“1–7 Shtator: ‘Për Shpëtimin në Sion’: Doktrina e Besëlidhje 94–97”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 94–97”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
1–7 Shtator: “Për Shpëtimin në Sion”
Doktrina e Besëlidhje 94–97
Në kohët e lashta, Zoti e urdhëroi Moisiun të ndërtonte një tabernakull “sipas modelit që [i] qe treguar [atij] në mal” (Hebrenjve 8:5; shihni edhe tek Eksodi 25:8–9). Tabernakulli do të ishte qendra e kampit të Izraelit në vendin e shkretë (shihni te Numrat 2:1–2).
Në vitin 1833, Zoti e urdhëroi Jozef Smithin të ndërtonte tempujt “jo sipas mënyrës së botës”, por përkundrazi “sipas mënyrës që [Ai] do t’ia trego[nte]” (Doktrina e Besëlidhje 95:13–14; shihni edhe te 97:10). Sikurse tabernakulli në vendin e shkretë, tempulli kishte si synim të ishte një objekt i spikatur në Kirtland (shihni te Doktrina e Besëlidhje 94:1).
Sot, tempujt gjenden anekënd botës. Ndonëse nuk janë në qendrat e qyteteve tona, ata na drejtojnë për te Krishti, i cili duhet të jetë qendra e jetës sonë. Edhe pse çdo tempull ndryshon në pamjen e jashtme, brenda tyre ne mësojmë të njëjtin model hyjnor – një plan hyjnor që të na kthejë përsëri në praninë e Perëndisë. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta na lidhin me Krishtin dhe i forcojnë familjet tona “jo sipas mënyrës së botës”, por sipas modelit që na tregon Perëndia.
Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:169–170; “A House for Our God”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 165–173.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 94; 97:10–17
Unë mund t’i “përkushtohe[m] tërësisht Zotit”.
Te Doktrina e Besëlidhje 94, Zoti jep udhëzime rreth ngritjes së ndërtesave administrative në Kirtland: një zyrë dhe një shtypshkronjë. Çfarë ju bën përshtypje rreth asaj që Zoti thotë për këto ndërtesa te Doktrina e Besëlidhje 94:2–12? Si krahasohet ajo me atë që Ai thotë për tempullin te 97:10–17?
Çfarë do të thotë për ju t’i “përkushtohe[ni] tërësisht Zotit”?
Zoti i qorton ata që Ai i do.
Kur u mor zbulesa te seksioni 95, kishin kaluar afro pesë muaj qëkurse Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një shtëpi të Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:117–119) dhe ata nuk e kishin filluar ende. Vini re se si Zoti i korrigjoi ata në këtë zbulesë. Mund edhe të bëni një listë parimesh që gjeni për dhënien e korrigjimit të frymëzuar. Çfarë mësoni për Zotin nga mënyra se si Ai i korrigjoi shenjtorët e Tij?
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 121:43–44; D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 97–100.
Doktrina e Besëlidhje 95:8, 11–17; 97:10–17
Tempulli është shtëpia e Zotit.
Pasi u qortuan ngaqë nuk e ndërtuan një shtëpi të Zotit në Kirtland, udhëheqësit e Kishës zgjodhën një vend në një fushë me grurë ku do të ndërtonin. Hajrëm Smithi, vëllai i Profetit, vrapoi menjëherë që të merrte një kosë për të filluar pastrimin e fushës. “Ne po përgatitemi të ndërtojmë një shtëpi për Zotin”, – tha ai, – “dhe unë jam i vendosur që të jem i pari në këtë punë” (në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 290). Si mendoni, pse Hajrëmi ishte aq i etur për ta ndërtuar tempullin? Përsiateni këtë teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 95:8, 11–17; 97:10–17.
Në kohën tonë, Zoti “po e përshpejton ritmin me të cilin po ndërtojmë tempuj” (Rasëll M. Nelson, “Përqendrimi tek Tempulli”, Liahona, nëntor 2022, f. 121). Po t’ju pyeste dikush pse Kisha e Jezu Krishtit ndërton kaq shumë tempuj, çfarë do t’i thoshit? Kërkoni përgjigje të mundshme në:
-
Mesazhet e Presidentit Rasëll M. Nelson ku lajmërohen tempuj të rinj (të tillë si “Tani Është Koha”, Liahona, maj 2022, f. 126).
-
“Why Latter-day Saints Build Temples” (temples.ChurchofJesusChrist.org).
-
Materiali filmik “Temples” [“Tempujt”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].
Mund t’i krahasoni përpjekjet e shenjtorëve për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit me përpjekjet tuaja për t’u përgatitur për përvoja kuptimplote me Zotin në tempull. Si mund të tregoni të njëjtën ndjesi ngutjeje që ndjeu Hajrëm Smithi kundrejt shtëpisë së shenjtë të Zotit? Për shembull, çfarë mund të bëni që do të ishte njësoj si pastrimi i fushës, sikurse bëri Hajrëmi? Çfarë sakrificash ndieni se Zoti do që ju të bëni? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:12.)
Shihni edhe te “Tempuj t’Shenjt’ në Mal t’Sionit”, Himne, nr. 187; Tema dhe Pyetje, “Temples” [“Tempujt”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Ata pranohen nga unë”.
Mendoni për një rast kur u pranuat, ose nuk u pranuat, në një grup ose skuadër. Ku ngjason ose ndryshon kjo nga ajo që na mësohet te Doktrina e Besëlidhje 97:8–9 rreth asaj që do të thotë të pranohesh nga Zoti? Si mendoni, çfarë po përpiqet t’ju mësojë Zoti me metaforën te vargu 9?
Shihni edhe tek Erik W. Kopishke, “Të Pranohesh nga Zoti”, Liahona, maj 2013, f. 104–106.
Doktrina e Besëlidhje 97:18–28
Sioni është “të kulluarit në zemër”.
Për shenjtorët në vitet 1830, Sioni ishte një vend. Në zbulesën te seksioni 97, Zoti e zgjeroi përkufizimin për të përshkruar një popull: “të kulluarit në zemër” (vargu 21). Teksa i lexoni vargjet 18–28, mund ta zëvendësoni këtë përkufizim kur të lexoni fjalën Sion. Çfarë do të thotë për ju të jesh i kulluar në zemër?
Shihni edhe te Moisiu 7:18.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 95:8; 97:10–17
Tempulli është shtëpia e Zotit.
-
Për pak historik mbi seksionet 95 dhe 97, mund t’u tregoni fëmijëve tuaj historinë “The Kirtland Temple” [“Tempulli i Kirtlandit”] në Doctrine and Covenants Stories for Young Readers (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:210). Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të bëjnë sikur po ndihmojnë për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit (duke prerë dru, duke ngulur gozhdë, duke lyer muret e kështu me radhë). Mund t’u tregoni edhe një figurë të Tempullit të Kirtlandit, si ato në këtë përvijim, ndërkohë që lexoni te Doktrina e Besëlidhje 95:8 për t’u mësuar fëmijëve tuaj arsyen pse Zoti do që ne të ndërtojmë tempuj.
-
Pas leximit së bashku të vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16, ju dhe fëmijët tuaj mund t’i tregoni njëri-tjetrit arsyen pse ky tempull është i veçantë për ju. Mund edhe të këndoni së bashku një këngë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të ndiejnë nderim për shtëpinë e Zotit, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99). Përse tempulli është i shenjtë?
Doktrina e Besëlidhje 97:1–2, 8–9, 21
Sioni është “të kulluarit në zemër”.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se çfarë mund të nënkuptojë fjala të kulluarit te Doktrina e Besëlidhje 97:21, mund të vështroni një gotë me ujë të pastër së bashku dhe të shtoni diçka në ujë që e bën të papastër (të tillë si dhè ose piper). Përse është e rëndësishme që uji të jetë i pastër ose i kulluar? Më pas fëmijët tuaj mund të lexojnë vargun 21 dhe ta vendosin gishtin mbi fjalën të kulluarit. Çfarë do të thotë që zemrat tona të jenë të kulluara? Vargjet 1–2 dhe 8–9 mund të japin disa ide. Si ndihmon Shpëtimtari për të na i bërë zemrat të kulluara?
Zoti i bekon njerëzit që i mbajnë besëlidhjet me Të.
-
A e dinë fëmijët tuaj se çfarë besëlidhjesh bëjmë me Zotin kur pagëzohemi ose në tempull? Merrni parasysh t’i shqyrtoni ato besëlidhje me ta duke lexuar te Mosia 18:9–10, 13 ose General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 27.2. Tregojini njëri-tjetrit se si po përpiqeni fort t’i “rua[ni] besëlidhjet [tuaja] me anë të sakrificës” (Doktrina e Besëlidhje 97:8).
-
Mund t’i ftoni fëmijët tuaj të bëjnë vizatime të asaj që përshkruan vargu te Doktrina e Besëlidhje 97:9. Ndërsa ata tregojnë figurat e tyre, flisni rreth mënyrës se si Zoti ju ka bekuar për mbajtjen e besëlidhjeve tuaja. Ku ngjasojnë ato bekime me të qenit një “pemë shumë frytdhënëse, e cila mbillet… pranë një rrëkeje të pastër”?