (shih Marku 9:17–27). Ai i pa këto gjendje si përvoja të vdekshmërisë, jo defekte shpirtërore. Ishin vetëm farisenjtë ata që Ai i largoi pasi drejtësia e vetëshpallur dhe krenaria e tyre e pengonin shërimin.

Ndërsa unë dhe ju e zgjerojmë përkufizimin tonë për nderimin, ne do të jemi më mirë në gjendje të japim mësim dhe shërbesë sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Ne do të kujtojmë vlerën e çdo shpirti në sytë e Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10). Ne do të jemi në gjendje të jemi nderues edhe në situatat më të pamundura.

Ndoshta nderimi në sytë e Zotit ka të bëjë pak me qëndrimin e qetë dhe të folurit butë dhe ka të bëjë më shumë me qetësinë e mendjeve tona dhe butësinë e zemrave tona.

Autorja jeton në Teksas, SHBA.

Shënim

  1. Dallin H. Oaks, Pure in Heart (1988), f. 125.