Dhënia e Shërbesës
Shtrijeni Dorën e Ndihmës me Dhembshuri
Parimet


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Shtrijeni Dorën e Ndihmës me Dhembshuri

Ndërsa e ndiqni shembullin e Shpëtimtarit për dhembshurinë, ju do të zbuloni se mund të sillni ndryshim në jetën e të tjerëve.

Liahona, Korrik 2018

Christ healing the blind

Besimi Yt të Ka Shëruar, nga Jorge Cocco

Dhembshuri do të thotë të jesh në dijeni të brengave të të tjerëve, së bashku me një dëshirë për t’i lehtësuar apo zvogëluar ato. Një besëlidhje për ta ndjekur Shpëtimtarin është një besëlidhje dhembshurie për t’i “mba[jtur] barrat e njëri-tjetrit” (Mosia 18:8). Një detyrë për t’u kujdesur për të tjerët është një mundësi për të dhënë shërbesë ashtu siç do të jepte shërbesë Zoti: Me “dhembshuri …, duke përdorur dallim” (Judë 1:22). Zoti urdhëroi: “Tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj” (Zakaria 7:9).

Dhembshuria e Shpëtimtarit

Dhembshuria ishte një forcë shtytëse në shërbesën e Shpëtimtarit (shih kutizën e vogël: “Një Shpëtimtar i Dhembshur”). Dhembshuria e Tij për bashkëqeniet e Veta bëri që Ai t’ua shtrinte dorën e ndihmës atyre që ishin përreth Tij në raste të panumërta. Duke i dalluar nevojat dhe dëshirat e njerëzve, Ai mund t’i bekonte dhe mësonte ata në mënyra që kishin më shumë vlerë për ta. Dëshira e Shpëtimtarit për të na ngritur mbi nivelin e brengave tona, çoi drejt aktit përfundimtar të dhembshurisë: Shlyerjes së Tij për mëkatet dhe vuajtjen e njerëzimit.

Aftësia e Tij për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve është diçka për të cilën ne mund të përpiqemi fort ndërkohë që shërbejmë. Ndërsa jetojmë me drejtësi dhe ua vëmë veshin nxitjeve të Shpirtit, ne do të frymëzohemi që ta shtrijmë dorën e ndihmës në mënyra domethënëse.

Besëlidhja Jonë e Dhembshurisë

Ati Qiellor do që fëmijët e Tij të jenë të dhembshur (shih 1 Korintasve 12:25–27). Për t’u bërë dishepuj të vërtetë, ne duhet të zhvillojmë dhe të tregojmë dhembshuri ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre që janë nevojtarë (DeB 52:40).

Duke e marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet besëlidhjes sonë të pagëzimit, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të ushtrojmë dhembshuri. Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dha mësim se dhurata e Frymës së Shenjtë na ndihmon ta bëjmë këtë: “Ju jeni një anëtare besëlidhëse e Kishës së Jezu Krishtit …

Kjo është arsyeja përse ju keni një ndjenjë që të dëshironi ta ndihmoni një njeri në mundim, që të ecë përpara nën një barrë hidhërimi e vështirësie. Ju premtuat se do ta ndihmonit Zotin që t’i bënte barrët e tyre të lehta dhe që të gjenin ngushëllim. Juve ju dha fuqia për të ndihmuar që t’i lehtësoni ato barrë, kur e morët dhuratën e Frymës së Shenjtë.”1

Për shembull, një motër në Rusi pati një situatë të vështirë familjare që nuk e lejoi ta frekuentonte kishën për më shumë se një vit. Një motër tjetër në degë i dha ndihmë me dhembshuri çdo të diel duke e marrë në telefon për t’i treguar rreth bisedave, mësimeve, thirrjeve të misionit, foshnjave të lindura dhe lajmeve të tjera nga dega. Kur situata familjare e motrës që ishte mbyllur në shtëpi, u zgjidh, ajo ndjeu sikur ishte ende pjesë e degës për shkak të telefonatave të përjavshme të mikeshës së saj.

Shënim

  1. Henri B. Ajring, “Ngushëlluesi”, Liahona, maj 2015, f. 18.