Dhënia e Shërbesës
Çfarë Na Mëson Historia e Krishtlindjes rreth Dhënies së Shërbesës
Parimet


Parimet e Dhënies së Shërbesës, Dhjetor 2019

Çfarë Na Mëson Historia e Krishtlindjes rreth Dhënies së Shërbesës

“Kjo ësht’ stina e dashur e vitit. Një këng’ këndo, Krishtlindja shpejt mbërrin. Trego vërtet lindjen e Jezusit, Kur, si foshnjë, në tok’ Ai erdhi” (“Kënga e Ngjarjes së Krishtlindjes”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 32).

Liahona, Dhjetor 2019

ministering

Detaj nga Ja, Qengji i Perëndisë, nga Walter Rane

Periudha e Krishtlindjes është një kohë e mrekullueshme kur delet, barinjtë, grazhdet dhe yjet papritur marrin një kuptim të ri. Ata bëhen aktorë të rëndësishëm në ritregimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë njerëzore: lindja e Jezu Krishtit. Shumë familje ekspozojnë një skenë të lindjes së Krishtit në shtëpitë e tyre. Të tjerët e bëjnë përparësi leximin e historisë së lindjes së Krishtit ose marrin pjesë në një shfaqje. Si të gjitha historitë për Krishtin, historia e lindjes së Tij është plot me mësime që mund të nxjerrim rreth dhënies së shërbesës, rreth shpërndarjes së dritës së Tij për të ndriçuar botën. “Historia e Krishtlindjes është një histori dashurie”, tha Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë.

… Në historitë për lindjen e Krishtit, ne mund ta shohim dhe ndiejmë se kush ishte Ai dhe se kush është Ai. Ajo na e lehtëson ngarkesën përgjatë udhës. Dhe kjo do të na shtyjë ta harrojmë veten dhe t’ua lehtësojmë ngarkesën të tjerëve.”1

“Në han nuk kishte vend për ta” (Lluka 2:7)

Hanxhiu nuk ia doli t’i bënte vend Shpëtimtarit, por ne nuk kemi pse ta bëjmë atë gabim! Ne mund t’i bëjmë vend Shpëtimtarit në zemrat tona duke u bërë vend vëllezërve dhe motrave tona në tryezat tona, në shtëpitë tona dhe në traditat tona. Shumë tradita familjare mund të bëhen më të ëmbla e madje më të paharrueshme duke përfshirë njerëz të tjerë. Dajana dhe familja e saj kanë traditën që e ftojnë dikë ta kalojë Krishtlindjen me ta. Çdo dhjetor, ata diskutojnë dhe vendosin se kë do të donin të ftonin.2 Ndoshta familja juaj mund të nisë një traditë të ngjashme. Ndofta dikujt të cilit i jepni shërbesë, do t’i pëlqente shumë të bashkohej me familjen tuaj për të kënduar këngë Krishtlindjeje të parapëlqyera së bashku. Mund të bëni vend në darkën e Krishtlindjes edhe për dikë që nuk ka familjarë në atë zonë.

Ku ka mënyrë më të mirë për ta kremtuar Shpëtimtarin sesa duke e ndjekur shembullin e Tij të përfshirjes së të tjerëve? Mbajeni mend se Ai i fton “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë, si Judenjtë ashtu dhe Johebrenjtë” (2 Nefi 26:33). Bëni vend dhe përfshijini të tjerët.

“Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre” (Lluka 2:8)

Duket diçka me vend që barinjtë qenë midis të parëve që e përshëndetën Shpëtimtarin kur ishte foshnjë. Profetët e lashtësisë e quajtën Jezu Krishtin “Bari [të] Izraelit” (Psalmeve 80:1) dhe “Bari në tërë tokën” (1 Nefi 13:41). Dhe Vetë Krishti tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia” (Gjoni 10:14). Njohja e deleve tona dhe bërja e rojës janë një pjesë kyç e të qenit barinj dhe e dhënies së shërbesës ashtu siç e jep Shpëtimtari.

Me dritat vezulluese dhe zbukurimet me stoli, ka shumë gjëra për të parë gjatë Krishtlindjes. Por ndoshta bukuria më e madhe e periudhës mund të gjendet kur kujtohemi ta kthejmë përqendrimin tonë tek ata, të cilëve u japim shërbesë, dhe vazhdojmë të bëjmë rojë për vetë tufat tona. Bërja e rojës mund të jetë të vëmë re ushqimin e parapëlqyer të dikujt ose ta pyetim dikë për planet që ka për festa. Ne bëjmë rojë kur i shohim dhe i plotësojmë nevojat e të tjerëve – edhe ato të dukshme, edhe ato jo aq të dukshme.

Kur Sherili humbi bashkëshortin e saj, Mikun, ajo u shkatërrua. Teksa Krishtlindja e saj e parë pa të po afrohej gjithnjë e më tepër, vetmia u shtua. Fatmirësisht, motra e saj shërbestare iu gjend pranë. Shona dhe bashkëshorti i saj, Xhimi e ftuan Sherilin shumë herë për të dalë gjatë festave. Ata e vunë re pallton e vjetruar të Sherilit dhe vendosën të bënin diçka për këtë. Pak ditë përpara Krishtlindjes, Shona dhe Xhimi i sollën Sherilit një dhuratë krishtlindjeje: një pallto të re e të bukur. Ata qenë në dijeni për nevojat fizike të Sherilit për një pallto të ngrohtë, por edhe për nevojat e saj emocionale për ngushëllim dhe shoqëri. Ata bënë diçka për t’i përmbushur ato nevoja sa më mirë që mundën dhe dhanë një shembull të bukur të mënyrës se si mund të bëjmë rojë për tufat tona.3

“Barinjtë i thanë njeri tjetrit: ‘Le të shkojmë deri në Bethlehem’” (Lluka 2:15)

“Le të shkojmë” është një ftesë plot gjallëri! Barinjtë nuk hamendësuan se miqtë e tyre do të ishin tepër të lodhur për ta bërë atë udhëtim. Nuk u nisën në heshtje dhe secili më vete për në Bethlehem. Ata me gëzim u drejtuan nga njëri-tjetri dhe thanë: “Le të shkojmë!”

Ndërkohë që mund të mos jemi në gjendje t’i ftojmë miqtë tanë që të vijnë e ta shohin Shpëtimtarin foshnjë, ne mund t’i ftojmë ata të ndiejnë shpirtin e Krishtlindjes (ose shpirtin e Krishtit) duke shërbyer me ne. “Mënyra për ta rritur shpirtin e Krishtlindjes është t’i ndihmojmë me bujari njerëzit rreth nesh dhe të japim nga vetja jonë”, tha Boni L. Oskarson, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave.4 Përfytyroni sikur po mbani një qiri. Të tjerët munden sigurisht ta shohin dhe të përfitojnë prej dritës që vjen nga qiriri juaj, por përfytyrojeni ngrohtësinë që mund të ndiejnë ata nëse do ta përdornit qiriun tuaj për t’i ndezur qirinjtë e tyre dhe t’u lejonit të mbanin dritë të tyren.

Krishti Vetë dha mësim se ata që e ndjekin Atë, do të kenë dritën e jetës (shih Gjoni 8:12). Shërbimi ashtu si Ai është një nga mënyrat se si mund ta ndjekim Atë dhe ta gëzojmë atë dritë të premtuar. Pra, shpërndajeni dritën duke i ftuar të tjerët që të shërbejnë me ju! Si mund të shërbeni së bashku ju dhe ata të cilëve u jepni shërbesë? Së bashku, ju mund të përgatitni ushqimin tuaj të parapëlqyer ose të befasoni dikë me një dhuratë të vogël ose pusullë. Së bashku, të dyja palët, mund të ndieni dritën që vjen nga ndjekja e shembullit të shërbimit nga Krishti.

“[Ata] përhapën ato që u ish[in] thënë për atë fëmijë” (Lluka 2:17)

Është e lehtë të përfytyrohet entuziazmi gazmor i barinjve teksa ua jepnin lajmin e mahnitshëm të lindjes së Krishtit sa më shumë njerëzve që mundeshin. Siç u lajmërua nga engjëjt, Mesia i profetizuar kishte ardhur! Ai ishte këtu! Në fakt, dhënia e lajmit të mirë për Shpëtimtarin është lajtmotivi kryesor i historisë së lindjes së Krishtit. Engjëjt kënduan. Ylli tregoi udhën. Dhe barinjtë e përhapën lajmin anembanë.

Ne mund t’ia shtojmë zërat tanë historisë së Krishtlindjes duke e dhënë lajmin e mirë dhe duke dëshmuar për Shpëtimtarin. “Ndërsa keni privilegjin ta përfaqësoni Shpëtimtarin në përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë, pyeteni veten tuaj: ‘Si mund ta ndaj dritën e ungjillit me këtë individ apo familje?’”, dha mësim Motra Xhin B. Bingham, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. “Çfarë po më frymëzon Shpirti të bëj?”5

Ja tek janë disa sugjerime që t’i merrni parasysh teksa kërkoni të dini si mund ta jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij:

  • Gjeni një shkrim të shenjtë që i rrok ndjenjat tuaja për Shpëtimtarin ose që e shpreh arsyen pse i jeni mirënjohës Atij. Tregojuani atyre të cilëve u jepni shërbesë.

  • Dërgoni një mesazh në celular ose një mesazh në mjetet e komunikimit shoqëror me një material filmik për Krishtlindjen. Ka disa materiale filmike të mahnitshme te ChurchofJesusChrist.org!

  • Tregojini një miku/mikeje rreth një kujtimi ose tradite të veçantë që ju kujton Krishtin.

Kini besim se Fryma e Shenjtë do të japë dëshmi për vërtetësinë e dëshmisë suaj, pikërisht ashtu siç i dha dëshmi Simeonit dhe Anës që foshnja Jezus qe Shpëtimtari (shih Lluka 2:26, 38).

“Për ta nderuar me të vërtetë ardhjen e [Jezu Krishtit] në botë, duhet të bëjmë ashtu siç bëri Ai dhe t’i ndihmojmë me dhembshuri dhe mëshirë bashkëqeniet tona”, tha Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Këtë mund ta bëjmë çdo ditë, me anë të fjalës e të veprave. Le të bëhet kjo tradita jonë e Krishtlindjes, pavarësisht se ku jemi – të jemi pak më tepër mirëdashës, pak më tepër falës, më pak gjykues, më mirënjohës dhe më bujarë për ta ndarë bollëkun tonë me ata në nevojë.”6

Shënime

  1. Henry B. Eyring, “Christmas Stories” (takim shpirtëror për Krishtlindje nga Presidenca e Parë, 6 dhjetor 2009), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Shih Daiana Melina Albornoz Díaz, “Sharing Christmas”, Liahona, dhjetor 2007, f. 17.

  3. Shih Cheryl Boyle, “He Would Have Bought It for You”, Ensign, dhjetor 2001, f. 57.

  4. Bonnie L. Oscarson, “Christmas Is Christlike Love” (takim shpirtëror për Krishtlindje nga Presidenca e Parë, 7 dhjetor 2014), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  5. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104.

  6. Diter F. Uhtdorf, “Shpërndaji Thërrimet e Tua” (takim shpirtëror për Krishtlindje nga Presidenca e Parë, 3 dhjetor 2017), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.