Parime të Dhënies së Shërbesës, Qershor 2018
Pesë Gjëra që i Bëjnë Dëgjuesit e Mirë
Dëgjimi me të vërtetë do t’ju vijë në ndihmë që ta dini se në ç’mënyrë të ndihmoni për t’i plotësuar nevojat shpirtërore dhe materiale të të tjerëve ashtu siç do të bënte Shpëtimtari.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ndoshta edhe më e rëndësishme se të folurit është dëgjimi. … Nëse dëgjojmë me dashuri, ne nuk do të kemi nevojë të vrasim mendjen se çfarë të themi. Ajo do të na jepet ne … nëpërmjet Shpirtit.”1
Dëgjimi është një aftësi që mund ta mësojmë. Dëgjimi tregon dashurinë tonë për të tjerët, jep ndihmë për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe e fton Shpirtin të na bekojë me dhuratën e dallimit, që të na ndihmojë t’i kuptojmë nevojat e të tjerëve.2 Këtu janë pesë forma në të cilat mund ta përmirësojmë mënyrën se si dëgjojmë.
1.Jepuni Kohë Atyre
Shumë njerëzve u duhet kohë që t’i peshojnë mendimet përpara se të flasin. Jepuni atyre kohë të mendojnë si përpara se të thonë diçka, ashtu edhe më pas (shih Jakob [Bibël] 1:19). Fakti që thjesht kanë pushuar së foluri, nuk do të thotë se ata e kanë thënë gjithçka që kishin nevojë ta thoshin. Mos u frikësoni nga heshtja (shih Jobit 2:11–3:1 dhe Alma 18:14–16).
2.Jini të Vëmendshëm
Ne mendojmë më shpejt nga sa flasin të tjerët. Bëjini qëndresë tundimit që të dilni në përfundime ose të mendoni që më parë se çfarë do të thoni, kur ata të mbarojnë së foluri (shih Fjalët e Urta 18:13). Përkundrazi, dëgjoni me qëllimin që të kuptoni. Përgjigjja juaj do të jetë më e mirë ngaqë do të jeni informuar me kuptueshmëri më të madhe.
3.Sqaroni
Mos kini frikë të bëni pyetje që sqarojnë diçka të cilën nuk e kuptuat (shih Marku 9:32). Sqarimi i pakëson keqkuptimet dhe tregon interesimin tuaj për atë që po thuhet.
4.Mendoni Thellë
Parafrazojeni atë që dëgjuat dhe mënyrën se si e kuptoni atë që ndiejnë të tjerët. Kjo i ndihmon ta dinë nëse i keni kuptuar dhe u jep atyre mundësi për të sqaruar.
5.Gjeni Pika të Përbashkëta
Ju mund të mos bini dakord me gjithçka që është thënë, por bini dakord me atë që mundeni, pa i shtrembëruar vetë ndjenjat tuaja. Rënia dakord mund të ndihmojë që të shpërndahet ankthi dhe qëndrimi në mbrojtje (shih Mateu 5:25).
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se ne duhet të “mësojmë që të dëgjojmë dhe të dëgjojmë që të mësojmë nga njëri‑tjetri”3. Teksa dëgjoni me qëllimin që të mësoni rreth të tjerëve, do të jeni në një gjendje më të mirë që t’i kuptoni nevojat e tyre dhe të dëgjoni nxitje mbi mënyrën se si mund të kujdeseni për njerëzit rreth jush ashtu siç do të bënte Shpëtimtari.
Dëgjimi Është Dashuri
Një histori nga Plaku Holland e ilustron fuqinë e dëgjimit:
“Miku im, Troi Rasëll, e nxori kamionçinën e tij me ngadalë nga garazhi. … Ai ndjeu që rrota e pasme kaloi mbi një të ngritur. … Ai zbriti dhe veç kur gjeti birin e tij të shtrenjtë nëntëvjeçar, Ostinin, të shtrirë me fytyrën mbi trotuar. … Ostini ndërroi jetë.
I paaftë për të fjetur, i paaftë për të gjetur paqe, Troi ishte i pangushëllueshëm. … Por në atë kohë torturuese erdh[i] … Xhon Meningu. …
Sinqerisht, nuk e di se sipas cilit program Xhoni dhe shoqëruesi i tij i ri i bënin vizitat te familja Rasëll. … Ajo që unë vërtet e di, është që pranverën e shkuar Vëllai Mening u afrua dhe e ngriti Troi Rasëllin nga tragjedia e asaj rrugice përpara garazhit, sikur të ishte duke ngritur vetë Ostinin e vogël. Si … vëllai në ungjill që ai pritej të ishte, Xhoni thjesht mori mbi vete përkujdesjen priftërore dhe mbështetjen e Troi Rasëllit. Ai e filloi duke thënë: ‘Troi, Ostini do që ti ta marrësh sërish veten – duke përfshirë edhe në fushën e basketbollit – kështu që unë do të jem këtu çdo mëngjes në orën 5:15. Të jesh gati. …’
‘Nuk doja të shkoja’, më tha Troi më vonë, ‘ngaqë gjithmonë e kisha marrë Ostinin me vete. … Por Xhoni këmbënguli, prandaj shkova. Që nga ajo ditë e parë e kthimit, ne flisnim – ose më saktë, unë flisja dhe Xhoni dëgjonte. … Fillimisht ishte e vështirë, por, me kalimin e kohës e kuptova se e kisha gjetur forcën time në formën e [Xhon Meningut], që më deshi dhe më dëgjoi derisa më së fundi dielli lindi sërish në jetën time.’”4
© 2018 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/17. Miratuar për përkthim: 6/17. Përkthim i Ministering Principles, June 2018. Albanian. 15055 101