“Zoti Ishte me Jozefin”, Liahona, Mars/Prill 2022.
Eja, Më Ndiq
Zoti Ishte me Jozefin
Ndërsa përjetojmë herë pas here uljet dhe ngritjet e jetës, ne mund të mësojmë shumë nga shembulli i profetit të lashtë Jozef.
Disa vite më parë, familja jonë u ngazëllye kur mori vesh se gruaja ime, Teri, po priste fëmijën tonë të katërt. Megjithatë, gjatë muajve të parë të shtatzënisë ne mësuam se Teri kishte një gjendje mjekësore me gjasë të rrezikshme. Mundësia më e sigurt për të ishte të shtrohej në spital, ku mund të kishte kujdes të vazhdueshëm. Ajo u vu në regjim shtrati në përpjekje për ta vazhduar shtatzëninë sa më gjatë të ishte e mundur.
Kjo u bë një kohë e errët dhe e vështirë për familjen tonë, sidomos për Terin. U ndje tejet e vetmuar. Dhe unë kisha sfidën që të kujdesesha për tre fëmijët e vegjël ndërkohë që punoja në profesion dhe gjithashtu shërbeja si peshkop. Jeta dukej kaotike dhe e vështirë.
Në vetminë e saj, Teri gjeti ngushëllim te fjalët e një himni të bukur:
Prania Jote më duhet çdo or’.
Veç hirit Tënd, çfar’ forc’n e lig’ rrëzon?
Drejtim, mbështetje kush më jep si Ti?
N’qoft’ shi a diell, Zot, me mua rri! 1
Zoti Ishte Me ne
Përfundimisht, u kërkua operacion urgjent për ta lindur djalin tonë, Xheisin. Si nëna dhe djali morën kujdes të sigurt sepse Teri tashmë ishte në spital. E ndiem mbrojtjen e Zotit në jetën tonë.
Xheisi lindi katër javë më herët dhe u vendos në njësinë e kujdesit intensiv për foshnjat e porsalindura. U kthyem në shtëpi pa foshnjën tonë. Gjatë muajit që pasoi, bëmë rrugë vajtje-ardhje çdo ditë në spital. Jeta dukej sikur arriti në një pikë të ulët.
Sërish, megjithatë, ne dëshmuam dorën e Zotit. Xheisi përparoi në atë pikë sa ishim në gjendje ta sillnim në shtëpi, një pikë e lartë kur u bashkuam si familje.
Më pas mësuam se Xheisi kishte sinostozë sagitale, një gjendje ku kockat në kafkë bashkohen para kohe së bashku. Pasoja është që koka e bebes nuk mund të rritet. Trajtimi i vetëm ishte që të hiqej në rrugë kirurgjikale një pjesë e madhe e kafkës së Xheisit kur ai të ishte vetëm tre muajsh. Ne e duruam këtë sfidë nëpërmjet lutjes dhe bekimeve të priftërisë. Sërish e pamë dorën e Zotit në jetën tonë. Lutjet morën përgjigje. Bekimet u përmbushën. Operacioni doli me sukses. Jeta arriti edhe një herë tjetër në një pikë të lartë.
Çfarë udhëtimi poshtë e përpjetë! Por Zoti na dha shumë mësime përmes këtij udhëtimi. Ne e dimë se Ai ishte me ne përgjatë udhës.
Jozefi Kishte Uljet dhe Ngritjet e Tij
Ndërsa e studiojmë jetën e Jozefit në Dhiatën e Vjetër, zbulojmë se edhe jeta e tij ishte një udhëtim me ngritje dhe ulje dhe sërish me ngritje. Dhe ne mësojmë se Zoti ishte përherë me të, në të mirë dhe në të keqe.
Rroba që Jakobi i dha Jozefit, ishte një simbol i bukur i dashurisë së Jakobit për Jozefin. Por shërbeu edhe si një kujtues acarues për vëllezërit e Jozefit për marrëdhënien mes Jozefit dhe atit të tij.
Kur vëllezërit shkuan për të kullotur bagëtitë e të atit, Jakobi i kërkoi Jozefit të shkonte që t’i kontrollonte ata. Jozefi shkoi siç iu kërkua. Megjithatë, duket se ai humbi gjatë rrugës. Ndaj Zoti dërgoi një burrë që t’i jepte Jozefit udhëzime që të mund të gjente vëllezërit e tij (shih Zanafilla 37:15–17).
Kur vëllezërit e Jozefit komplotuan që ta vrisnin atë, duket më tepër sesa një rastësi fakti që një karvan ndodhi që po kalonte rrugës për në Egjipt. Në vend që ta vrisnin Jozefin, ose ta linin në vdiste në një pus, vëllezërit ia shitën atë karvanit. (Shih Zanafilla 37:25–28.)
Udhërrëfimi i Zotit ishte sërish i dukshëm kur karvani ia shiti Jozefin Potifarit, kapitenit të rojave të Faraonit. Madje edhe si shërbëtor, Jozefi e ktheu çdo përvojë në diçka të mirë. Potifari e bëri Jozefin kryeadministrator të shtëpisë së tij. Ai e la në dorë të Jozefit gjithçka që zotëronte. (Shih Zanafilla 39:4.) Jozefi bëri një udhëtim nga një pikë e ulët në një pikë të lartë. Tani ai po gëzonte mundësitë dhe privilegjet e shtëpisë së Potifarit.
Megjithatë kjo pikë e lartë nuk zgjati për shumë kohë. Kur Jozefi u largua nga afrimi i papërshtatshëm i gruas së Potifarit, ajo e akuzoi atë për imoralitet. Ndonëse akuza e saj ishte e rreme, Jozefin fare mirë mund ta kishin ekzekutuar. Është e jashtëzakonshme që, në vend të kësaj, atë thjesht e futën në burg. Dora e Zotit e ruajti sërish Jozefin.
Besim i Jashtëzakonshëm
Po të kishit qenë ju që t’ju futnin padrejtësisht në burg, çfarë do të kishit bërë? Nëse ndonjë njeri kishte arsye për shkurajim dhe hidhësi, ai ishte Jozefi. Kalimi i dhunshëm nga ngritja në ulje mund ta ketë bërë atë fare lehtë të mendonte: “Ç’dobi ka përpjekja për t’i shërbyer Perëndisë? Ai vetëm më ndëshkon.” Por Jozefi nuk u hidhërua, as nuk e fajësoi Zotin dhe nuk hoqi dorë. Besimi i tij i jashtëzakonshëm kurrë nuk u lëkund.
Madje edhe në ditët e errëta të burgimit, Zoti nuk e braktisi Jozefin. Fillimisht, Zoti i dha mundësinë Jozefit të interpretonte ëndrrat e kupëmbajtësit dhe bukëpjekësit (shih Zanafilla 40). Më pas, disa vjet më vonë, kur kjo e çoi në mundësinë që të interpretonte ëndrrën e Faraonit, Jozefi e pranoi se aftësia për ta bërë këtë erdhi nga Perëndia (shih Zanafilla 41:16). Faraoni jo vetëm që e liroi Jozefin nga burgu, por gjithashtu “e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit” (Zanafilla 41:43). Pasi Jozefi vuajti dhe pati vështirësi për vite të tëra, Perëndia e ndihmoi Jozefin të bëhej një person me ndikim në vend, i dyti pas Faraonit – një tjetër pikë e lartë në jetën e Jozefit.
Perëndia e Ka për të Mirën Tonë
Jozefi përfundimisht i takoi sërish vëllezërit e tij, ata që kishin komplotuar kundër tij dhe e kishin shitur si skllav. Ai mund të ishte hidhëruar. Ai mund t’i kishte fajësuar ata për “padrejtësi[në] ndërkryese” që i kishin shkaktuar. 2
Por Jozefi e kuptoi se uljet dhe ngritjet në jetën e tij ishin parashikuar nga Zoti. Deklarata e tij drejtuar vëllezërve të vet jep një këndvështrim për atë kuptueshmëri:
“Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.
Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj. Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi” (Zanafilla 50:20–21).
Ndërsa përjetojmë herë pas herë uljet dhe ngritjet e jetës, çfarë kujtuesi i mrekullueshëm që Perëndia e ka për të mirën tonë. Zoti i shpjegoi të njëjtin parim Jozefit të ditëve të mëvonshme:
“Në qoftë se thirresh përmes vuajtjes, …
në qoftë se akuzohesh me të gjitha mënyrat e akuzave të rreme, nëse armiqtë e tu bien mbi ty, nëse të shkëpusin nga shoqërimi i atit e i nënës tënde … dhe ti do të tërhiqesh zvarrë në burg, …
… dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 122:5–7).
Gjithmonë Ka Pasur Vështirësi
Kur unë dhe Teri po kalonim sfidat tona, ne gjetëm ngushëllim te kjo deklaratë nga një profet i Perëndisë:
“[Dua të dini se] gjithmonë ka pasur disa vështirësi në jetën në vdekshmëri dhe gjithmonë do të ketë. Por duke ditur atë që dimë, dhe duke jetuar siç duhet të jetojmë, vërtet nuk ka vend, nuk ka justifikim, për pesimizëm dhe dëshpërim. …
… Shpresoj se ju nuk do të besoni që gjithë vështirësitë e botës janë ngjeshur vetëm në dekadën tuaj, ose se gjërat nuk kanë qenë kurrë më keq sesa janë për ju personalisht, apo se ato nuk do të bëhen kurrë më mirë. … Ju siguroj edhe një herë se gjërat kanë qenë më keq dhe ato do të bëhen gjithmonë më mirë. Ato bëhen gjithmonë kështu – veçanërisht kur ne e jetojmë dhe e duam ungjillin e Jezu Krishtit dhe i japim mundësinë të lulëzojë në jetën tonë.” 3
Nga historia e Jozefit dhe nga ngjarjet fatkeqe në botën rreth nesh, është e lehtë të shohim se gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të mirë. Të jetuarit me drejtësi nuk nënkupton se do t’i shmangim sfidat dhe trishtimin në jetën tonë. Megjithatë, ashtu siç Zoti qe me Jozefin në fatkeqësitë e tij, ashtu Ai do të jetë me ne. Sprovat do të vijnë në mënyrë të pashmangshme. Por nëse i kalojmë me vendosmëri për ta dëgjuar Atë, Zoti do të na udhërrëfejë dhe frymëzojë, ashtu siç bëri me Jozefin.