“Unë Zgjedh që ta Dëgjoj Atë”, Liahona, Mars/Prill 2022.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Gra me Besim
Unë Zgjedh që ta Dëgjoj Atë
Kur një motër përmendi tortën gjatë dëshmisë së vet, ngrita kokën dhe fillova t’i kushtoja vëmendje.
Linda në Kishë, kështu që frekuentova Filloren dhe aktivitetet e rinisë. Më pëlqente Fillorja për shkak të këngëve dhe mësimeve.
Megjithatë, kur isha adoleshente, fillova të largohesha pasi u shpërngula në një lagje të re. I frekuentoja aktivitetet e rinisë shumicën e javëve, por u shmangesha kontakteve dhe nuk merrja pjesë dhe aq shumë. Nuk më pëlqente Kisha të dielën, por e frekuentoja me raste. E kuptova se nuk isha kthyer vërtet në besim tek ungjilli dhe mësimet e tij. Nuk kisha një dëshmi timen.
Si zakonisht, gjatë një mbledhjeje agjërimi dhe dëshmish, mendja ime po endej. Nuk po dëgjoja me të vërtetë kur anëtarët e lagjes jepnin dëshmitë e tyre, por thoja ‘amen’ në fund të secilës prej tyre. Më pas u ngrit një motër në foltore dhe filloi të jepte dëshminë e vet. Kur përmendi tortën, ngrita sytë dhe fillova t’i kushtoja vëmendje.
“Unë gjithmonë flas me Atin Qiellor, edhe kur jam duke pjekur një tortë”, – tha ajo. “Bëj një lutje të shkurtër që torta të fryhet dhe të dalë e mirë. Unë e di se Ai u përgjigjet lutjeve tona.”
Nuk mendova shumë për atë dëshmi derisa makina jonë nuk po ndizej kur duhej të shkonim në dyqan për të blerë disa ushqime. Në atë çast m’u kujtuan fjalët e motrës. Ndaj u ktheva në dhomën e gjumit që t’i kërkoja Perëndisë të na ndihmonte që makina të ndizej. U gjunjëzova dhe u luta. Kur mbarova, mora çelësat e makinës dhe i vendosa te kuadri. Dhe më pas erdhi përgjigjja për lutjen time – zhurma e makinës që u ndez.
Për shkak të asaj përgjigjeje ndaj një lutjeje të thjeshtë, kalova prej largimit pothuajse [nga Kisha] në një shteg që më ka ndihmuar të fitoja një dëshmi vetjake dhe të kthehesha plotësisht në besim tek ungjilli. Fjalët e këngës sime të parapëlqyer të Fillores “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” 1 , u bënë më shumë sesa thjesht fjalë të një kënge. U bënë ndjenja që i kisha vërtet.
Tani lutem për çdo gjë. Dhe ndonëse përgjigjja ose koha nuk është gjithmonë ajo që dëshiroj, ende zgjedh ta dëgjoj Atë ndërsa kujtoj fjalët e Nefit: “Por vini re, unë po ju them se ju duhet të luteni gjithmonë dhe mos u jepni” (2 Nefi 32:9).