“Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit
Vështrim i Përgjithshëm
Jozef Smithi e quajti Librin e Mormonit gurin kyç të besimit tonë. Ai doli në dritë “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 135:3) dhe shumë dëshmitarë e vërtetuan origjinën e tij të mrekullueshme. Këto mësime mund të të ndihmojnë t’i kuptosh dhe t’i shpjegosh qëllimet e Librit të Mormonit, ta shtosh dëshirën tënde për ta studiuar atë çdo ditë dhe të reflektosh mbi vetë dëshminë tënde për vërtetësinë e tij.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Faqja e Titullit
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka si qëllim të ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë e t’i shpjegojnë qëllimet e Librit të Mormonit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin mbi arsyen pse Libri i Mormonit theksohet dhe përdoret kaq shpesh në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Një mjet ose një figurë të një mjeti të cilin nxënësit mund të mos ta njohin.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në dhoma virtuale të veçanta për të diskutuar qëllimet e Librit të Mormonit. Nxënësit mund të ndihen më rehat që të shprehen në dyshe apo grupe të vogla.
Parathënia për Librin e Mormonit
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka si qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta shtojnë dëshirën e tyre për të studiuar Librin e Mormonit çdo ditë me qëllim që të forcojnë dëshminë e tyre për vërtetësinë e tij.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta lexojnë ose dëgjojnë bisedën e Plakut Geri E. Stivenson “Shihni te Libri, Shihni te Zoti” nga konferenca e përgjithshme e tetorit 2016.
-
Materiale filmike: “Book of Mormon Experiment Honolulu” [“Eksperimenti Honolulu me Librin e Mormonit”] (02:35); “Dalja në Dritë e Librit të Mormonit” (17:12; shihni nga kodi kohor 12:03 deri në 14:12)
-
Sende për t’u përgatitur: Një faqe e kopjuar nga Libri i Mormonit për çdo nxënës
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojini nxënësit që janë të gatshëm të tregojnë se si i shenjuan përmendjet e Shpëtimtarit në faqen e tyre të Librit të Mormonit. Mund t’i ngrenë lart shkrimet e tyre të shenjta ose të shpërndajnë një fotografi të pamjes së ekranit nëse përdorin shkrimet e shenjta digjitale. Ata gjithashtu mund të shpërndajnë në veçorinë e bashkëbisedimit një emër të Shpëtimtarit ose një varg që u bëri më shumë përshtypje.
Dëshmia e Jozef Smithit për Librin e Mormonit
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë dhe shpjegojnë më mirë se si Libri i Mormonit doli në dritë “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 135:3).
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar atë që ata dinë rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit dhe se çfarë pyetjesh kanë rreth saj.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Figurat në fillim të mësimit. (Ato mund të paraqiten në klasë ose kopje të tyre mund të shtypen e t’u shpërndahen nxënësve për t’i vendosur në rend kronologjik.)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ky mësim ofron shumë mundësi për veprimtari në internet. Për shembull, merreni parasysh të krijoni një detyrë kontrolli në internet duke përdorur figurat nga mësimi dhe duke i ftuar nxënësit ta bëjnë detyrën e kontrollit gjatë orës mësimore. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të përdorni një pyetësor anonim në internet për t’i lejuar nxënësit të dorëzojnë pyetjet e tyre rreth përkthimit të Librit të Mormonit.
Dëshmitë e Tre Dëshmitarëve dhe të Tetë Dëshmitarëve
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e dëshmitarëve të shumtë të Librit të Mormonit dhe të reflektojnë mbi vetë dëshmitë e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar përvoja që i kanë ndihmuar ata ose të tjerët të dinë se Libri i Mormonit është nga Perëndia.
-
Fletushkë: “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve dhe e Tetë Dëshmitarëve”
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të ftoni disa nxënës të sjellin një pjesëtar/e të familjes apo një mik ose mikeshë në orën mësimore në internet për të dhënë dëshminë e tij apo të saj për Jezu Krishtin dhe Librin e Mormonit. Këta persona mund t’i japin dëshmitë e tyre pak përpara përfundimit të mësimit, kur nxënësit ftohen t’i shkruajnë dëshmitë e tyre.
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 2
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i shqyrtojnë konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm dhe t’i shohin ato më shumë siç i sheh Shpëtimtari.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta falënderojnë Atin Qiellor në lutjet e tyre vetjake për njohurinë që kanë rreth planit të shpëtimit. Merreni parasysh t’i ftoni ta pyetin Atë gjithashtu se si mund ta përdorin atë njohuri për mirë.
-
Materiali filmik: “Shqyrtimi i Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm” (02:56) [https://www.churchofjesuschrist.org/media-library/video/2016-05-2000-examining-questions-with-an-eternal-perspective?category=doctrinal-mastery&lang=alb]
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Teksa nxënësit shohin materialin filmik “Shqyrtimi i Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm”, mund të jetë e dobishme të ndaloni në pika të caktuara për t’i lejuar ata të ushtrojnë formulimin e pyetjes së Adrit. Për shembull, në kodin kohor 01:12, merrni parasysh të pyetni: “Cilat mund të jenë disa hamendësime ose bindje të tjera që e çuan Adrin të bënte këtë pyetje?” Në kodin kohor 01:57, merreni parasysh të pyetni: “Çfarë të vërtetash dini që mund të trajtojnë hamendësimet ose bindjet që qëndrojnë pas pyetjes së Adrit?”