Parimet e Dhënies së Shërbesës
Si Mund të Krijojmë një Kulturë Përfshirjeje në Kishë?
Liahona, Korrik 2019
Kur shohim përreth në lagjet dhe degët tona, ne shohim njerëz që duket sikur përshtaten me lehtësi. Ajo që nuk kuptojmë është se, edhe mes atyre që duket sikur përshtaten, ka shumë që ndihen të mënjanuar. Për shembull, kohët e fundit një studim zbuloi se gati gjysma e të rriturve në Shtetet e Bashkuara raportuan se ndiheshin të vetmuar, të harruar apo të izoluar nga të tjerët.1
Është e rëndësishme të ndihemi të përfshirë. Është një nevojë njerëzore themelore dhe, kur ndihemi të përjashtuar, kjo të lëndon. Mënjanimi mund të prodhojë ndjenja trishtimi ose zemërimi.2 Kur kemi ndjesi sikur nuk përkasim diku, kemi prirjen të kërkojmë një vend ku ndihemi më rehat. Ne duhet ta ndihmojmë çdokënd që ta ndiejë se i përket kishës.
T’i Përfshijmë Ashtu si Shpëtimtari
Shpëtimtari ishte shembulli i përsosur i vlerësimit dhe përfshirjes së të tjerëve. Kur i zgjodhi Apostujt e Tij, Ai nuk i kushtoi vëmendje pozitës shoqërore, pasurisë apo një profesioni të ngritur. Ai e vlerësoi gruan samaritane te pusi, duke i dëshmuar asaj për hyjnueshmërinë e Tij, pavarësisht faktit se judenjtë i përçmonin samaritanët (shih Gjoni 4). Ai shikon zemrën dhe nuk është i anshëm (shih 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 38:16, 26).
Shpëtimtari tha:
“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri‑tjetrin.
Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri‑tjetrin” (Gjoni 13:34–35).
Çfarë Mund të Bëjmë Ne?
Ndonjëherë është e vështirë ta kuptosh a ndihet i mënjanuar dikush. Shumica e njerëzve nuk e thonë – të paktën jo kaq hapur. Por me një zemër plot dashuri, udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe një përpjekje për të qenë të vetëdijshëm, ne mund ta dallojmë kur dikush nuk ndihet i përfshirë në mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishës.
Shenja të Mundshme kur Dikush Ndihet i Përjashtuar:
-
Gjuha e trupit është e ngurtë, të tillë si krahët janë të mbledhura pranë trupit ose i mban sytë poshtë.
-
Ulet në pjesën e prapme të klasës ose ulet vetëm.
-
Nuk merr pjesë në Kishë ose nuk merr pjesë rregullisht.
-
Largohet nga mbledhjet ose veprimtaritë më herët.
-
Nuk merr pjesë në biseda ose mësime.
Këto mund të jenë shenja të emocioneve të tjera gjithashtu, të tilla si drojë, ankth ose të qenit në siklet. Anëtarët mund të ndihen “ndryshe” kur janë anëtarë të rinj të Kishës, janë nga një vend apo kulturë tjetër, ose kanë përjetuar një ndryshim traumatik në jetë kohët e fundit, të tillë si shkurorëzim, vdekje të një pjesëtari të familjes ose kthimin herët nga misioni.
Pavarësisht nga arsyeja, ne nuk duhet të ngurrojmë që t’ua shtrijnë dorën e ndihmës me dashuri. Ajo që themi dhe ajo që bëjmë, mund të krijojë një ndjesi se të gjithë janë të mirëpritur dhe se kemi nevojë për të gjithë.
Disa Mënyra se si të Jemi Përfshirës e Mikpritës
-
Mos u ulni përherë me të njëjtët njerëz në kishë.
-
Shihni përtej pamjes së jashtme të njerëzve për të parë personin e vërtetë. (Për më shumë informacion mbi këtë temë, shih “Ministering Is Seeing Others as the Savior Does”, Liahona, qershor 2019, f. 8–11.)
-
Përfshijini të tjerët në biseda.
-
Ftojini të tjerët të jenë pjesë e jetës suaj. Ju mund t’i përfshini ata në veprimtari që tashmë jeni duke i planifikuar.
-
Gjeni dhe ndërtoni mbi interesa të përbashkëta.
-
Mos ia kurseni dikujt miqësinë vetëm sepse ai/ajo nuk i përmbush pritshmëritë tuaja.
-
Kur shihni diçka unike te një person, interesohuni për këtë, në vend që ta anashkaloni ose shmangni atë.
-
Shprehni dashuri dhe bëni përgëzime të çiltra.
-
Gjeni kohë për të menduar rreth asaj se çfarë do të thotë vërtet kur themi se Kisha është për çdokënd, pavarësisht nga ndryshimet e tyre. Si mund ta bëjmë këtë një realitet?
Nuk është përherë e lehtë të ndihemi rehat përreth njerëzve që janë të ndryshëm nga ne. Por me praktikë, ne mund të përmirësohemi për të gjetur vlera te ndryshimet dhe ta vlerësojmë ndihmesën unike që sjell çdo njeri. Siç dha mësim Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndryshimet tona mund të na ndihmojnë të bëhemi një popull më i mirë, më i lumtur: “Ejani, na ndihmoni të ndërtojmë dhe forcojmë një kulturë shërimi, mirësie dhe mëshire kundrejt të gjithë fëmijëve të Perëndisë”3.
Të Bekuar nga Përfshirja
Kristel Fehter u shpërngul në një vend tjetër pasi lufta e shkatërroi vendin e saj. Ajo nuk e fliste mirë gjuhën dhe nuk njihte askënd në lagjen e saj të re, kështu që në fillim u ndje e izoluar dhe e vetmuar.
Si anëtare e Kishës, mori guxim dhe filloi të frekuentonte lagjen e saj të re. Shqetësohej se theksi i saj i rëndë do t’i mbante njerëzit larg që të mos flisnin me të ose do të gjykohej se ishte nënë e vetme.
Por ajo takoi njerëz të tjerë që i anashkaluan ndryshimet e saj dhe e mirëpritën në komunitetin e tyre të miqve. Ata e ndihmuan me dashuri dhe shpejt ajo e gjeti veten të angazhuar duke ndihmuar për të dhënë mësim në një klasë Filloreje. Fëmijët ishin shembuj të shkëlqyer të pranimit dhe ndjenja se ata e donin dhe kishin nevojë për të, e forcoi besimin e saj dhe e ndihmoi që ta rindizte përkushtimin e saj të përhershëm ndaj Zotit.