Parimet e Dhënies së Shërbesës, Mars 2019
Si të Japim Dëshmi në Mënyrë më të Natyrshme
Të japësh shërbesë është të japësh dëshmi. Përshtatshmëria e dhënies së shërbesës mund t’i rritë mundësitë tona për ta dhënë dëshminë në mënyra formale dhe joformale.
Ne kemi besëlidhur që të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Dhënia e dëshmive tona është pjesë e të qëndruarit si një dëshmitar/e dhe është një mënyrë e fuqishme për ta ftuar Frymën e Shenjtë që t’ia prekë zemrën dhe t’ia ndryshojë jetën dikujt.
“Dëshmia – dëshmia e vërtetë, e lindur nga Shpirti dhe e konfirmuar nga Fryma e Shenjtë – ndryshon jetën”, tha Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.1
Por dhënia e dëshmisë sonë mund të jetë frikësuese ose e parehatshme për disa prej nesh. Kjo mund të jetë e tillë pasi ne e mendojmë dhënien e dëshmisë sonë si diçka që e bëjmë në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive ose kur japim një mësim. Në ato mjedise formale, ne shpesh përdorim fjalë dhe fraza të caktuara që duken pa vend në një bashkëbisedim të natyrshëm.
Dhënia e dëshmive tona mund të bëhet një bekim më i zakonshëm në jetën tonë dhe jetën e të tjerëve kur e kuptojmë se sa e thjeshtë mund të jetë ta themi atë që ne besojmë, në mjediset e përditshme. Ja tek janë disa ide që t’ju ndihmojnë të filloni.
Mbajeni të Thjeshtë
Një dëshmi nuk ka përse të fillojë me frazën: “Do të doja të jepja dëshminë time” dhe nuk ka përse të mbarojë me frazën: “Në emrin e Jezu Krishtit, amen”. Një dëshmi është një shprehje e asaj që ne besojmë dhe e dimë se është e vërtetë. Ndaj të flasësh me një fqinjën tënde në rrugë për një problem që ajo po kalon, dhe të thuash: “E di se Perëndia u përgjigjet lutjeve”, mund të jetë po aq e fuqishme sa çdo dëshmi e dhënë nga foltorja në kishë. Fuqia nuk vjen nga fjalori i zbukuruar; ajo vjen nga Fryma e Shenjtë që e pohon të vërtetën (shih Doktrina e Besëlidhje 100:7–8).
Përshtatjuni Rrjedhës së Bashkëbisedimit të Natyrshëm
Nëse jeni të gatshëm të jepni dëshmi, ka mundësi kudo rreth nesh për ta shprehur dëshminë në bashkëbisedimet e përditshme. Për shembull:
-
Dikush ju pyet për fundjavën. “Ishte e mrekullueshme”, i përgjigjeni. “Kisha ishte pikërisht ajo për të cilën kisha nevojë.”
-
Dikush shpreh keqardhje pasi merr vesh për një sfidë në jetën tuaj: “Më vjen shumë keq”. Ju i përgjigjeni: “Faleminderit për interesimin. E di se Perëndia do të më përkrahë. Ai më është gjendur pranë edhe më parë.”
-
Dikush vëren: “Shpresoj që kjo kohë e shpifur të ndryshojë shpejt” ose “Pa dyshim që autobusi po vonohet” ose “Shihe ç’trafik”. Mund të përgjigjeni: “Jam i/e sigurt se Perëndia do të ndihmojë që çdo gjë të zgjidhet”.
Tregojini Përvojat Tuaja
Ne shpesh flasim me njëri‑tjetrin për sfidat tona. Kur dikush ju tregon për ato që po kalon, ju mund t’i tregoni rreth një rasti kur Perëndia ju ndihmoi gjatë sprovave tuaja dhe të dëshmoni se e dini që Ai mund ta ndihmojë edhe atë. Zoti tha se Ai na forcon gjatë sprovave tona kështu që “ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre” (Mosia 24:14). Ne mund të qëndrojmë si dëshmitarë të Tij kur dëshmojmë për mënyrën se si Ai na ka ndihmuar gjatë sprovave tona.
Jini të Përgatitur
Për disa prej nesh, dhënia e dëshmisë në çast, pa planifikim mund të jetë frikësuese. Ka mënyra se si mund të planifikojmë më parë dhe “[të jemi] gjithnjë gati për [t’iu] përgjigjur në mbrojtjen [tonë] kujtdo që [na] kërkon shpjegime për shpresën që është në [ne]” (1 Pjetër 3:15).
Së pari, të qenit të përgatitur mund të nënkuptojë t’i hedhim një sy mënyrës se si jetojmë. A po e ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë dhe a po i forcojmë dëshmitë tona vetjake çdo ditë nëpërmjet të jetuarit me drejtësi? A po i japim Shpirtit mundësi për të na folur dhe për të na dhënë fjalët për të cilat kemi nevojë, nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta? Ashtu si Zoti e këshilloi Hajrëm Smithin: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet” (Doktrina e Besëlidhje 11:21).
Së dyti, të qenit të përgatitur mund të nënkuptojë të shihni përpara dhe të merrni parasysh mundësitë që mund të keni atë ditë ose atë javë për ta dhënë dëshminë tuaj. Ju mund të përgatiteni për ato mundësi duke menduar për mënyrën se si ato mund t’ju japin një mundësi për ta thënë atë që besoni.
Qëndroni të Përqendruar te Shpëtimtari dhe Doktrina e Tij
Presidenti Ballard dha mësim: “Megjithëse mund të kemi dëshmi për shumë gjëra, si anëtarë të Kishës ka disa të vërteta bazë që ne duhet t’ia mësojmë vazhdimisht njëri‑tjetrit dhe t’i [shprehim]”. Si shembuj ai renditi: “Perëndia është Ati ynë dhe … Jezusi është Krishti. Plani i shpëtimit përqendrohet në Shlyerjen e Shpëtimtarit. Jozef Smithi rivendosi plotësinë e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit dhe … Libri i Mormonit është një provë se dëshmia jonë është e vërtetë.” Ndërsa i shprehim ato të vërteta të çiltra, ne e ftojmë Shpirtin të na japë dëshmi se ajo që kemi thënë është e vërtetë. Presidenti Ballard theksoi se “Shpirti nuk mund të përmbahet kur jepet një dëshmi e kulluar për Krishtin”2.
Shembulli i Shpëtimtarit
I drobitur nga një udhëtim nëpër Samari, Shpëtimtari ndaloi për t’u çlodhur te një pus dhe atje takoi një grua. Ai filloi një bashkëbisedim rreth nxjerrjes së ujit nga pusi. Përdorimi i kësaj detyre të përditshme në të cilën ishte e angazhuar gruaja, i dha Jezusit mundësinë për të dëshmuar për ujin e gjallë dhe jetën e përjetshme të vëna në dispozicion për ata që besojnë në Të (shih Gjoni 4:13–15, 25–26).
Një Dëshmi e Thjeshtë Mund të Ndryshojë Jetën
Presidenti Rasëll M. Nelson ka treguar për një infermiere që i bëri një pyetje në atë kohë dr. Nelsonit pas një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale. “Përse nuk je si kirurgët e tjerë?” Disa kirurgë që ajo njihte, mund të ishin gjaknxehtë dhe gojëndyrë teksa kryenin procedura të tilla nën presion të lartë.
Dr. Nelsoni mund të ishte përgjigjur në shumë mënyra. Por ai thjesht u përgjigj: “Sepse e di se Libri i Mormonit është i vërtetë”.
Përgjigjja e tij e nxiti infermieren dhe bashkëshortin e saj që ta studionin Librin e Mormonit. Presidenti Nelson më vonë e pagëzoi infermieren. Dekada më vonë, ndërsa kryesonte në një konferencë kunji në Tenesi, SHBA, si një Apostull i shuguruar së fundmi, Presidenti Nelson shijoi një ritakim të papritur me po këtë infermiere. Ajo tregoi se kthimi i saj në besim, që erdhi si pasojë e dëshmisë së tij të thjeshtë dhe e ndikimit të Librit të Mormonit, ndihmoi për t’i bërë 80 njerëz të tjerë të ktheheshin në besim.3
Ftesë për të Vepruar
Mos kini frikë që ta jepni dëshminë tuaj. Ajo mund t’i bekojë njerëzit të cilëve po u jepni shërbesë. Si do t’i përdorni këto ide ose vetë idetë tuaja për ta dhënë dëshminë tuaj sot?
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/18. Miratuar për përkthim: 6/18. Përkthim i Ministering Principles, March 2019. Albanian. 15764 101